Kur, në mes të një lufte të rindezur mbi rajonin e Nago-Karabakut, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se Serbia po mendonte të blinte dronë të armatosur turq, ky ishte treguesi i fundit i rritjes së fuqisë së sektorit turk të mbrojtjes në Ballkan.
Dronët Bayraktar, të prodhuar nga një firmë në pronësi të Selcuk Bayraktar, dhëndri i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, janë produkt i një dekade investimesh të shtetit turk në industrinë e tij të brendshme të mbrojtjes, të ekspozuara në përfshirjen ushtarake të Ankarasë në Libi dhe Siri dhe në mbështetjen e saj për Azerbajxhanin në luftën e tij me Armeninë për Nago-Karabakun.
Në fillim të tetorit, me forcat azerbajxhanase dhe armene që përplaseshin dhunshëm për Nago-Karabakun që kur ky i fundit u shkëput nga Azerbajxhani në fillim të viteve 1990, Vuçiç u tha gazetarëve: “Ne po mendojmë të blejmë Bayraktarin turk dhe do të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje me prodhuesin turk.”
Kjo nuk do të ishte marrëveshja e parë e sektorit të mbrojtjes midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit, pasi Ankaraja ka vit që po shton ndikimin politik, financiar dhe kulturor në rajon.
“Turqia hyri në rajon me një qasje të fuqisë së butë”, tha Sencer Gozubenli, një ekspert për Turqinë në Universitetin Abo Akademi në Finlandë, duke përmendur restaurimin e xhamive të epokës osmane dhe monumenteve të tjera historike, si dhe donacionet kulturore dhe ato në fushën e arsimit.
“Megjithatë, vendimmarrësit turq e kuptuan që ndërtimi i një xhamie nuk përbën ndonjë ndikim real politik kur është e nevojshme. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe varësia e një vendi nga Turqia do të krijonte një mekanizëm të vërtetë.”
Adnan Huskic, një analist politik dhe i sigurisë në Shkollën e Shkencës dhe Teknologjisë në Sarajevë, tha se Turqia dëshiron të jetë një “autoritet rajonal”.
“Ankaraja po përpiqet të krijojë një themel të fortë në rajon me lidhjet e saj të sigurisë përveç lidhjeve ekonomike, politike dhe sociale.”
Industria e brendshme e mbrojtjes
Industria e mbrojtjes e Turqisë ka bërë hapa të mëdha gjatë dekadës së fundit, duke e kthyer vendin në një nga eksportuesit kryesorë të armëve në rajonin e Ballkanit dhe në botë, thonë ekspertët.
“Turqia tani mund të prodhojë një larmi të gjerë sistemesh armësh, të tilla si lloje të ndryshme anijesh, mjete ajrore pa pilot, UAV, automjete të blinduara, pushkë, si dhe helikopterë sulmues, municione të ndryshme, radarë dhe pajisje komunikimi”, tha Caglar Kurc, një ekspert i mbrojtjes në Universitetin Bilkent të Ankarasë.
Avionët luftarakë dhe transportuesit e avionëve janë gjithashtu në proces.
“Industritë turke të mbrojtjes janë shumë të integruara në rrjetet e prodhimit të kompanive amerikane dhe europiane”, tha Kurc, duke renditur Azerbajxhanin, Bahrejnin, Malajzinë, Omanin, Pakistanin, Katarin dhe Turkmenistanin si klientët kryesorë.
Vitin e kaluar, Turqia regjistroi një rritje prej 34.6 për qind të eksporteve ushtarake në 2.74 miliard dollarë. Vendi i ka vendosur vetes një objektiv prej 10 miliardë dollarësh deri në 2023, 100 vjetorin e themelimit të republikës moderne turke.
“Turqia po kërkon tregje të reja për produktet e saj dhe ka shanse të mëdha sepse Turqia nuk ngurron ta ndajë teknologjinë”, tha Gozubenli.
“Produktet turke, dronët e armatosur në veçanti, janë më të lirë, gjë që i bën ato të përballueshme për vendet më të vogla, përfshirë vendet e Ballkanit.”
