MENU
klinika

Sondazhi në 6 vendet e rajonit: Rotacioni politik nuk është garanci për...

Birn: Shqiptarët e kanë humbur besimin tek institucioni i zgjedhjeve

29.01.2021 - 15:27

Duke komentuar të dhënat e përftuara nga sondazhi i fundit i Fondit Europian për Ballkanin, të cilat sugjerojnë se një e pjesë e madhe e qytetarëve të rajonit e kanë humbur besimin tek zgjedhjet ose janë të lëkundur, Florian Bieber, profesor dhe drejtues i Qëndrës për Studimet e Europës Juglindore në Universitetin e Grazit, në Austri theksoi se rotacioni politik në vende si Shqipëria nuk është garanci për zhbërjen e kapies së shtetit.

“Shqipëria vazhdon të mbetet një shembull ku fenomeni i kapjes së shtetit nuk ka ndryshuar, pavarësisht ndryshimit të qeverive,” u shpreh Bieber gjatë prezantimit të një analizë nga Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Europë, BiEPAG.

“Me kalimin e kohës, çdo forcë në mazhorance bëhet më autoritare dhe këto regjime që vazhdojnë në kohë i ndihmojnë tendencat autoritare,” shtoi ai.

Sipas një sondazhi të opinionit publik të realizuar në tetor në të gjashtë vendet e rajoni të realizuar nga IPSOS Marketing për llogari të Fondit Europian për Ballkanin, vetëm 37.9 % e të anketuarve në Shqipëri besojnë se qeveria mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve, 29.8 % janë të lëkundur dhe përgjigjen ‘mbase’.

Ky sondazh është realizuar në rang kombëtar në secilin shtet. Në Shqipëri sondazhi u krye në një raport 90:10, nëpërmjet instrumenteve si telefonata dhe formularët online.

Nga vendet e rajonit, më optimistët se qeveria mund të ndryshohet nëpërmjet zgjedhjeve ishin malazezët, ku 80 % e të anketuarave janë përgjigjur ‘po’ pyejtes së sondazhit, të ndjekur nga kosovarët me 56 %, Maqedonia e Veriut me 45.7%, Bosnje dhe Hercegovina me 43.2 % dhe Serbia me 43.1 %.

Optimizmi i malazezëve mund të shpjegohet me faktin se sondazhi është realizuar pas fitores së opozitës pas tre dekadash në zgjedhjet parlamentare 30 gushtit, të cilat i dhanë fundit sundimit 30-vjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve të udhëhequr nga Presidenti Milo Gjukanoviç.

“Në rajon kemi pasur një prapambetje të përgjithshme të demokracisë,” u shpreh Vuja Ilic, Këshillues i Politikave dhe Kërkimeve pranë CRTA, organizatë që monitoron proceset zgjedhore në Serbi.

“Kapja e shtetit vazhdon të jetë konstante,” shtoi ai.

Në një notë më pozitive, Donika Emini, drejtuese e Platformës ‘Civikos’ në Kosovë, theksoi se në shtetin më të ri të Europës ka tashmë një masë kritike e cila beson tek procesi zgjedhor dhe fuqizimi i qytetarëve për të sjellë ndryshim me anë të kutisë së votimit.

“Në Kosovë një element pozitiv është dhe rritja e masës kritike, e nxitur kryesisht dhe prej opozitës,” theksoi Emini.

Megjithatë, ajo shtoi se mungesa e liderëve të zgjedhur në detyrat e larta shtetërore përbënte një problem për vendin.

“Për momentin ne nuk kemi as president e as kryeministër, vetëm president dhe kryeministër në detyrë,” nënvizoi Emini.

“Ndryshimet mund të ndodhin, por kërkojnë një angazhim multifrontial, gjë që në Kosovë nuk ndodh,” përfundoi ajo.