Në parkun e Amantias, në qytetin e Vlorës, arkelogët zbuluan së fundmi, dy varre të lashta.
Kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi, tha se nga vlerësimi paraprak, varret duhet t’i përkasin shekullit III-II para Krishtit, duke na dhënë për herë të parë një informacion të rëndësishëm për vendbanimin e kësaj periudhe.
Gjithashtu, nga gërmimi u zbulua dhe dokumentua një inventar i pasur objektesh arkeologjike, kryesisht enë qeramike.
“Këto zbulime konfirmojnë një datim të parkut arkeologjik të Amantias. Do të veçoja dhe zbulimin në gërmimin e shpëtimit që u krye në varrin tjetër, pjesë e akropolit, që ndodhej mbi portën me hark të qytetit ilir të Amantias. Nga vlerësimet paraprake, mendojmë se ky varr i përket periudhës otomane, pasi përveç enëve qeramike të gjetura, u gjendën edhe disa monedha të ndryshme brenda varreve antike.
Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera, brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar.
Objektet e gjetura do të ruhen, ndodhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale, do të studiohen restaurohen dhe më pas, do të gjendet vendi ku do të ekspozohen”, – tha Feimi.