Por, Gozubenli paralajmëroi: “Kompanitë turke të mbrojtjes me pjesën më të madhe të eksporteve të Turqisë janë në pronësi të anëtarëve të familjes Erdogan ose të biznesmenëve që janë shumë afër Erdoganit. Ne shohim se strategjia e mbrojtjes së Turqisë bazohet tek Erdogani dhe vendimet e tij personale në politikën e jashtme”, disa prej të cilave kanë zemëruar aleatët e Turqisë në NATO.
Trajnim dhe donacione
Bashkëpunimi i sektorit të mbrojtjes midis Turqisë dhe Ballkanit daton që para konfliktit të ringjallur për rajonin e Nago-Karabakut.
Në Shqipëri, ky bashkëpunim daton nga fundi i viteve 1990, me projekte ushtarake rindërtimi dhe, më e rëndësishmja, me trajnimin e oficerëve të ushtrisë shqiptare në akademitë ushtarake turke, tha Alban Dafa, një ekspert shqiptar i mbrojtjes në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.
“Turqia ka numrin më të lartë të oficerëve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit, krahasuar me oficerët e trajnuar në vendet e tjera të NATO-s si Italia, Greqia dhe SHBA-ja”, tha Dafa për BIRN.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gulhan Yilaz, atasheu ushtarak në ambasadën turke në Sarajevë, tha vitin e kaluar se rreth 3,900 anëtarë të forcave të armatosura të Bosnjës kishin kaluar nëpër programe të ndryshme arsimore në Turqi.
Arsimimi dhe mbështetja logjistike kanë qenë gjithashtu në themel të bashkëpunimit të Turqisë me Maqedoninë e Veriut që nga shpërbërja e Jugosllavisë federale tre dekada më parë. Turqia ishte vendi i parë që dërgoi një atashe ushtarak në Shkup pas pavarësisë në 1991, e para që nënshkroi një marrëveshje me shtetin e ri mbi bashkëpunimin ushtarak dhe e para që priti oficerët maqedonas për trajnim. Turqia ishte gjithashtu ndër vendet e para që ofroi ndihmë ushtarake dhe donacione dhe mbetet një donator i madh i pajisjeve ushtarake.
Akademia Ushtarake e Turqisë ka trajnuar gjithashtu rreth 140 anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nën një marrëveshje të arritur në dhjetor 2009, më pak se dy vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia.
Turqia ka qenë gjithashtu e përfshirë në mënyrë aktive në NATO dhe misione të tjera paqeruajtëse në rajon, duke vendosur 1,000 trupa në Kosovë nën flamurin e NATO-s në 1999. Aktualisht rreth 350 janë në vend si pjesë e forcës paqësore të udhëhequr nga NATO, KFOR.
Ambicie të reja
Dekada e kaluar ka parë që bashkëpunimi të zgjerohet me marrëveshje armësh dhe donacione edhe më të mëdha.
“Turqia ka ambicie të reja në Ballkan për të përmirësuar bashkëpunimin e saj të mbrojtjes përmes donacioneve dhe marrëveshjeve të reja”, tha Gozubenli. “Ankaraja dëshiron të shesë armë të reja dhe të nënshkruajë disa marrëveshje me vendet në rajon për të krijuar një varësi nga produktet e saj.”
Sipas raporteve të mediave, Turqia dhe Kosova kanë një marrëveshje për trajnimin falas të 10 pilotëve të Kosovës në Turqi, ndërsa Ankaraja dhuroi 11 milionë euro në 2013 dhe 14 milionë të tjera në 2014 për blerjen e helikopterëve ushtarakë. Në vitin 2014, vendi dhuroi 20 automjete të blinduara të reja Otokar Cobra në Kosovë.
Bosnja ka marrë gjithashtu donacione të konsiderueshme – katër milion euro në 2018, sipas ministrisë turke të mbrojtjes, kryesisht në formën e arsimit dhe pajisjeve ushtarake.
Mali i Zi, i cili u bashkua me NATO-n në 2017, nënshkroi një marrëveshje vitin pasues për të blerë 2,700 uniforma ushtarake të prodhuara nga Turqia.
“Së shpejti, më shumë oficerë ushtarakë malazezë do të arsimohen në Turqi, kështu që kur ata të hyjnë në shërbim aktiv doktrina ushtarake turke do të jetë më e fortë në radhët e ushtrisë malazeze”, tha Sinisa Lukovic, një gazetar në gazetën e përditshme malazeze Vijesti.
