MENU
klinika

Vlerësojnë qeverinë për rindërtimin dhe menaxhimin e Covid

Sondazhet e para për zgjedhjet 2021: Shumica e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste

09.12.2020 - 19:26

Sondazhi i zhvilluar nga Report tv dhe instituti italian Piepoli ka nxjerrë Partinë Socialiste sërish shumicë në zgjedhjet e 25 prillit.

Nëse qytetarët do të shkonin të votonin sot 53- 59% e tyre do të votonin Partinë Socialiste që ka një rritje nga zgjedhjet e 2017 kur mori 48,24% të votave.

Një rritje që është paralele me rënien drastike që sipas sondazhi shënon LSI krahasuar me 2017: Sot partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi do të merrte vetëm 2-4% të votave, ndërsa 4 vite më parë ka marrë 14,28%.

Ajo që vihet re është se në Tiranë 60 % kanë vlerësuar PS dhe drejtuesin politik të qarkut. PS ka njohur rritje dhe zotëron ende shumicën, krahasuar me zgjedhjet 2017 ku sondazhet treguan se vetëm 48.23 % do votonin pro.

Sipas insititutit Piepoli opinioni publik shqiptar i kalon me nota pozitive veprimet e qeverisë Rama në luftën ndaj COVID-19 dhe për rindërtimin pas tërmetit.

Të pyetur se si e gjykojnë punën e qeverisë Rama në menaxhimin e Rindërtimit pas tërmetit, rreth 65 % e qytetarëve kanë vlerësuar këtë proces dhe vetëm 35 % e cilësuan të keq apo të dobët.

Kështu, 34% e tyre e kanë cilësuar të shkëlqyeshëm, 14 % të mirë dhe 17 % të mjaftueshëm, ndërsa 12 % e kanë cilësuar të keq dhe 23 % të dobët.

55% e qytetarëve kanë mendim pozitiv sa i takon mënyrës sesi Qeveria shqiptare menaxhoi pandeminë e COVID-19. Kështu,  39% e shqiptarëve mendojnë se Qeveria shqiptare e ka menaxhuar shkëlqyeshëm emergjencën e shkaktuar nga COVID. Mirë janë përgjigjur 16% ndërkohë që dobët dhe keq mendojnë respektivisht 16% dhe 15%.

Të pyetur mbi përhapjen e koronavirusit në Shqipëri, 61% e qytetarëve të pyetur mendojnë se është përgjegjësi e ulët nga vetë qytetarët. 34% e të anketuarve shprehen se faji nuk është i askujt sepse pandemia është globale, 31 % thonë se është faji i masave të pamjaftueshme nga ana e qeverisë. 11% e qytetarëve mendojnë se kjo vjen si pasojë e dobësisë së sistemit shëndetësor, 3 % thonë se opozita nuk bashkëpunoi për sensibilizim dhe 4% japin arsye të tjera.

1607460117_TABELA5KORONAVIRUSI.jpg

Në sondazh, jepen edhe vlerësimet për punën e Qeverisë Rama në disa fusha kryesore.

Shqiptarët kanë vlerësuar më shumë punën për Shëndetësinë, për të cilën 48% mendojnë se është punuar mirë ose shumë mirë.

Dialogu me opozitën u vlerësua nga 33% e shqiptarëve që thonë punë të mirë ose shumë të mirë e qeverisë.

Sondazhi ka analizuar edhe pëlqimin e lidershipit politik: Kryeministri Edi Rama kryeson me 49%. Pas tij vjen lidershipi i Lulzim Bashës që vlersohet në masën 23%. Sali Berisha ka vetem 7% e pëlqimit, shumë më pas se Lulzim Basha.

Në artikullin e publikuar shkruhet se Instituti Piepoli ka intervistuar 500 veta dhe se marzhi i gabimit është rreth 4%.

Ky sondazh nga instituti italian Piepoli në bashkëpunim me Report TV vjen pas parashikimeve të sakta të rezultateve të 3 proceseve zgjedhore të kaluara të 2013 të 2015 dhe 2017.