MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A është gati trupi im për një shtatzëni?

14.01.2021 - 11:34

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja:A është gati trupi im për një shtatzëni?

Mjeku:  Para se të mbeteni shtatzënë, lini një takim me mjekun tuaj obstetër-gjinekolog, mjekun e familjes, infermieren, maminë ose me ndonjë mjek tjetër, i cili do t’ju udhëzojë përgjatë shtatzënisë. Falë kësaj vizite, ju dhe ai do të keni mundësi të identifikoni rreziqet e mundshme të shtatzënisë, si dhe të gjeni mënyrat e duhura për t’i pakësuar sa më shumë ato. Mundohuni ta bindni partnerin që t’ju shoqërojë në vizitën mjekësore para se të mbeteni shtatzënë. Një vend shumë të rëndësishëm zë edhe shëndeti dhe mënyra e tij e jetesës, përfshirë historikun shëndetësor familjar, faktorët e rrezikut lidhur me infeksionet apo defektet në lindje, sepse secili nga këta, mund të ketë ndikim te ju dhe foshnja. Mjeku do të kryejë një ekzaminim të plotë fizik, ku përfshihet edhe kontrolli i legenit dhe matja e tensionit. Gjatë kësaj vizite, mund të diskutoni disa nga temat e mëposhtme:

Kontraceptivët: nëse keni përdorur tableta për parandalimin e shtatzënisë, mjeku do t’ju rekomandojë t’i ndërprisni ato para se të përpiqeni të mbeteni shtatzënë. Kjo do të bëjë të mundur që sistemi riprodhues t’i nënshtrohet disa cikleve të zakonshme. Për pasojë, do të jetë më e lehtë të përcaktohet se kur ka ndodhur ovulimi dhe cila është data e përafërt që mund të mbeteni shtatzënë. Ndërkohë që do të ndërprisni marrjen e tabletave, mund të përdorni prezervativë ose ndonjë mënyrë tjetër parandaluese. Dy javë pasi të keni hequr dorë nga përdorimi i kontraceptivëve, fertiliteti juaj do të kthehet në normalitet. Në rast se për një kohë të gjatë keni përdorur metodat parandaluese si injeksionet (Depo-Provera), mund të provoni të mbeteni shtatzënë menjëherë pasi të hiqni dorë nga këto metoda. Gjithsesi, duhet të keni parasysh se duhet të kalojnë disa muaj, para se fertiliteti të kthehet në normalitet.

Imunizimi: infeksione si lija e dhenve (varicela), fruthi gjerman (rubeola) dhe hepatiti B, mund të jenë të rrezikshme për foshnjën që nuk ka ardhur ende në jetë. Në rastet kur përpjekjet për imunizim nuk janë të plota ose kur nuk jeni të sigurta nëse jeni imune ndaj infeksioneve të ndryshme, mund të bëni një ose disa vaksina, të paktën një muaj para se të provoni të mbeteni shtatzënë.

Sëmundjet kronike: në rast se vuani nga ndonjë sëmundje kronike, si: diabeti, astma apo tensioni i lartë, e mira është që para se të mbeteni shtatzënë, të siguroheni se sëmundja është nën kontroll. Në disa raste, mjeku mund t’ju këshillojë t’i përshtatni mjekimet apo trajtimet e tjera para shtatzënisë. Madje, ju mund të diskutoni me të edhe për ndonjë trajtim të veçantë, për të cilin mund të keni nevojë gjatë shtatzënisë.

