MENU
klinika

"S'do jepet me koncesion"

Balluku: Autostrada Tiranë-Durrës pa pagesë

01.01.2021 - 10:06

Teksa një sërë rrugësh janë dhënë me koncesion dhe janë kthyer me pagesë por duke iu ofruar qytetarëve edhe rrugë alternative, autostrada Tiranë-Durrës nuk do të ketë këtë fat.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se kjo rrugë nuk do të zgjerohet pasi do të humbas trafikun e krijuar pas ndërtimit të korridorit Blu.

“Ne nuk kemi një projekt për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës pasi të gjitha studimet tregojnë se në momentin e  ndërtimit të segmentit Milot-Fier, apo më saktë të ndërtimit të korridorit Blu nga Muriqani në Kakavijë autostrada Tiranë-Durrës do të humbë sasinë e trafikut që ka pasi do të ketë vetëm një destinacion, pra nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, pra nuk do të ketë më rëndësinë nacionale që sot ka. Deri në momentin kur i gjithë trafiku shkonte nga Durrësi sigurisht autostrada kishte super ngarkesë, dhe i gjithë trafiku nga veriu në jug kalonte përmes një dalje jo natyrale nga rrjedha sepse rrjedha kërkon që të dalësh poshtë dhe jo të dalësh në perëndim të ultësirës perëndimore dhe shkonte në Durrës për të aksesuar jugun. Me hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan ne pamë që një pjesë e mirë e trafikut shkoi në Elbasan. Imagjinoni kur të kemi një autostradë të mirëfilltë shpejtësie e cila do të nis nga Muriqani dhe do të jetë një hinkë e pastër e të gjitha daljeve të autostradave që ne kemi, të rrugës së Kombit dhe të gjitha të tjerat, për të mbledhur këtë trafik për ta çuar në jug ose anasjelltas nga jugu në veri. Kush është funksioni i Tiranë-Durrësit?Asnjë funksion tjetër përveçse një rrugë lidhëse përmes së cilës lidhen dy qytete shumë të rëndësishme pra portit tonë ndërkombëtar të Durrësit dhe kryeqendrës dhe ne mendojmë që sasia e korosive ashtu edhe drejtimi i saj janë të mjaftueshëm për atë lloj rrugë, mjafton që të kemi mirëmbajtje të vazhdueshme”, sqaroi ministrja Balluku.

Ideja që kjo rrugë do të zgjerohej u dha nga ministri i kohës i infrastrukturës Damian Gjiknuri, i cili pati thënë në fund të vitit 2018 se autostrada do ti jepej një privati.

Më pas pasardhësja e tij Belinda Balluku në maj të vitit 2019 u shpreh se në shtator 2019 do të shpallej gara pasi po punohej për këtë projekt.

‘Ne po punojmë mbi këtë projekt dhe mendojmë që në vjeshtën e këtij viti projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente midis investitorëve për të qenë fituesi i radhës ai që do të zgjidhet nga gara. Më pas të fillojmë punimet, pra jo që në shtator të këtij viti do të fillojë kalimi me pagesë në Tiranë-Durrës”, pati deklaruar ministrja në një deklaratë për mediat.

Ky koncesion u parashikua edhe në buxhetin e vitit 2019, ku në relacion thuhej se për këtë projekt ishin parashikuar 49 miliardë lekë ose rreth 385 milion euro.