“Në mënyrë indirekte, ajo do të forcojë afeksionin e oficerëve të ardhshëm malazezë për mentalitetin dhe sistemin e vlerave të trashëguara nga ushtria aktuale turke.”
Erdogan gjithashtu nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë gjatë një vizite në Beograd vitin e kaluar, duke lënë pas krahëve vite të tëra marrëdhënie ndonjëherë të vështira midis të dyve. Megjithëse detajet mbeten të fshehta, marrëveshja pasqyron partneritetin personal “të fortë” midis Vuçiçit dhe Erdoganit, tha Vuk Vuksanoviç, një ekspert i politikës së jashtme dhe një kandidat për doktoraturë në Shkollën e Ekonomisë në Londër.
“Me partneritetin e tyre është thjesht një çështje kohe kur ata të dy të fillojnë të mendojnë për bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve”, tha për BIRN Vuksanoviç. “Kriza ekonomike që pasoi pandeminë është gjithashtu një motiv i fuqishëm që Beogradi dhe Ankaraja të rrisin bashkëpunimin ushtarak.”
Pavarësisht nga detajet e marrëveshjes, ata që janë më afërt me Vuçiçin dhe Erdoganin është pothuajse e sigurt që do të përfitojnë, tha ai.
“Duke marrë parasysh natyrën e industrisë së mbrojtjes në Serbi dhe Turqi, këto do të jenë kompanitë me bekimin politik të Vuçiçit dhe Erdoganit”, tha ai. Gjithsesi, lidhja e interesit midis elitave politike dhe të sigurisë të të dy vendeve do të forcohet, nëse ndodhin projekte të reja në atë zonë”.
Gozubenli pranoi dhe tha se me donacione bujare dhe marrëveshje mbrojtjeje, “Erdogani dëshiron të krijojë një varësi nga produktet turke në rajon, por gjithashtu dëshiron të mbështesë kompanitë e afërta me të”.
Në përputhje me NATO-n
Huskic, në Sarajevë, tha se Turqia, ndryshe nga Rusia, kishte avantazhin e të qenit një anëtare e NATO-s, që do të thotë se blerjet e armëve turke nga vendet e Ballkanit “nuk janë një problem për NATO-n sepse armët turke janë në përputhje me NATO-n.”
Besa Kabashi-Ramaj, një eksperte sigurie dhe ish-zyrtare e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ra dakord:
“Duke marrë parasysh që Turqia është një aleat ushtarak i SHBA-së, kurdo që është e mundur dhe kur pajisjet e nevojshme nuk mund të merren nga SHBA-ja, preferohet Turqia”, tha Kabashi-Ramaj për BIRN. “Do të shqetësohesha vetëm nëse donacionet e dukshme nga Turqia nuk janë në përputhje me nevojat e Kosovës, gjë që nuk e shoh të ndodhë.”
Huskic tha se Turqia “po e vendos veten si një aktor i rëndësishëm në rajon me një diplomaci me shumë shtresa”.
“Pas blerjes së armëve turke, do të vijnë mirëmbajtja e tyre, municionet, shërbimi dhe trajnimi. Ky është një ndikim pozitiv për Turqinë”, tha ai.
Gozubenli, megjithatë, tha se kishte rreziqe, duke përmendur vendimin e Uashingtonit për të përjashtuar Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 gjatë blerjes në vitin 2017 të sistemit të mbrojtjes ajrore ruse S-400, si dhe lajmërimet nga disa vende perëndimore se ata nuk do t’i shisnim më Turqisë produkte mbrojtëse për operacionet e saj ushtarake në Siri dhe Libi dhe për mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë për Azerbajxhanin në Nago-Karabak.
Po kështu, shitja në një vend në Ballkan rrezikon të shqetësojë një tjetër, tha ai.
“Do të ishte shumë e vështirë t’u shpjegonim myslimanëve të Ballkanit – të cilët e shohin Turqinë si një aleat të natyrshëm – si dhe pse Turqia i shet armë të teknologjisë së lartë, siç janë dronët, Turqisë”, tha Gozubenli për BIRN. “Duket se Turqia nuk e llogariti shumë mirë këtë strategji. Gjithashtu, sanksionet e mundshme ndaj Turqisë mund të dëmtojnë linjën e prodhimit të produkteve turke të mbrojtjes pasi disa pjesë ende blihen nga vendet perëndimore.” /Birn/