Mjekimet dhe suplementet: vëreni në dijeni mjekun për të gjitha mjekimet, barërat mjekësore apo suplementet që jeni duke përdorur. Ai ose ajo mund t’ju rekomandojë të ndryshoni dozën apo edhe t’i ndërprisni mjekimet para se të mbeteni shtatzënë. Ky është çasti i duhur që të filloni të merrni multivitaminat e nevojshme. Pse kaq herët? Gjatë muajit të parë të shtatzënisë, kur ndoshta nuk e keni marrë vesh ende se keni mbetur shtatzënë, fillon të zhvillohet tubi nervor i fetusit, nga i cili krijohen truri dhe palca kurrizore. Përdorimi i vitaminave para se të mbeteni shtatzënë, ndihmon në parandalimin e anomalive në tubin nervor, të cilat mund të shkaktojnë sëmundjen e spina bifidas, ose çrregullime të tjera në shtyllën kurrizore apo në tru.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme: infeksionet që mbarten në rrugë seksuale, mund të rrisin rreziqet e infertilitetit, shtatzënisë ektopike, ku veza e fekonduar ngjitet jashtë mitrës, në gypin e Fallopit, dhe të ndërlikimeve të tjera gjatë shtatzënisë. Në këto raste, mjeku mund t’ju rekomandojë që para se të mbeteni shtatzënë, t’i nënshtroheni një ekzaminimi të plotë dhe të merrni mjekimin e duhur.

Historiku shëndetësor familjar: në familje dhe popuj të ndryshëm mund të trashëgohen sëmundje të caktuara ose defekte në lindje. Nëse në historikun tuaj familjar, apo atë të partnerit, ekziston një çrregullim gjenetik, mjeku mund t’ju rekomandojë t’i drejtoheni një mjeku të gjenetikës, që të kryeni kontrollet e duhura para se të mbeteni shtatzënë (shikoni kapitullin 20).

Shtatzënitë e mëparshme: mjeku mund t’ju pyesë për shtatzënitë e mëparshme, nëse keni pasur. Përmendini të gjitha ndërlikimet që mund të keni pasur, si: tensioni i lartë, diabeti, lindja e parakohshme apo defekte në lindje. Në qoftë se gjatë shtatzënisë së parë keni pasur defekt në tubin nervor, mjeku mund t’ju rekomandojë një dozë më të lartë të acidit folik, krahasuar me dozën që përmbajnë pjesa më e madhe e paketimeve të multivitaminave për gratë shtatzëna. Ju rekomandojmë që të diskutoni me mjekun, të gjitha shqetësimet apo frikat për një shtatzëni të dytë. Ai ose ajo do t’ju ndihmojë të gjeni mënyrat më të mira për të pasur një shtatzëni të shëndetshme.

Mënyra e jetesës: gjatë shtatzënisë është shumë e rëndësishme të keni një mënyrë sa më të shëndetshme jetese. Mjeku do t’ju vërë në dijeni për rëndësinë që ka konsumimi i ushqimeve të shëndetshme, ushtrimet fizike dhe reduktimi i stresit. Mirushqyerja dhe ushtrimet fizike krijojnë kushtet ideale trupore për të sjellë në jetë një foshnjë të Nëse ju pëlqejnë ushqimet e konservuara, ju rekomandojmë që para se të mbeteni shtatzënë, të hiqni dorë prej tyre dhe t’i zëvendësoni me fruta, perime dhe drithëra të shëndetshme. Nëse ju e quani aktivitet fizik një shëtitje të shkurtër nga makina deri në vendin e punës, ju rekomandojmë të shëtisni sa më shumë, të bëni xhiro me biçikletë, ose të regjistroheni në ndonjë kurs aerobie apo joge. Kjo do ta ndihmojë trupin të përgatitet për periudhën e shtatzënisë. Nëse jeni nën apo mbi peshë, mjeku mund t’ju rekomandojë t’i zgjidhni problemet me peshën para se të mbeteni shtatzënë. Teksa përgatiteni për të mbetur shtatzënë, rëndësi tepër të veçantë ka edhe mospërdorimi i alkoolit, drogave të paligjshme dhe ekspozimi ndaj substancave toksike. Në rast se pini duhan, pyesni mjekun për mënyrat që mund t’ju ndihmojnë të hiqni dorë prej tij.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.