MENU
klinika

Biden duhet t’iu kushtojë rëndësi!

Qytetet po ndryshojnë politikën e jashtme të SHBA-së

29.12.2020 - 15:56

Për herë të parë në histori, shumica e njerëzve – përfshirë katër në pesë amerikanë – jetojnë në qytete. Në pjesën më të madhe të botës, këto qendra urbane janë të lidhura, me udhëheqës që diskutojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë aktive për zgjidhjet e sfidave të ngutshme. Megjithatë, shumica e qyteteve amerikane kanë mbetur prapa homologëve të tyre të huaj kur bëhet fjalë për bashkëpunimin global.

Por duket se edhe amerikanët janë duke kapur ritmin. Në përgjigje të politikës së jashtme shpesh shkatërruese dhe përçarëse të administratës Trump dhe një ndërgjegjësimi në rritje ndaj forcave globale që forcojnë shëndetësinë, sigurinë dhe prosperitetin e banorëve të tyre, kryetarët e bashkive të qyteteve kryesore të SHBA kanë vendosur të zhvillojnë politikat e tyre të jashtme, të përqendruara në ruajtjen e mirëqenies së zgjedhësve të tyre dhe duke bërë pjesën e tyre për të zgjidhur sfidat globale siç është edhe ndryshimi i klimës.

Kjo epokë e re e diplomacisë ka pasoja të rëndësishme jo vetëm për qytetet por për Shtetet e Bashkuara si një e tërë. Megjithëse qeveritë lokale nuk komandojnë ose nuk negociojnë marrëveshje të detyrueshme tregtare, ata punojnë me partnerë ndërkombëtarë çdo ditë për të sjellë përfitime për komunitetet e tyre dhe për të çuar përpara vlerat dhe përparësitë e SHBA-së – në mënyra që të dyja të formojnë dhe të drejtojnë politikën e jashtme Amerikane më gjerë. Gjatë katër viteve të ardhshme, Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden do të ketë një mundësi të re: të bëjë qytetet dhe shtetet partnerë të tij në politikën e jashtme si dhe në politikën e brendshme.

Politika e jashtme nënkombëtare kërkon të ndikojë në politikëbërjen globale dhe të ndërtojë lidhje pragmatike midis qeverive lokale si brenda ashtu edhe midis vendeve. Vetëm gjatë tre viteve të fundit, në Los Anxhelos kemi zhvilluar takime bilaterale me kryeministrat dhe presidentët e Armenisë, Kanadasë, Gjermanisë, Irlandës, Izraelit, Koresë së Jugut, Spanjës dhe Vietnamit, për të mos përmendur Shenjtërinë e Tij Papa Françeskun. Një arsye pse qytetet dhe shtetet zhvillojnë këto lidhje jashtë vendit është të rrisin ekonomitë lokale, ashtu siç bëjnë Departamenti i Tregtisë i SH.B.A.-së dhe agjencitë e tjera në nivelin kombëtar. Drejtuesit vendorë hartojnë politika për të tërhequr investime të huaja direkte, për të promovuar turizmin dhe për t’u përgatitur për ngjarje të tilla si Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike (të cilat do të mbahen në Los Anxhelos në 2028).

Në Los Anxhelos, është duke u punuar me qeverinë britanike për sfidat kryesore të transportit urban. Si pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar shërbime të qëndrueshme të transportit të mallrave dhe shpërndarjes, janë promovuar risitë e njëri-tjetrit, janë ndihmuar firmat me bazë në Los Anxhelos të zgjerohen në tregjet Britanike (dhe anasjelltas.

Po bashkëpunohet gjithashtu me qeverinë japoneze dhe sektorin privat të atij vendi për të zbatuar teknologjinë më të lartë ” të hidrogjenit të gjelbër”, i cili, brenda pak vitesh, do të japë energji me karbon zero në rrjetin elektrik të Los Angeles.

Udhëheqësit e qytetit gjithashtu mbështesin eksportet nga bizneset lokale dhe sponsorizojnë misionet tregtare. Në vitin 2018, u drejtua një delegacion i liderëve të biznesit në Los Anxhelos në një udhëtim në Azi, përfshirë Vietnamin. Si pjesë e diskutimeve me Kryeministrin Nguyen Xuan Phuc, u ftuan linjat ajrore vietnameze të fillonin shërbimin pa ndërprerje midis Hanoi ose Ho Chi Minh City dhe LAX – një veprim që do të gjeneronte përfitime ekonomike për të dy palët dhe do të ndihmonte Shtetet e Bashkuara të forconin lidhjet diplomatike me një fuqi e rëndësishme rajonale. Njëkohësisht u ngrit edhe çështja e rëndësisë së të drejtave të njeriut.

