MENU
klinika

Serie A, Java 16

Bie Inter, Roma forca e tretë

06.01.2021 - 17:01

Inter mposhtet pas 8 fitoreve radhazi ne kampionat, pikërisht atëherë kur mund të përfitonin më shumë se kurrë. Zikaltrit u mundën në transfertë 2-1 nga Sampdoria. Inter mban vendin e dytë, por humbin terren për kreun.

Ekipi i drejtuar nga Antonio Conte ka shansin e artë të shënojë dhe ta nisë në avantazh ndeshjen, por penalltia e dhuruar për prekje me dorë brenda zonës së Sampdorias, shpërdorohet nga Sanchez, të cilin e hipnotizon portieri Audero nga pika e bardhë.

Më pas topi i kthyer goditet nga Young por prek shtyllën dhe kthehet. Më pas ndizet ekipi dorian, që godet shtyllën me Toneli dhe më pas, me penallti gjen golin me Candreva (prekje me dorë nga Barella). Ekipi i Ranierit dyfishon më pas me Keita Balde pas një aksioni të bukur.

Në pjesën e dytë, Conte hedh në fushë edhe Lukakun dhe të gjithë baterinë e rëndë, përfshirë Eriksen (jashtë projektit), duke shkurtuar diferencën në 1-2 me golin e De Vrij në goditje nga këndi.

Disa raste të njëpasnjëshme me Lukakun, Lautaron dhe Perisic, por pas 95 minutash, barazimi nuk vjen, ashtu si edhe mundësia që mund të kishte për të kapur vendin e parë.

Roma konfirmohet forca e tretë, duke fituar 3-1 në transfertë me Crotonen. Ndërsa Lazio fiton 2-1 në shtëpi me Fiorentinën.  Në mbrëmje superndeshja Milan-Juventus.