MENU
klinika

Nga Shaban Murati

A duhet të shqetësohet Shqipëria për serbizimin e Malit të Zi?

26.01.2021 - 15:23

ABC e gjeopolitikës mëson që një interes parësor i qeverisë dhe i diplomacisë duhet të jetë për lëvizjet apo ndryshimet gjeopolitike në shtetet fqinj me Shqipërinë, të cilat mund të kenë efekte të padëshiruara për ne. Në këtë kuadër qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë procesit gjeopolitik në zhvillim e sipër të serbizimit të shtetit fqinj të Malit të Zi pas ardhjes në fuqi të qeverisë së re proserbe në 4 dhjetor 2020.

Zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 në Mal të Zi ishin një inxhinjering politiko-elektoral i shërbimit sekret serb dhe i kishës ortodokse serbe, të ndihmuara edhe nga shërbimi sekret rus. Ata kishin katër vjet që punonin hapur të përmbysnin hartën politike në Mal të Zi, qysh kur ndërmorën përpjekjen për grusht shteti në tetorin e vitit 2016 për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO. Rusia dhe Serbia pësuan një humbje gjeopolitike me anëtarësimin e Malit të Zi në Nato, por Perëndimi, BE dhe NATO pësuan një humbje gjeopolitike me ardhjen në fuqi në Podgoricë të koalicionit proserb dhe prorus pas zgjedhjeve të gushtit 2020.

Menjëherë pas ardhjes në fuqi qeveria e re e Zdravko Krivokapiçit ndërmori me shpejtësi aktin e zhvleftësimit të ligjit për liritë fetare, i cili ishte miratuar nga parlamenti i mëparshëm i Mali të Zi në fund të dhjetorit të vitit 2019. Në 29 dhjetorë 2020 me nxitjen e Serbisë qeveria paraqiti në parlamentin, ku ka shumicën e ngushtë, amendamentet e reja, që ndryshojnë qëllimin dhe përmbajtjen e ligjit për liritë fetare. Siç shkruante në 30 dhjetor “jurist.org”: “qeveria amendoi ligjin antiserb për liritë fetare”. Ligji për liritë fetare i miratuar nga parlamenti i mëparshëm i Malit të Zi në fund të dhjetorit 2019 kishte rëndësi të madhe kombëtare dhe strategjike për shtetin malazez në dy drejtime. Së pari, ai sanksiononte kthimin e pronave dhe objekteve të kultit të grabitura kishës ortodokse malazeze dhe popullit malazez nga kisha ortodokse serbe kur Serbia në vitin 1918 me dhunë pushtoi Malin e Zi dhe e aneksoi atë, duke i zhdukur pavarësinë, shtetin dhe kishën kombëtare malazeze, e cila e kishte autoqefalinë përpara kishës ortodokse serbe. Ligji për liritë fetare i miratuar nga parlamenti i mëparshëm me të drejtë juridike dhe historike kërkonte që komunitetet fetare të paraqesin dokumenta pronësie për objektet e kultit dhe pronat, për të provuar se janë pronarë para vitit 1918 të pushtimit të Malit të Zi nga Serbia. Por kisha ortodokse serbe si kishë pushtuese nuk disponon asnjë dokument pronësie të saj të para vitit 1918. Ajo i grabiti ato pas pushtimit serb dhe prandaj e kundërshtoi me forcë ligjin për liritë fetare. Ligji dobësonte pushtetin e kishës ortodokse serbe dhe të shtetit serb në Mal të Zi, prandaj e kundërshtoi me forcë qeveria e Serbisë, me të cilën u bashkua edhe Rusia.

Së dyti, amendimi i ri proserb i ligjit për liritë fetare i ndërmarrë nga qeveria e re Zdravko Krivokapiçit, rikthen narrativën historike të pushtuesit serb sikur aneksimi i dhunshëm nga Serbia në vitin 1918 ka qenë “çlirim” i Malit të Zi. Këtë lloj narrative zyrtare serbe e proklamonte hapur nëpër territorin malazez ish ambasadori i Serbisë në Malin e Zi, të cilin me të drejtë qeveria e mëparshme e Malit të Zi e dëboi nga vendi në muajin nëntor 2020. Tani me amendimet e ligjit nga qeveria e re kjo narrativë e pushtuesit rikthehet dhe kisha ortodokse serbe do të vazhdojë të shfrytëzojë dhe të mos kthejë pronat që ka grabitur në vitin 1918 pas pushtimit të Malit të Zi nga Serbia. Ky lloj orientimi i qeverisë së re të Malit të Zi drejt shuarjes së identitetit kombëtar dhe të shtetësisë së tij në favor të asimilimit serb është shprehur fare hapur nga kryeministri i tanishëm Krivokapiç, i cili në tetor 2020 pas fitores elektorale ka deklaruar se “Mali i Zi dhe Serbia janë dy shtete serbe”.

