Shkronjësi i parë i shqipes, Gjon Buzuku, biri i Bdekë Buzukut nga krahina e Krajës, në vend të latinishtes “primogenitus” (i parë + lindur”) e sajoi kalkun në shqip si “i parilenë”./Konica.al
Pra, nji shqiptar para 467 vjete ka pas përfytyrim ma të bukur për “arbënishten” sesa çdo student a gazetar i sotëm për shqipen.
Ai nuk kishte pararendës as edhe nji libër tjetër në “arbënisht” e sot ne kemi nji “Aleksandri” shkrimore.
Kushdo koftë Camaj dhe e kaluemja e tij e frikshme, ai të paktën e vazhdoi nji traditë shqipëzuese të tekstologjisë shqipe. Te tregimi “Pishtarët e natës” (në përmbledhjen “Shkundullima”, Romë, 1981, f. 7,35), Camaj e ripërdor, me pak ndryshime, fjalën “i parilemë”.
***
Autori i parë i njohur deri më sot, në letërsinë shqipe, Gjon Buzuku, ishte famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit.
Libri i plotë ka pasur 110 fletë (220 faqe), por, ashtu siç na ka arritur sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera përmes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj.
Libri duket se i përket rrymës protestante, pasi ka qenë në listën e librave të ndaluar nga kisha katolike e Romës. Pra, përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare.
Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore dhe Perëndimore. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Ishte koha kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t’u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizje që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo ishte në kundërshtim me urdhrat e Vatikanit.
Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për të penguar islamizmib e popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare. Ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës që besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare: U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom (që të jetë dëgjuar) n së Shkruomit shenjtë, n së dashunit se botësë sanë desha me u fëdigune për sa mujta me ditune, me zdritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që të ndiglojinë.