MENU
klinika

Ja vendet skeptike

Shqipëria nuk bind për herë të 7-të BE për hapjen e negociatave!

09.12.2020 - 09:46

Pas mbledhjes online të ministrave për europën të vendeve të BE-së ditën e djeshme, tashmë nuk ka më shpresë që Shqipëria të marrë një dritë jeshile në samitin e ditës së enjte dhe të premte për çeljen e negociatave.

Po ashtu, edhe për Maqedoninë e Veriut. Kjo shënon herën e shtatë që Shqipëria refuzohet të nisë negociatat me BE-në për integrimin, qëkur vendi ynë është bërë vend me statusin kandidat. Në fakt, edhe këtë dhjetor shpresat nuk ishin të shumta, pasi situata u kuptua që në muajin tetor kur Parlamenti holandez pas një diskutimi të brendshëm, vendosi që nuk do të votonte pro nisjes së negociatave me Shqipërinë.

Përmes një postimi në “Twitter”, deputeti Pieter Omzigt shkroi në tetor se qëndrimi i Holandës është diktuar nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe vakancat në Gjykatën e Lartë.

“Sapo patëm një debat në Parlamentin holandez. Qeveria holandeze, ministri Blok, deklaroi qartë se Shqipëria nuk i përmbush parakushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Kjo do të thotë se ai nuk do të japë pëlqimin. Problemet e diskutuara përfshijnë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, ndjekjen penale të krimit në nivelet e larta dhe Reformën Zgjedhore, veçanërisht pjesën e dytë të njëanshme të asaj ‘reforme’”, u shpreh Pieter Omtzigt, reporter për Shqipërinë në Parlamentin holandez.

Përpos Holandës, vende skeptike ndaj Shqipërisë se nuk ka bërë përparime të duhura janë edhe Danimarka, Franca e Spanja. Por teksa Holanda e shprehu qartë se shkak për të mos dhënë votën pro çeljes së negociatave është mungesa e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe Reforma Zgjedhore e njëanshme, Kryeministri Rama në deklaratat publike është shprehur se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë por që vendet e BE-së përdorin çështjen e zgjerimit për politikën e tyre të brendshme.

MAQEDONIA E VERIUT

Ndryshe paraqitet situata për fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut. Për këtë vend gjasat ishin të mëdha që të enjten dhe të premten të caktohej data për mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare, por para pak ditësh Bullgaria vuri veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që Maqedonia të quajë gjuhën e sajë si një dialekt të Bullgarishtes. Pretendimet e Bullgarisë surprizuan edhe vetë vendet e BE-së, aq më tepër Gjermaninë, e cila kishte Presidencën e radhës dhe synonte një vendim pozitiv.

Kjo u bë e qartë edhe në deklaratën e djeshme të ministrit Gjerman për Europën, Roth.

“Çështja nuk është nëse ne do të hapim negociatat, por kur do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Dua të përcjell pak optimizëm, pasi ishte një shtet i vetëm që nuk ishte në gjendje të aprovonte kuadrin negociues, që duhet të aprovohet nga 27 shtetet anëtare dhe shtetit përkatës, që është Maqedonia e Veriut. Besoj që partnerët tanë në Shkup nuk do të dekurajohen. Ne nuk ia dolëm të merrnim një vendim këtë vit, por ne do të çojmë procesin politik përpara, dalim vitin tjetër sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka nevojë të kemi një plan B për negociatat e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut. Është thjesht çështje kur do të ndodhë. Ju e ndjeni zhgënjimin tim personal. Ministrit i Punëve të Jashtme dhe Kancelarja gjermane kanë qenë shumë të angazhuar për këtë proces. Por ne nuk arritëm suksesin që mendonim”, tha Michael Roth.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Dështimi i zgjerimit, do ketë pasoja”

Ministri gjerman për Evropën: Një gabim serioz politik