Kombëtarja shqiptare ka mësuar rivalët e grupit kualifikues të Botërorit 2022. Një grup i vështirë për kuqezinjtë, pasi shorti u ka rezervuar kundërshtarë shumë të fortë: Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë. Plotësojnë grupin Andorra dhe San Marino.
Pra, Shqipëria synon pikët maksimale me Andorrën dhe San Marinon, ndërsa synimet minimale janë për vendin e tretë. E vështirë shumë për të zënë vendin e dytë, ndërsa për të parin vetëm nëse kryhet një mrekulli.
Grup i vështirë edhe për Kosovën, që do të ketë Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Shqipëria është në një grup me 6 skuadra, ndërsa Kosova me 5 ekipe.
Ndonëse nga starti i edicionit të 22-të të kampionatit Botëror na ndan edhe shumë kohë, pasi starti i tij është programuar për në 21 nëntor 2022 (ndërsa finalja e tij do të luhet 18 dhjetor 2022), ekipet do të nisin fazën kualifikuese më 24 mars, teksa deri më 30 mars do të luhen 3 takimet e para në grup.
55 kombëtare europiane janë ndarë në 10 grupe, nga të cilat 5 grupe do të kenë në përbërje të tyre 5 skuadra, ndërsa 5 grupe të tjera do të kenë në përbërje 6 skuadra. Kualifikohen direkt skuadrat që zënë vendin e parë. Të dyta shkojnë në play-off.
GRUPI A: Portugali, Serbi. Irlandë, Luksemburg, Azerbajxhan
GRUPI B: Spanjë, Suedi, Greqi, Gjeorgji, Kosovë
GRUPI C: Itali, Zvicër, Irlandë e Veriut, Bullgari. Lituani
GRUPI D: Francë, Ukrainë, Finlandë, Bosnjë Hercegovinë, Kazakistan
GRUPI E: Belgjikë, Uells, Republika Çeke, Bjellorusi, Estoni
GRUPI F: Danimarkë, Austri, Skoci, Izrael, Ishujt Faroe, Moldavi
GRUPI G: Hollandë, Turqi, Norvegji, Mali i Zi, Letoni, Gjibraltar
GRUPI H: Kroaci, Sllovaki, Rusi, Slloveni, Qipro, Maltë
GRUPI I: Angli, Poloni, Hungari, SHQIPERI, Andorra, San Marino
GRUPI J: Gjermani, Rumani, Islandë, Maqedoni e Veriut, Armeni, Lihtenshtejn