MENU
klinika

Konferenca e përbashkët/ Kërkesa që i drejton Osmani Parlamentit të Shqipërisë

Presidentja në detyrë e Kosovës bisedë me Metën për shkëmbimin e territoreve

16.12.2020 - 17:40

Kreu i Shtetit, Ilir Meta në një konferencë të përbashkët për media me homologen kosovare, Vjosa Osmani u shpreh se Shqipëria është e bindur në legjitimitetin e Kosovës, duke theksuar se sa më parë të jetë anëtare e Europës, i shërben rajonit.

Po ashtu Meta tha se sëbashku me Osmanin vlerësuan mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht mobilizimit të partneritetit strategjik, që të jemi një shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit Europian.

“Vullnetin për të forcuar bashkëpunimin për çështjet me jetike për vende, qytetarët, por edhe në rrafshin rajonal dhe më gjerë. Vlerësuam mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve veçanërisht mobilizimit të partneritetit strategjik që të jemi një shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit Europian.

Jemi të bindur në legjitimitetin e plotë kombëtar të Kosovës, por edhe për faktin se Kosova sa më parë të jetë anëtare e Europës i shërben rajonit dhe vendeve tona”, tha Meta.

Duke e konsideruar një ide të tmerrshme idenë e shkëmbimit të territoreve, Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kreu i shtetit shqiptar ishte i prerë për këtë çështje.

“Presidenti Meta më shprehu qëndrimin e prerë se është kundër shkëmbimit të territoreve, një ide e tmerrshme. Prandaj, na duhen zëra të fuqishëm në Shqipëri”- tha kryeparlamentarja.

Zonja Osmani i bëri edhe një kërkesë Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me një rezolutë për çështjen e gjenocidit serb në Kosovë.

“Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi jonë e ka miratuar. Është krejtësisht e natyrshme që vendi i dytë të jetë Shqipëria”, theksoi ajo.

Ajo tha se kishte diskutuar edhe për pastrimin etnik të heshtur në Luginën e Preshevës nga ana e autoriteteve serbe. “Prandaj na duhet një zërë më i fortë”- theksoi ajo.