Në këtë kohë pandemie, është bërë e domosdoshme marrëdhënia dhe komunikimi sa më i ngushtë me mjekun e familjes për t’u konsultuar dhe marrë zgjidhje, jo vetëm për simptomat e Covid-19, por edhe sëmundje të tjera.
Për të lehtësuar komunikimin me mjekun e familjes, prej disa ditësh në e-Albania janë në dispozicion edhe dy shërbime të reja. Njëri prej tyre ka të bëjë me mundësinë që kush do të ndryshojë mjekun e tij të familjes, ta bëjë këtë veprim on-line pa qenë nevoja të shkojë në qendrën shëndetësore.
Këtë fakt e ka evidentuar në një postim në rrjetet sociale dhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
POSTIMI I PLOTE
Mjeku i familjes është çelësi për hyrjen në sistemin e kujdesit shëndetësor publik. Është edhe çelësi për të lëvizur nëpër hallkat e zinxhirit të këtij sistemi.
Në këtë kohë pandemie është evidente botërisht domosdoshmëria e një marrëdhënie sa më të ngushtë me të dhe e një komunikimi të vijueshëm me të.
Për të lehtësuar komunikimin me mjekun e familjes, prej disa ditësh në e-Albania janë disponibël edhe dy shërbime të reja.
Shërbimi i parë, i krijon kujtdo mundësinë të regjistrohet pranë mjekut të familjes nëse deri më sot nuk ka ende mjekun e vet të familjes.
Shërbimi i dytë, i mundëson kujtdo që don të ndryshojë mjekun e tij të familjes ta bëjë këtë veprim on-line pa qenë nevoja të shkojë në qendrën shëndetësore.