MENU
klinika

Greqia kërkoi certifikata vaksinimi para pushimeve verore...

A do të jetë e detyrueshme vaksina anti-Covid?

18.01.2021 - 20:39

Bashkimi Evropian kërkon të zbusë shqetësimet në rritje të qytetarëve pas zërave që vaksinimi anti-Covid do të jetë i detyrueshëm, duke theksuar edhe një herë se marrja e vaksinës do të jetë vullnetare. 

Bashkimi Evropian ka reaguar sot pas debatit që ka nisur lidhur me mundësinë e përdorimit të certifikatave të vaksinimit në udhëtimet me destinacion 27 vendet e bllokut, raporton “AP”.

Komisioni Evropian thotë se e ka marrë në konsideratë propozimin grek për të lëshuar certifikata vaksinimi. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë vendimmarrje që i bën të detyrueshme vaksinat anti-Covid.

Mësohet se krerët e shteteve dhe qeverive të BE do ta diskutojnë propozimin në një Samit që do të mbahet të enjten.

Nënkryetari i KE Maros Sefcoviç këmbëngul se vaksinimi do të jetë vullnetar.

Ai vuri në dukje gjithashtu se disa njerëz nuk mund të marrin injeksionin për arsye shëndetësore, ndërsa mund të ketë të tjera që thjesht do të kundërshtojnë.

“Po marrim të gjitha masat paraprake që të mos krijojmë një terren për trajtim të diferencuar të njerëzve, apo kufizim të të drejtave të tyre”, tha ai.

Sefcoviç tha se për momentin përparësi është mbledhja e të dhënave në lidhje me sëmundjen dhe trajtimin e saj, në mënyrë që ekspertët shëndetësore të mund të krahasojnë mënyrën e mutimit të virusit, si po funksionojnë vaksinat, dhe nëse standardet e testit janë harmonizuar si duhet në të 27 vendet e BE-së.

“Të sigurohemi që të dhënat të mblidhen në mënyrë elektronike, në përputhje me të gjitha rregullat e privatësisë dhe të bëhen në platforma ndërvepruese”, tha ai.

Vaksinimet kanë nisur në të 27-ta vendet e BE-së por është e paqartë se cila pjesë e popullsisë do të vaksinohet në kohë për pushimet verore.