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç në 2 janar 2021 e ktheu mbrapsht ligjin e amenduar për liritë fetare, por me raportin e forcave politike dhe parlamentare të krijuar tani në Mal të Zi nga Serbia, duket e pamundur për presidentin dhe forcat indipendentiste malazeze që ta bllokojnë. Dhjetra mijra vetë organizuan një protestë të madhe para parlamentit të Malit të Zi në 28 dhjetor 2020 me devizën “Këtu nuk është Serbi”, për të shprehur kundërshtimin popullor për amendimet proserbe të ligjit për liritë fetare nga qeveria e re.

Zhvleftësimi i ligjit për liritë fetare të miratuar nga parlamenti i mëparshëm dhe shndërrimi i tij nga një ligj promalazez në një ligj proserb, përbën një fitore të kishës pushtuese ortodokse serbe dhe të Serbisë mbi forcat politike dhe popullin malazez, të cilët janë për mbrojtjen e shtetësisë dhe të identitetit kombëtar. Qeveria e re e Krivokapiçit, që erdhi si produkt i intrigave bizantine të kishës ortodokse serbe, po shndërrohet në një gjenerator të zgjerimit të pushtetit dhe të influencës së kishës serbe në institucionet qeveritare dhe shtetërore malazeze. Në Malin e Zi është ngritur një valë proteste publike për fenomenin e ri që kisha ortodokse serbe po i dikton qeverisë përbërjen e stafeve të saj në institucionet qeveritare. Në mediat malazeze është ngritur shqetësimi se me pushtetin që po merr, kisha ortodokse serbe mund ta shndërrojë Malin e Zi në një shtet teokratik.

Kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po korr frutin e veprimtarisë së saj të gjatë diversioniste për përmbysjen elektorale që ndodhi në 30 gusht dhe për kthimin e timonit të shtetit malazez drejt Serbisë. Peshkopi i kishës ortodokse serbe të Budves, Joanikije, që mendohet se do të zëvendësojë peshkopin fashist antishqiptar Amfilohije në krye të asaj kishe, deklaroi në 6 janar se kleri ortodoks kontribuoi në fitoren e zgjedhjeve.

Pesha e re shtetërore dhe politike, që po fiton kisha ortodokse serbe në qeverisjen e Malit të Zi, pritet të ketë efekte negative në drejtim të shteteve fqinj. Në këtë klimë duhen pritur acarime të reja politike dhe diplomatike me shtetet fqinjë nga kisha ortodokse serbe si ideologji qeverisje në shtetin malazez. Vija antishqiptare e kreut të mëparshëm të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi pritet të nxisë qeverinë e re proserbe në rivendikime politike e territoriale, të cilat i pat shprehur hapur në Shkodër peshkopi Amfilohije.

