Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në Neës24, zhvillimet e fundit të aktualitetit në vend. Duke folur për ndryshimet më të fundit në qeveri, Lubonja deklaroi se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm pikërisht që të mos kemi çfarë të themi për të, pasi ai është një figurë e qetë.
Lubonja u ndal më tej te vizita e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Tiranë, dhe deklaratat e saj për minishengenin apo rezolutën për gjenocidin serb, duke thënë se ajo është më afër Vetëvendosjes.
“Theksimi i disa temave prej saj flet ndoshta për një brez të ri politikanësh, që janë më të drejtpërdrejtë. Qëndrimet e saj më duken më afër Vetëvendosjes. Është pozitive, më mirë kështu, se një vizitë koti, ku flasin për vëllazërinë e madhe dhe nuk flasin për problemet që kemi. Në gjitha ato që tha Osmani, roli i Shqipërisë ka qenë i rëndësishëm, si minishengeni, etj. Osmani e ka vënë dy herë në vështirësi Ramën, kur i kërkoi Parlamentit shqiptar të miratojë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Por, krimet serbe dihen, i ka gjykuar bota, por duhet të shohim krimet tona. Këta tanët duhet të përgjigjen për krimet që kanë bërë ndaj shqiptarëve. Për këtë kërkesë të Osmanit kam rezerva, se duket sikur vënë në dyshim Gjykatën Speciale”, u shpreh Lubonja.
Pse e ka bojkotuar Rama, Vjosa Osmanin?
Kuptohet që Osmani, duke qenë më afër Vetëvendosjes, qëndrimet e kësaj të fundit dihen, dhe duke qenë Rama shumë më afër Thacit, besoj se ka mbajtur këtë pozicion. Rama e ka treguar veten se është nga ata që mund të selektojë cdo politikan që mund t’i dalë përpara. Mund ta ketë bërë për ta injoruar pak, për të mos i dhënë rëndësi, për ta konsideruar si një presidente kalimtare, për të mos i dhënë peshën që ndoshta ajo kërkon apo meriton.
Ndryshimet në Qeveri…
Nuk kemi çfarë të themi, ndoshta ndaj është bërë kjo zgjedhje, që mos të kemi cfarë të themi. Problemi më i madh që kam unë me këtë qeveri është se këta e shohin veten si zero, që iu vihet më pas një 1. Janë krejtësisht të dyshimtë, si kjo vrasja e këtij polici. Edhe Lleshaj që jep dorëheqjen, nuk mban përgjegjësi. Kush e hodhi atë revolen atje, nga doli? Këtu flitet për një bandë kriminale, të kthesh policinë në një bandë kriminale. Meta do e dekretonte Çuçin, se nuk kishte arsye për të thënë jo. Si person Çuçi mund të jetë njeri i qetë, por problemi këtu është kryeministri. Të jesh normal këtu nuk do të thotë të jesh 0 që i shtohet 1.
Çfarë mesazhi ka dashur të japë Rama me Çuçin?
Që të mos thotë njeri gjë dhe që të ketë një njeri të sigurt aty, që nuk i prish punë.
Po për protestën…
Nuk ishte në stilin e opozitës, dyshoj të ketë gisht. Ne e dimë mirë si sillet policia, ka një kulturë sadomazokiste (nënshtrim ndaj atij që ke lart dhe dhunë ndaj atij që ke poshtë). Madje, polici ka marrë dhe shënjestër, është ulur në gjunjë, që ta vrasë vërtet atë të riun. Krimi kryesor është ai që vranë, jo dhuna e atyre të rinjve që u ngritën më pas.
Zgjedhja e Altin Binajt si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese…
Një Gjykatë Kushtetuese që duhet të dilte nga një reformë në drejtësi aq shumë e përshëndetur dhe reklamuar, që zgjidhet në mënyrë jo kushtetuese, është problem, është shejtani brenda. Ne kemi gjithë ato probleme që duhet të trajtojë Gjykata Kushtetuese, të mbartura, por edhe të reja.
Ky është një gjykatës kushtetues që pranon të zgjidhet në mënyrë jokushtetuese. Unë kam qenë gjithmonë kundër asaj reforme në drejtësi, që kur lexova projektin që kishte si qëllim kapjen e pushtetit. Të kërkosh në Shqipëri gjykatës të ndershëm, ndërkohë që ke gjithë politikanët të pandershëm e të korruptuar, është e pamundur, ndaj duhej qasje tjetër.