MENU
klinika

Krahasimi me vendet e rajonit

Raportet e FMN-së për Shqipërinë, më kritiket në rajon

28.12.2020 - 10:58

Javët e fundit, misionet e FMN-së kanë zhvilluar vizita online në disa vende të rajonit.

Por, nga deklaratat përfundimtare zyrtare, vihet re se Shqipëria ka marrë kritikat më të shumta, sidomos për mënyrën se si po menaxhohen financat publike dhe për nisma të tjera të ndërmarra, që nuk kanë pasur konsensusin e institucioneve ndërkombëtare.

Raporti i fundit e rekomandonte Shqipërinë që të hiqet dorë nga shpenzimet jo prioritare, në mënyrë që të ketë fonde të lira për të përballuar emergjencën. Fondi u shpreh sërish kundër amnistisë fiskale, ndërkohë që kërkoi transparencë për shpenzimet publike, sidomos për mënyrën e përdorimit të fondeve për rindërtimin pas tërmetit.

FMN kërkoi dhe më shumë vëmendje në menaxhimin e krizës shëndetësore: “Rregulloni në mënyrë fleksibile masat zbutëse dhe mbështetjen buxhetore. Shënjestroni politika më të mira për të mbështetur kujdesin shëndetësor, personat që janë të prekshëm dhe ekonominë. Kërkoni financim të jashtëm. Monitoroni dhe menaxhoni nga afër dobësitë e sektorit financiar”, thuhej në raport.

FMN vlerëson se ka një rrezik të lartë që qeverisë t’i mbarojnë amortizatorët fiskalë. Kjo do të bënte që të shtoheshin vështirësitë e financimit dhe vendi të mos kishte burimet e nevojshme për të zvogëluar goditjet. Si reagim ndaj këtij rreziku, FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare, në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave, si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre.

FMN vlerëson se ka një rrezik të lartë që projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP) të hartuara keq, të rrisin detyrimet, ndërsa parashikon që në skenarin negativ, borxhi mund të vijojë të rritet deri në 88% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2022.

Për Maqedoninë, vlerësimet janë më pozitive. “Stabiliteti makroekonomik dhe financiar është ruajtur falë menaxhimit të aftë të politikave, si dhe kushteve globale akomoduese financiare. Veprimet e politikave të ndërmarra nga qeveria dhe Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut (NBRNM) kanë luajtur rol thelbësor në zbutjen e ndikimit ekonomik dhe social të pandemisë. Si në pjesët e tjera të botës, ekonomia u tkurr ndjeshëm në vitin 2020. Megjithatë, papunësia është rritur vetëm në mënyrë modeste, për shkak të masave të mbështetjes fiskale. Inflacioni total është rritur, duke reflektuar kryesisht çmimet më të larta të ushqimeve.

Ndërsa në vitin 2021, pritet rikthim në aktivitetin ekonomik, vala e dytë e virusit paraqet një rrezik të konsiderueshëm, pavarësisht lajmeve premtuese për zhvillimin e vaksinave. Adresimi i krizës shëndetësore mbetet përparësia kryesore dhe do të jetë thelbësore për ruajtjen e ekonomisë dhe financave publike. Në terma afatshkurtaër, politika fiskale duhet të jetë një forcë mbështetëse për të ndihmuar në rigjallërimin e rritjes ekonomike, ruajtjen e vendeve të punës dhe mbrojtjen e personave të rrezikuar”, thuhet në deklaratën e publikuar në 20 nëntor.

Për Serbinë, raporti i fundit është bërë në tetor, ku FMN vlerëson pozitivisht politikat mbështetëse të qeverisë për të menaxhuar krizën e COVID-19. “Zbatimi i programit ka mbetur gjerësisht në rrugën e duhur dhe aktiviteti ekonomik është ringritur pas një tkurrje të mprehtë në tremujorin e dytë të vitit 2020 të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Masat monetare dhe financiare dhe paketa e madhe fiskale e vendosur në përgjigje të krizës kanë luajtur një rol kyç dhe të mirëpritur në mbështetjen e ekonomisë.

Rritja reale e PBB tani parashikohet të tkurret me 1.5% në 2020 dhe të rikthehet në 5% në 2021, më mirë se parashikimet e mëparshme. Të ardhurat nga taksat kanë qenë më të forta se sa pritej, por shpenzimet do të jenë gjithashtu më të larta, pasi masat fiskale u shtrinë dhe ekzekutimi i investimeve publike do të përshpejtohet në tremujorin e fundit të këtij viti. Në këtë kontekst, deficiti i përgjithshëm fiskal parashikohet të jetë më pak se 9% e PBB-së në vitin 2020, me borxhin publik që qëndron nën 60% të PBB-së”, thuhet në deklaratën e fundit të FMN-së për Serbinë.

Për Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi, që janë në programe asistence teknike, FMN nuk ka deklarata të fundit.

Shqipëria rezulton dhe me treguesit më të përkeqësuar makroekonomikë e fiskalë. Niveli i lartë i borxhit publik, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i llogarisë korente nuk i dhanë shumë hapësirë vendit për politika nxitëse fiskale. Shqipëria, sipas vlerësimeve të FMN-së, ka alokuar më pak fonde si mbështetje direkte te qytetarët e saj në paketat e ndihmës anti-COVID, me vetëm 1.2% të PBB-së, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, nga 2% Maqedonia, 5.2% Bosnja, 5.6% Serbia, 8% Mali i Zi dhe 5.6% Kosova.

Shqipëria rezulton, ndërkohë, sipas të dhënave të tjera të Eurostat për BE-në dhe Komisionit Europian për rajonin, se ka pasur rritjen e gjashtë më të lartë të borxhit publik në Europë, me 13.8 pikë përqindje, në krahasim me periudhën e para krizës (fundin e 2019-s), pas Qipros që e rriti këtë tregues me 19.2 pikë përqindje, Belgjikës (16.6 pp), Francës (16 pp), Italisë (14.7 pp), Spanjës (13.8 pp).

Por, ndonëse ka pasur rritjen e borxhit publik ndër më të lartën në Europë, Shqipëria nuk rezulton të ketë përdorur këtë shtesë të huamarrjes për të mbështetur ekonominë, që në kontrast ishte minimale. Sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbështetja fiskale (shpenzime shtesë dhe shtyrje të pagesave të taksave) ishte 1.2 % e PBB së vendit, më e ulëta për gjithë Europën./Monitor