Në SHBA, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i hapi sot rrugë kompanisë farmaceutike Pfizer në procesin e miratimit të vaksinës së saj për përdorim emergjent.
Agjencia publikoi dokumente që nuk ngrinin ndonjë çështje të re në lidhje me sigurinë ose efikasitetin e vaksinës.
Të dhënat mbi vaksinën të paraqitura nga ekspertët në këtë agjenci ishin në përputhje me udhëzimet për autorizimin e përdorimit emergjent, thanë zyrtarët e saj në dokumentet e lëshuara përpara një takimi që do të zhvillohet të enjten me ekspertë të jashtëm.
Ekspertët do të diskutojnë nëse vaksina, e krijuar në bashkupunim me kompaninë gjermane BioNTech SE, duhet të autorizohet për përdorim emergjent.
Zyrtarët e agjencisë thanë se vaksinimi me dy doza ishte shumë i efektshëm për parandalimin e rasteve të konfirmuara me COVID, të paktën shtatë ditë pas dozës së dytë.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha gjithashtu se aktualisht nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime në lidhje me sigurinë e vaksinës tek personat më të rinj se 16 vjeç, gratë shtatzëna dhe tek njerëzit, sistemi imunitar i të cilëve ishte tashmë i dëmtuar. Agjencia pritet të vendosë brenda pak ditëve ose javëve nëse do ta autorizojë vaksinën.