Në shumë raste, marrëdhëniet e kultivuara nga qeveritë e qytetit janë me partnerë të veçantë të huaj që luajnë një rol të madh në punët lokale. Në çështjen e marrëdhënies së diskutueshme të administratës Trump me Meksikën, për shembull, Los Angeles punoi me ministrinë e jashtme meksikane për të ngritur MEXLA, një komision i parë i këtij lloji për qytetarët binacionalë, me një mandat për të thelluar lidhjet ndërkufitare në shkencë, energji të pastër, kulturë, sport, barazi dhe më shumë. Disa muaj më vonë, Meksika thirri një mbledhje të kryetarëve të bashkive meksikanë dhe amerikanë për të ndërtuar mbështetjen e SHBA për marrëveshjen tregtare, SHBA-Meksikë-Kanada. (Takimi ishte aq i rëndësishëm sa Presidenti i sapozgjedhur meksikan Andrés Manuel López Obrador vendosi të marrë pjesë). Kohët e fundit, kur shpërtheu lufta midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, qeveria e qytetit të Los Anxhelos u bashkua me SHBA.

Disa marrëdhënie qytet më qytet kanë një përbërës shumëpalësh. Los Anxhelos është një anëtar themelues i Urban 20 (U20), i cili i shtyn udhëheqësit e G-20 të përparojnë përparësitë progresive të tilla si një rigjenerim i gjelbër dhe i drejtë nga pandemia COVID-19 – një kundërpeshë e vlefshme për politikën gjithnjë e më nacionaliste në nivelin federal në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2018, në takimin e parë të U20, udhëheqësit e Los Anxhelosit u thanë zyrtarëve të mbledhur nga Buenos Aires, Paris, Seul, Tokio dhe shumë qytete të tjerë që pavarësisht nga ato që po dëgjonin nga Shtëpia e Bardhë, qytetet amerikane mbetën të hapura për botën, për partnerët dhe i çmuan idealet demokratike. Në nëntor 2020, Los Angeles – së bashku me Barcelonën, Freetoën, Londrën, Meksiko Siti dhe Tokion – lançuan rrjetin e parë ndërkombëtar të qytetit për të promovuar barazinë gjinore, pasi kryetarët e bashkive kanë fuqi të konsiderueshme për të përmirësuar jetën e grave dhe vajzave, përfshirë sigurinë publike, arsimin, punësimin dhe modelin e tranzitit publik. Më në fund, Los Anxhelos punon ngushtë me më shumë se 20 qytete ndërkombëtare për të përshpejtuar veprimin lokal mbi Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të KB.

QYTETET DHE SIGURIA

Rritja e diplomacisë subnacionale nënvizon pandashmërinë e politikës së jashtme dhe të brendshme. Në një epokë kërcënimesh transnacionale, qytetet amerikane janë vetë aktorë të vijës së parë të sigurisë kombëtare – veçanërisht kur qeveria federale nuk arrin të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj kërcënimeve të afërta.

Pandemia ka ofruar një shembull të qartë të kësaj. Në ditët e para të krizës, Los Anxhelos organizoi një infrastrukturë të gjerë testimi duke përdorur zjarrfikës dhe vullnetarë, duke përfshirë vendin më të madh të testimit të provave në botë. U rekrutua drejtori ekzekutiv i Portit të Los Anxhelosit (porti më i ngarkuar i kontenierëve në Amerikë) për të siguruar pajisje mbrojtëse për spitalet lokale, u sollën mijëra banorë të pastrehë dhe viktima të dhunës në familje në shtretër të sigurt, u vendos kujdesi për fëmijët për punëtorët e vijës së frontit.