Efektet negative të serbizimit të qeverisë së re të Zdravko Krivokapiçit në drejtim të shteteve fqinj, i paralajmëron akti skandaloz i kryeministrit të Malit të Zi, i cili në datën 9 janar i shprehu urimet e tij zyrtare presidentes së të ashtuquajturës “serpska republika” me rastin e ditës së krijimit të kësaj pjelle të gjenocidit serb kundër boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnje-Hercegovinë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një kryeministër i Malit të Zi të bënte këtë akt, ndaj Krivokapiç u përpoq ta mbante të fshehur. Por presidentja e “serpska republikës”, e entuziasmuar nga ky proserbizëm ekstrem i kryeministrit malazez, e falenderoi atë publikisht për urimet. Akti i kryeministrit Krivokapiç ishte një fyerje ndaj shtetit të fqinjë të Bosnjë-Hercegovinës dhe një cënim i integritetit të tij shtetëror. Kryeministri i Malit të Zi e din se Gjykata Kushtetuese e Bosnje- Hercegovinës e ka shpallur antikushtetues vendimin e “serpska republikës” për të celebruar 9 janarin si datë të themelimit të të ashtuquajturës “serpska republika”. Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese e kanë mbështetur edhe BE dhe organizmat perëndimore, duke e cilësuar si provokim festimin pjellës së gjenocidit serb. Në Sarajevë e dënuan aktin e kryeministrit malazez të dy anëtarët boshnjak dhe kroat të presidencës së përbashkët të shtetit si dhe gjitha forcat politike të federatës kroato-boshnjake. Anëtari kroat i presidencës së përbashkët, Zhelko Komsiç, e dënoi ashpër aktin e kryeministrit të Malit të Zi dhe deklaroi se “mungesa e respektit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë- Hercegovinës është mungesë respekti për shtetin e Bosnje-Hercegovinës”. Provokimi i kryeministrit malazez ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe faktorit perëndimor me urimet për “serpska republikën” shpreh njëshmërinë e tij me ideologjinë radikale serbe, sepse vetëm Serbia ishte shteti që dërgoi ministrin e saj të jashtëm në 9 janar në Banja Luka për të celebruar ditën e krijimit të entitetit gjenocidial serb.

Procesi i serbizimit të Malit të Zi mund të ketë një efekt negativ për arritjen e madhe të gjeopolitikës shqiptare dhe kombëtare që ishte shpallja e pavarësisë së shtetit të Malit të Zi. Për herë të parë në 100 vjet Shqipëria nuk kishte më në kufi armikun historik Serbinë dhe forcat e saj policore dhe ushtarake. Në kushtet e reja të kësaj qeverie proserbe, e orientuar drejt shuarjes së pavarësisë reale të shtetit, mund të ndodhin deformime institucionale dhe strategjike, që mund të bëjnë realitet forma të pranisë ushtarake serbe në territorin malazez. Jo rastësisht qeveria e re ka planifikuar anulimin e programit të qeverisë së mëparshme për ngritjen e një qendre të stërvitjes ushtarake në dispozicion edhe të NATO-s në malësinë e Sinjajevinës.

Natyrisht qeveria e re proserbe e Krivokapiçit, në mos rrezikoftë kokën sa të kërkojë daljen e vendit nga NATO, mund ta ndërmarrë veprime që ta neutralizojnë këtë anëtarësim. Ndaj duhet parashikuar një perspektivë e kalimit të Malit të Zi nga një politikë miqësore ndaj shteteve fqinjë anëtarë të NATO-s si Kroacia dhe Shqipëria, në një politikë jomiqësore ndaj tyre. Në Shqipëri është harruar dhe institucionet e zbatimit të ligjit nuk u morën me informacionin zyrtar malazez se në përpjekjen e grushtit të shtetit në Podgoricë në vitin 2016 grupe paramilitarësh do të vinin nga Shqipëria.

Është për të ardhur keq që Shqipëria zyrtare nuk është ndërgjegjësuar sa duhet për kërcënimin që paraqet procesi i serbizimit të Malit të Zi. Ajo duket ka rënë pre e retorikës boshe të grupeve levantine dhe filoserbe në Tiranë, të cilët shprehën eufori të madhe për fitoren e “demokracisë” së kishës ortodokse serbe në zgjedhjet e Malit të Zi. Në Shqipëri ende nuk është kuptuar sa duhet as nga politikanët dhe as nga mediat se për Shqipërinë nuk ka vlerë kujdesi për nivelin demokratik të organizimit social dhe politik të shtetit fqinj, gjë që i takon popullit të atij shteti. Për Shqipërinë ka rëndësi kursi që ai shtet do të ndjekë ndaj vendit tonë dhe ndaj çeshtjes shqiptare. Meraket idiote rurale për nivelet e demokracisë në Mal të Zi, në Hungari apo në Turqi, janë reminishenca të kohës së perënduar të internacionalizmit proletar, kur shqiptarët vuanin për botën dhe nuk shihnin vuajten e tyre.

Në marrëdhëniet midis shteteve nuk ka vlerë shqetësimi etiko-sociale për shtetin tjetër, por qëndrimi dhe marrëdhëniet miqësore ose jo, që shteti tjetër mban ndaj shtetit dhe kombit tënd./ Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN