MENU
klinika

Bilanci i kontrolleve të Policisë Rrugore të Lezhës

Cilat janë shkeljet që janë konstatuar gjatë janarit?

30.01.2021 - 11:00

Policia e Lezhës ka bërë bilancin e shkeljeve që janë kryer gjatë muajit janar nga drejtuesit e mjeteve.

Nga kontrollet me radar, drager dhe dron, janë arrestuar 20 drejtues mjetesh, 11 prej të cilëve ishin në gjendje të dehur ndërsa 9 të tjerë drejtonin pa leje.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve janë tërhequr 193 leje drejtimi dhe janë vendosur 2460 masa administrative, 687 për tejkalim shpejtësie, 663 për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme dhe 1110 për shkelje të tjera të ndryshme të Kodit Rrugor”, njofton policia.

Ndërkohë, është ndaluar një person, të cilit i ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Ndër të tjera, është bërë bllokimi i një mjeti që ishte shpallur në kërkim, pasi kishte masën e sekuestros preventive.

Policia ka bllokuar edhe 3 automjete që qarkullonin me targa të automjeteve të tjera.

Njoftimi i plotë

Policia Rrugore e Lezhës vijon kontrollet me radar, drager dhe dron, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjatë muajit janar janë arrestuar 20 drejtues mjetesh: 11 për drejtim mjeti në gjendje të dehur (deri në masën 1.20 mg/l) dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. 

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë tërhequr 193 leje drejtimi dhe janë vendosur 2460 masa administrative, 687 për tejkalim shpejtësie, 663 për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme dhe 1110 për shkelje të tjera të ndryshme të Kodit Rrugor.

Po gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar për verifikim në Komisariatet e Policisë Kurbin dhe Lezhë, 17 shtetas.

Krahas punës së pandërprerë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim E. L., banues në Laç, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

-Është bërë bllokimi i një mjeti që ishte shpallur në kërkim, pasi kishte masën e sekuestros preventive. -Është ndaluar një motoçikletë me përdorues shtetasin A. P., pasi ishte e shpallur në kërkim  nga DVP Lezhë. Janë bllokuar 3 automjete që qarkullonin me targa të automjeteve të tjera. Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, 3 drejtues mjetesh, për kundërshtim të punonjësit të Policisë.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia Rrugore e DVP Lezhë është e vendosur për të ndëshkuar cilindo shkelës të Kodit Rrugor, i cili duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor kthehet në burim aksidenti për veten e tij dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.