MENU
klinika

Themeluese e shtëpisë më të famshme të modës

Chanel, gruaja që bëri revolucion në botën e modës

09.01.2021 - 11:43

Pesëdhjetë vjet nga vdekja e saj në Paris, më 10 janar 1971, bota kujton Coco Chanel, gruan që revolucionarizoi botën e modës.

E lindur Gabrielle Bonheur Chanel, ajo urrente xhinglat e tepërta, krinolinën dhe thuprat e korseve.

Pseudonimi Coco ishte një nofkë që i mbeti pas periudhës së shkurtër si këngëtare, në moshë shumë të re, kur interpretoi këngën “Qui qu’a vu Coco?” (Kush e ka parë Kokonë).

Të braktisura nga babai i tyre, pas vdekjes së nënës, në një shkollë me konvikt të murgeshave, ajo dhe motrat e saj mësuan artin e qepjes.

Në vitin 1909, e inkurajuar nga Boy Capel, një sipërmarrës nga Newcastle dhe e vetmja dashuri e vërtetë e jetës së saj, Gabrielle hapi dyqanin e parë me kapele në Paris, gurthemeli i suksesit të saj të pandalshëm, që u vendos në rrugën “Cambon” dhe u bë Shtëpia e Modës më e famshme në botë.

Chanel  i dha fund epokës së kapeleve të kushtueshme, të mbuluara me pendë, të quajtura Pompadour, duke prezantuar kapele kashte të zbukuruara me lule të thjeshta sateni ose një pupël të vetme.

Megjithatë, prerja, qepja, thjeshtimi i veshjeve, veprimtaria e pafund e rrobaqepëses në veprim, me cigaren gjithmonë të ndezur ndër gishta, ishte pasioni i saj i vërtetë.

Dëshira e saj e vetme ishte të krijonte “veshjen e përsosur”, atë që do të revolucionarizonte historinë e kostumit të grave në fillim të shekullit XX.

Tani, 50 vjet pas vdekjes së Coco, një libër tjetër kremton historinë e saj, “Motrat Chanel”, i kushtuar tri motrave Julia-Berthe, Gabrielle dhe Antoinette, të cilat së bashku i dhanë jetë shtëpisë më të famshme të modës franceze.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN