MENU
klinika

E ardhmja e punës

Të paktën robotët s’do të na zënë vendin…

19.12.2020 - 13:44

E ardhmja e punës? Lajmi i mirë është që robotët nuk do të na zënë vendin. Lajmi i keq është se nuk po bëjmë aq sa duhet, që kjo të mos ndodhë. Këto dy lajme janë pjesë e raportit “The Future of the Work”, fryt i një pune dyvjeçare i një task force me ekonomistë dhe teknologë të Massachusetts Institute of Technology, në Boston.

Misioni ishte i ndërlikuar dhe i rëndësishëm – gjetja e një përgjigje jo emocionale, e mbështetur te të dhënat, te pasojat e revolucionit industrial në progres, ai dixhital.

Në vitin 2013, një studim i Universitetit të Oksfordit arriti në përfundimin se thuajse gjysma e profesioneve rrezikohej nga automatizimi – praktikisht, të vetmet profesione të sigurta ishin prifti dhe dentisti. Pastaj u zbulua edhe se mesha e shenjtë dhe rrëfimi mund të bëheshin nëpërmjet internetit dhe në këtë pikë shumë nisën të ngrenë barrikadat. Kjo është e kuptueshme…

Raporti i MIT (92 faqe dhe me disa grafikë mjaft interesantë) thotë përfundimisht jo. Ata që flasin për një “fund të punës”, i pashmangshëm, thonë diçka që përgënjeshtrohet nga faktet: në 130 vitet e fundit, në Shtetet e Bashkuara, numri i njerëzve në punë është rritur gjithmonë; ai është rritur në kohën e mekanizimit, dhe tani, me automatizimin e robotëve dhe botës dixhitale.

Por nëse automatizimi i lejon një softueri të “kursejë punë”, si ndodh që puna të rritet? Ndoshta për shkak të faktorëve të ndryshëm që lidhen me produktivitetin dhe rritjen ekonomike, por ndoshta më i rëndësishmi është krijimi i vendeve të reja të punës, të ndryshme.

Pjesa më e madhe e punëve që bëjmë sot, në vitin 1940 aq që ekzistonin – sektori i kompjuterëve, energjive të rinovueshme, televizioni masiv, thjesht nuk ekzistonin dhe aq më pak profesionet e lidhura me to. Por nëse bilanci përfundimtar është pozitiv, tranzicioni duhet të menaxhohet: sepse ka sektorë të tërë ku vendet e punës kanë humbur – së pari bujqësia, pastaj fabrikat; dhe për shkak se automatizimi priret të polarizojë pagat. Kjo do të thotë se ata që kanë një diplomë ose një master në xhep, të cilët drejtojnë robotët, fitojnë më shumë; gjithë të tjerët, të cilët në vend të kësaj marrin urdhra nga një softuer, marrin më pak

Menaxhimi i këtij tranzicioni i takon politikës që ka dy detyra kryesore – të mbrojë punën ekzistuese, duke mos ndalur inovacionin dhe të angazhohet në përditësimin e aftësive për ata që kërkojnë apo kanë një punë. Por ky është lajmi i keq – e vërteta është se nuk po bëjmë mjaftueshëm./Monitor.al/