Ndërsa veprohej në nivel lokal, Los Anxhelos gjithashtu shkëmbente mësime me qytete të tjera në botë. U mbajtën komunikime të rregullta me dhjetëra kryetarë bashkish në të njëjtën kohë, nga Mexico City në Milano, dhe u ndanë njohuri për gjithçka, nga mënyra se si të testohej për COVID-19 në institucionet e kujdesit për të moshuarit në kriteret e duhura për rihapjen e ekonomive. Disa qytete ua kaluan këto mësime qeverive të tyre kombëtare, shumë prej të cilave nuk ishin aq të shkathët në shkëmbimin e praktikave më të mira.

Ndryshimi i klimës është një tjetër sfidë e sigurisë kombëtare me të cilën përballen çdo ditë kryetarët e bashkive dhe udhëheqësit e tjerë lokalë. Më shumë se çdo aktor tjetër, qeveritë e qytetit kanë për detyrë të mbrojnë njerëzit nga moti ekstrem dhe të marrin hapa për të zbehur ndikimin e një planeti që po dëmtohet. Megjithëse qytetet konsumojnë mbi 75 për qind të energjisë në botë dhe lëshojnë 70 për qind të emetimeve të karbonit në lidhje me energjinë, ato gjithashtu mbikëqyrin disa nga levat më të rëndësishme për uljen e emetimeve: kodet e ndërtimit, sistemet e transportit, shërbimet, portet dhe sistemet e mbetjeve dhe ujit.

Rëndësia e diplomacisë subnacionale shtrihet përtej vetë qyteteve. Marrëveshjet e qytetit mund të jenë blloqe kritike ndërtimi për veprimet ndërkombëtare. Një marrëveshje klimatike e vitit 2015 e futur në një forum të qyteteve të SH.B.A. dhe të Kinës të organizuar në Los Anxhelos hapi rrugën për një marrëveshje kombëtare SH.B.A.-Kinë që mundësoi marrëveshjen e klimës në Paris. Përvoja e kryetarëve të bashkive, qoftë në çështjet e ndryshimit të klimës, imigracionit, gjinisë, barazisë racore, COVID-19, ose më gjerë, mund të ndihmojë në informimin e politikave më efektive dhe më të drejta kombëtare. Administrata e Badenit duhet të marrë shënim.

Kryetarët e bashkive e dinë, për shembull, se forca nuk duhet të jetë mjeti i parë dhe as i vetmi për zgjidhjen e konflikteve. Pa adresuar çekuilibrin midis shpenzimeve për mbrojtje dhe diplomaci, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin forcën ushtarake kur ndërhyrjet e tjera më pak të kushtueshme dhe më efektive mund të jenë më të suksesshme.

E njëjta gjë është e vërtetë kur bëhet fjalë për të kuptuar vlerën e partnerëve. Nëse doni të zgjidhni një problem në bashkinë e qytetit, pavarësisht nëse është grevë e mësuesve ose gjetja e një parku të ri, të gjithë aktorët e interesuar kanë nevojë për një vend në tryezë. Gjëja e fundit që një udhëheqës lokal do të bënte është të largojë aleatët e vjetër, siç ka bërë administrata Trump përsëri dhe përsëri. Përdorimi i një koalicioni të gjerë forcon misionin e një projekti dhe aftësinë e qytetit për të dhënë rezultate. Ky parim vlen edhe për vendet ose grupet që mund të mos jenë aleatë të menjëhershëm ose intuitiv.

Më në fund, ashtu si në politikën lokale, strategjitë diplomatike duhet të përqafojnë ide të reja dhe inovative edhe nëse vijnë nga jashtë qeverisë ose Shteteve të Bashkuara.

Nën administrimin e Trump, shumë amerikanë kishin mbetur duke menduar ku po drejtohej vendi i tyre. Kështu vepruan edhe shumë të tjerë nëpër botë. Por duke parë qytete anembanë vendit ku jetojnë shumica e amerikanëve, këto vlera mbetën të qarta. Qytetet u ngritën për veprimet klimatike, barazinë gjinore, drejtësinë racore dhe kaq shumë çështje të tjera përcaktuese – dhe është koha që qeveria federale ta njohë dhe të ndërtojë mbi këtë forcë.

Për të rindërtuar një konsensus të politikës së jashtme në Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit duhet ta bëjnë diplomacinë dhe angazhimin ndërkombëtar më të rëndësishëm për sfidat e përditshme me të cilat përballen amerikanët. Qytetet, si ura midis lokales dhe globales, janë vendi i duhur për të filluar.

Përkthyer dhe përshtatur nga foreign policy/ konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN