MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Propoganda me dhimbjen njerëzore si specialiteti i ri i Lulzim Bashës

06.12.2020 - 20:15

Në përpjekjet e tij të dëshpëruara, për ta shitur “sardelen” e problemeve të përditshme të vendin si “balenë”, Lulzim Basha po e bën opozitën çdo ditë e më qesharake. Duke dështuar për të patur një program të studiuar politik dhe serioz elektoral, Kryetari i PD po mundohet që të kapet me thonj, pas çdo gjëje që i del përpara.

Duke mos patur asnjë alternativë qeverisëse për të ardhmen, ai po mundohet që të shesi si opozitarizëm institucionale, çdo dhimbje njerëzore, çdo pikë loti të qytetarëve dhe çdo ankesë të tyre.

Kjo qasje tipike prej lideri dembel, e bën një politikan si lideri i opozitës sonë, që të reagojë sapo sheh një titër nëpër televizione. Sapo i dërgojnë një postim në rrjetet sociale. Sapo qarkullon meme e parë që nuk e ka atë vetë, si personazh apo objekt tallje e humori.

Vetëm një lider pa vizion si Lulzim Basha mund të reagojë zyrtarisht, sapo has në të parën foto, video, tekst, mesazh apo gjithçka tjetër ndër shqetësimet individuale të qytetarëve që ngrihen publikisht.

Vetëm Kryetari i Partisë Demokratike mund ta uli figurën e një kandidati për Kryeministër, deri në atë pikë sa të vrapojë që të bëje deklarata zyrtare, për gjëra as të sqaruara dhe as të verifikuara më parë prej tij institucionalisht.

Vetëm lideri i opozitës shqiptare, në gjithë globin e përkulur nga pasha e pandemisë, mund të rreket që të prodhojë politikë sa herë që dëgjon një zë që i jep mundësinë të kritikojë qeverinë qëndrore a lokale, mazhorancën, sistemin shëndetësor, mjekët, infermierët dhe çdo strukturë tjetër shtetërore.

Vetëm një lider politik si Lulzim Basha mund të mendojë se në këtë mënyrë mund tia dali që ta mundi qeverinë. Se në këtë mënyrë, mund ti fitojë zemrën qytetarëve të vendit të vend. Se vetëm duke e ngritur të mirën e së ardhmes së vet personale në politikë, mbi çdo dhimbje të sotme njerëzore, mund të prodhojë opozitarizëm. E për rrjedhojë, frymë ndryshimi dhe vota, për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sapo i afërmi i një qytetari të infektuar me covid-19, ka folur disa sekonda për një televizion, Lulzim Basha ka vrapuar për të bërë me urgjencë status në rrjetet e tij sociale: “Jam shumë i tronditur nga këto pamje. Dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën. Boll më me propagandë dhe gënjeshtra. Janë jetë njerëzish që kur ikin nuk kthehen më!”- shkroi ai.

Se kush po bën propogandë me dhimbjen njerëzore, kjo nuk ka nevojë as të thuhet. Se kush po kërkon që të përhapë panik e gënjeshtra, përmes kësaj mënyrë të të bërit politikë dhe opozitë, kjo as ka nevojë të mendohet.

Sepse është i njëjti, po Lulzim Basha ai që deklaroi se ka qindra të vdekur nga pandemia të cilët fshihen nga qeveria, duke mos dhënë asnjë provë. Asnjë emër. Asnjë dëshmi. Asnjë dokument. Asnjë shkresë. Asnjë listë me emra e mbiemra. Në as edhe një rast të vetëm.

E pasi kjo gënjeshtër e madhe doli bllof, duke u zhbërë si flluskë sapuni, lideri i opozitës sonë vrapoi që të përjashtonte mjekët dhe gjithë hallkat e tjera të zinxhirit zyrtar që regjistrojnë çdo të vdekur në këtë vend.

E kur e pa se përmes kësaj teze, nuk mund të prodhonte dot në këtë mënyrë as vota, as politikë, as opozitarizëm dhe as alternativë, shkoi e iu fal atyre që i falet gjithmonë: Fake news-eve e propogandës bajate opozitare.

Është kjo edhe arsyeja se përse PD i ka sot nën minimumin e saj historik, kuotat e mbështetjes nga qytetarët, edhe pse ka 8 vjet që ndodhet në opozitë. Për aq kohë sa drejtohet sipas këtij stili nga Lulzim Basha, duket e sigurtë që tani, se PD do të qëndrojë edhe 4 vjet të tjera në opozitë.

Ky lloj qasje opozitare është jo vetëm qesharake, si pasojë e qëndrimeve aspak serioze e pa integritet nga lidërshipi i saj, por edhe humbëse. Sepse nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot, që të prodhohet një alternativë elektorale fituese, kur ajo ngrihet mbi dhimbjen individuale njerëzore.