Në tetor të këtij viti Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi se po kërkonte një kompani që do të kishte në fokus projektimin e shërbimit të transportit ujor HEC Vau i Dejes-HEC Koman dhe krijimi i muzeut historik për zhvillimin turistik të zonës pranë HEC Koman.
Nisma ndoshta ndër më të veçantat të ndërmarra viteve të fundit nga Korporata duke pasur fokus social e turistik dhe jo energjetik tashmë ka edhe emrat e kompanive që do të hartojnë projektin. KESH bëri me dije se Bashkimi i Operatorëve Ekonomik “AVE CONSULTING” SHPK, dhe”CASANOVA +HERNANDEZ ARCHITECTS”, përfaqësuar nga Dega Shqiptare, “LAND&CO” SHPK janë fituesit.
Më herët KESH bëri me ddokumenteije në se sa i takon transportit ujor ndërhyrja konsiston në ndërtimin e dy moleve kryesore, një i vendosur afër digës së HEC Vau i Dejës dhe tjetri afër HEC Koman, me kapacitet për tragete e varka private si dhe ndërhyrjen pranë tyre për restaurimin apo rehabilitimin e brigjeve në molet pranë HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës duke mbjellë pemë dhe bimësi (pyllëzimin e zonës) aty pranë”.
Sipas Korporatës distanca fizike midis HEC-eve Koman dhe Vau Dejës nuk është shumë e madhe por rruga automobilistike (Rreth 35 km gjatësi) që përshkruan atë, është tejet e amortizuar dhe jashtë çdo kushti teknik. Rikonstruksioni i saj parashikon një kosto të madhe të saj pasi për shkak të relievit të thyer, ajo kërkon ndërtimin e shumë urave (rreth 30 të tilla) dhe shumë vepra arti, shkruan Monitor.al.
Për ta ndërtuar atë konform kushteve dhe standardeve teknike bashkëkohore, parashikimi paraprak do të kërkonte investimin e rreth 100 milion Eurove, ndërkohë që transporti ujor nëpërmjet liqenit të Vaut të Dejës është mjaft i thjeshtë, i shpejtë por që nuk shfrytëzohet fare për shkak se nuk ekziston infrastruktura portuale në të”
Lidhur me Molin e Liqenit të Komanit dhe Qendrës së Vizitorëve KESH sqaron se kjo ndërhyrje konsiston në dy komponentë së pari rinovimi i platformës në rregullimin e molit për tragete dhe anije, organizimin e zonave të parkimit të përkohshëm për automjete e autobusë, duke përfshirë hapësira shlodhëse në natyrë të lidhura me shtegun e këmbësorëve.
Së dyti godina e molit përfshin rinovimin dhe shtrirjen e mundshme të kalatës ekzistuese dhe ndërtimin e një godine moli që përfshin një qendër vizitorësh. Ndërtesa e re e terminalit duhet te ketë vende parkimi të përkohshëm dhe shërbime për vizitoret si informacion, biletari, dyqane, pika marrje me qera të varkave e biçikletave, etj.
Një tjetër element i sipërmarrjes së KESH është edhe Muzeu i Hidroenergjisë së bashku me elemente shoqërues për të rritur atraksionin si dhe restaurimi (Mbrojtja, Sistemimi) i bregut ujor pranë digës së Komanit.
“Muzeu i hidroenergjisë të përfshijë një ndërtesë muze me mundësi aksesi në peizazhin natyror, parkim për vizitorët, shtigje shëtitjesh që lidhin objektet kryesore të hidrocentralit dhe pikat e vrojtimit të integruara përgjatë shtigjeve dhe muzeumit.
Restaurimi i bregut ujor pranë digës së Komanit konsiston në zonën trekëndore të tokës që ndodhet midis kanalit të daljes së ujit nga tunelet e shkarkimit dhe kanalit të daljes së ujit nga turbinat e godinë së centralit në HEC Koman. Këtu parashikohet restaurimi i skarpatave, mbjellje bimësie, restaurimi i kishës dhe varrezave të vogla që ndodhen pranë “shtegut të energjisë”, shtegut që krijohet nga rruga e këmbësorëve në atë zone” thuhet në dokumentet e tenderit.