Ministret Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi, kanë zhvilluar një dëgjesë me Komitetin Teknik të Ekspertëve për mësimin në universitete.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se deri tani ka qenë parësor shëndeti, prandaj nuk është parë e arsyeshme hapja e auditorëve të universiteteve për studentët.
Kujtojmë se kohët e fundit, studentët firmosën dhe dërguan edhe një peticion në Ministrinë e Arsimit, ku kërkonin hapjen e universiteteve.
“Ky takim ishte i nevojshëm për shkak të krijimit të mundësisë që të shpjegojmë më mirë situatën aktuale, por edhe për t’u dhënë përgjigje institucionet e larta, por sidomos studentëve. E kuptoj shumë mirë situatën e çdo studenti, çdo pedagogu, unë i mirëkuptoj shqetësimet e tyre, që nuk janë të imponuara nga vullneti i askujt, por janë të imponuara nga kjo situatë e pandemisë. Para tre ditësh unë zhvillova një takim me rektorët e universiteteve për të njohur nga afër problematikat e tyre.
Do të kërkoja mirëkuptimin dhe solidaritetin në këtë situatë, padyshim që shëndeti është parësor. Jemi shumë të ndërgjegjshëm se pesha e sugjerimeve tuaja janë ato që duhet të na çojnë çdo ditë në vendimin për hapjen, apo mos hapjen e auditorëve”,- tha Kushi.
Nga ana tjetër, Rakacolli u shpreh se Komiteti Teknik i Ekspertëve, mendon se mësimi online duhet të vazhdojë, pasi një praktikë e tillë po ndiqet edhe në vendet e tjera të botës.
“Krahas orës policore dhe ndërprerjen e fluturime me Britaninë, menduam që edhe mësimi në universitet të vijojë online. Qëndrimi në konvikte e shton rrezikun e infeksionit dhe mund të shndërrohen në vatra.
Tirana ka numrin më të lartë të rasteve dhe shumica e universiteteve janë të përqendruara në Tiranë, ardhja e studentëve dhe shkuarja në shtëpi bën që të shpërndahet infeksioni edhe në ato qytete që e kemi në kontroll situatën.
Pas diskutimeve të shumta, vendosëm që në të mirë ta vazhdojmë edhe pak këtë, pasi është në të mirë të shëndetit të vetë studentëve dhe të shëndetit publik. Nuk është vendim i marrë vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës”,- tha Rakacolli.