MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 6

Vllaznia rimerr kreun, paqe në Korçë

05.12.2020 - 15:56

Kanë përfunduar 2 nga 4 ndeshjet e ditës së sotme të Kategorisë Superiore. Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Bylisit dhe ka marrë sërish vendin e parë të Superiores. Një triumf i ardhur në momentin e duhur për shkodranët pas barazimit kundër Teutës dhe humbjes ndaj Kukësit.

Ky ishte momenti që skuadra e Brdariç të tregonte se ndryshonte nga sezonet e shkuara, për të bërë detyrën e saj dhe për t’u afruar me objektivat madhorë që i qëndrojnë përshtat fanellës që ka aq shumë histori në futbollin tonë.

Ndeshjen kundër Bylisit e ka zgjidhur Eni Imami pas një ekzekutimi të saktë me kokë, për të festuar golin e parë me stafin e Vllaznisë. Një gol që mjafton për të përshëndetur kryesuesit, teksa shkodranët qëndrojnë në vendin e parë.

Ndeshja Skënderbeu-Laci përfundi 1-1. Për nga mënyra si shkoi ndeshja në Korçë, Laçi edhe mund të mbetet i kënaqur me një pikë ndaj Skënderbeut. Një sfidë ku dukej sikur nuk do të zhbllokohej, mendoi mesfushori i bardhekuqve Mara në fraksionin e dytë për ta bërë më të bukur.

Futbollisti nga distanca me një goditje të kalibruar shtangu portierin Sherri dhe kaloi të tijtë në avantazh. Kur mendohej se korçarët do t’i gëzoheshin fitores së parë shtëpiake, Harmon për Laçin riktheu baraspeshën duke u treguar shumë i saktë në zonë, ndërkohë që shënohej minuta e 93’.

Koha e mbetur nuk premtonte për asnjërën nga skuadrat dhe kështu sfida u mbyll pa fitues. Pas kësaj ndeshje, kurbinasit kanë shtatë pikë, ndërsa Skënderbeu është në kuotën e pesë pikëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria e Parë, Java 6

Derbi pa fitues, Partizani mban kreun