MENU
klinika

"Krishtlindje në Vjenë"

Saimir Pirgu: Do të këndoj shqip!

06.12.2020 - 13:20

        Tenori më i famshëm shqiptar Saimiri Pirgu, do të sjellë Naim Frashërin në festën e Krishtlindjes në Vjenë. Në një atmosferë jo shumë festive, krijuar nga pandemia, si dhe pas ngjarjeve që tronditën Austrinë, ku u përfshinë fatkeqësisht bashkëkombas shqiptarë, Pirgu ka menduar të këndojë “Fjalët e qiririt” nga Naim Frashëri, në njërën prej dy arieve që do të interpretojë në koncertin “Krishtlindje në Vjenë”.

Pas interpretimit të simfonisë së 9 të Bethovenit, gjatë këtij viti, në kryeqytetin austriak të mbyllur thuajse plotësisht nga pandemia, Pirgu rikthehet kështu në një tjetër format prestigjioz në kryeqendrën e muzikes klasike botërore.

Vetë Pirgu, e njoftoi paraprakisht eventin në fjalë, në rrjetet sociale:

Së shpejti, “Krishtlindje në Vjenë”

Koncerti i vitit në TV Austriak ORF dhe gjithashtu në Arte tv .
Në datë 21-24 Dhjetor ORF2 në orën 22.30
24 Dhjetor në orën 18.15 në ARTE TV
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Pirgu ka folur për koncertin që do të transmetohet nga data 21 deri më 24 dhjetor, në televizionet austriake.

“Vjena është krejtësisht e mbyllur dhe televizioni austriak këtë vit mendoi që për të gjithë teleshikuesit e Austrisë, por edhe më gjerë të krijonte një koncert televiziv, jo të ashtu-njohurin që bëhet çdo vit. Kështu zgjodhi disa nga artistët internacionalë për të marrë pjesë, dhe një ndër ta jam edhe unë, që do të këndoj dy pjesë”, – u shpreh z.Pirgu.

“Për koncertin e Vjenës, programi dhe ariet që kam zgjedhur kanë qenë pak të përzgjedhura, për të dhënë një mesazh gjithashtu në Vjenë dhe për publikun tonë shqiptar. Kam zgjedhur dy arie, njërën me tekstin e poetit tonë, rilindasit tonë, Naim Frashëri, “Fjalët e qiririt”, që për gjendjen që ndodhemi do të ishte shume mirë që kjo drita e qiririt të ndriçonte ndopak, këdo që ka trurin të mjegullt këtë periudhë. Gjithashtu edhe melodinë e Ennio Morricon-es, që këtë vit e kemi humbur dhe kjo në kujtim të tij, mendova “Nella Fantasia”, është a-ja më e mirë, për të rikujtuar mjeshtrin e madh. Me sa munda, krijova mundësinë që të këndohej shqip, një arie shqip në televizionin austriak”, – u shpreh ai.

Tenori, gjatë intervistës foli edhe për jetën artistike gjatë pandemisë, që sipas tij, është goditur dhe se ajo, pothuajse nuk ekziston fare në asnjë vend të botës.

“Mendoj që jam si të gjithë të tjerët, i çorientuar nga kjo, që na ka ndryshuar dhe na ka prekur të gjithëve. Ne artistët, na ka prekur më tepër, sepse jeta artistike pothuajse nuk ekziston. Por, gjithsesi, me ato pak mundësi që kemi pasur, jemi munduar të japim atë çfarë kemi mundur. Siç është edhe ky koncert, në Vjenë”, – theksoi ai.

Pirgu nënvizoi se tashmë, artistët po mbijetojnë dhe mezi presin që të largohet virusi, në mënyrë që t’i kthehen normalitetit në punë.

“Dy tre muajt e para në Itali, ku ndodha në shtëpi në Verona, ishte tepër e vështirë. Gjatë verës pata aktivitete të shumta, isha ndër të parët që fillova aktivitetet e mia në Romë, në Napoli, në Vjenë.

Atje ku ishte e mundur u bë diçka. Por, prapë erdhi vjeshta dhe dimri, dhe gjendemi përballë kësaj sfide të madhe që po i bëhet njerëzimit nga një qenie që nuk dimë si të mbrohemi. Është pak vështirë, kemi ndryshuar komplet mentalitetin tonë të të bërit art dhe të gjithë artistët, po mbijetojmë. Po presim dita-ditës që të shporret ky virus, se nuk durohet më”, – deklaroi tenori i njohur.

Ai, gjithashtu rrëfeu se, arti operistik ndodhet në vështirësi, se mund të realizohet vetëm përballë publikut, ndryshe nga zhanret e tjera të muzikës.

“E ka tepër të vështirë, vetë arti operistik ka nevojë për teatër, që zëri të depërtojë te publiku. Nuk është njëlloj siç bëjnë këngëtarë të tjerë, me mikrofon. Kjo është e bukura e operas, që aftësitë e një solisti të dëgjohen nga publiku. Fakti që mungon kjo gjë, kthehet në një diçka tjetër që është shumë e bukur e re, por nuk është ajo që bëjmë ne. Ne kemi nevojë për kostumet, kemi nevojë për teatrin”, – tha ai.

Tenori Pirgu, përmendi dhe Shqipërinë, për të cilën tha, se ndjen mall të madhe dhe sapo të gjejë mundësinë, do të vijë menjëherë.

“Pothuajse, kam një vit e gjysmë që nuk kam ardhur në Shqipëri dhe më ka marrë tepër malli, nuk po e duroj dot më, këtë mbylljen e kufijve. Më ka kufizuar edhe marrëdhëniet me njerëzit tanë, të dashurit tanë.

Prisja me padurim, që të përurohej teatri i operistik i ri. Nuk e di, arsyet janë të shumta. Kur ka kaq shumë humbje njerëzish, është e vështirë të flasësh për art. Sapo të jetë e mundur, do të vij se më ka marrë malli tepër.

Në këtë intervistë, ai foli edhe për planet e së ardhmes, me shpresën që në fillim të vitit të ardhshëm, të vijojë me koncertet në Evropë.

“Unë do të vazhdoj me koncertet e tjera, që televizionet mund të bëjnë. Kam një në Napoli, kam edhe një tjetër në Zvicër… Pastaj, viti shpresoj të fillojë në Berlin. Të shpresoj që këto mbylljet e kufijve të na lejojnë, të bëjmë sadopak art”, – përfundoi, tenori i njohur.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit