Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe presidenti amerikan Joe Biden, janë zotuar më 23 janar për thellim të lidhjeve në mes të dyja shteteve dhe të bashkëpunojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike.
Në bisedën e tyre të parë telefonike, prej kur Biden ka marrë pozitën e presidentit, Johnson ka përgëzuar Bidenin, është thënë në një deklaratë nga zyra e kryeministrisë britanike.
Aty është thënë edhe se të dy liderët kanë gatishmëri për “të thelluar aleancën e ngushtë në mes të kombeve tona”.
Kjo thirrje telefonike ka ardhur një ditë pasi Biden ka folur me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, njëherësh liderin e parë të huaj prej inaugurimit më 20 janar.
Ai më vonë ka folur edhe me presidentin e Meksikës, Andrés Manuel López Obrador.
“Më vjen shumë mirë që fola me presidentin Joe Biden”, ka thënë Johnson në Twitter.
Liderët është thënë të kenë diskutuar edhe ndonjë marrëveshje potenciale për tregti të lirë në mes të Britanisë dhe SHBA-së.
Johnson “ka theksuar qëllimin e tij për të zgjidhur çështjet tregtare ekzistenciale sa më shpejt që është e mundur”, është përmendur në deklaratë.
Mbretëria e Bashkuar ka rikthyer kontrollin e politikave për tregti kombëtare këtë muaj, pas përfundimit të periudhës tranzitore të Brexitit, mirëpo një marrëveshje e re tregtare në mes të aleatëve është prioritet më i madh për Johnsonin sesa për Bidenin.
Johnson mes tjerash ka mirëpritur vendimin e Bidenit për të rikthyer SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Kryeministri britanik ka pëlqyer edhe përkushtimin e Bidenit për të arritur në emetime zero deri më 2050.