MENU
klinika

Mesazhet

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës, politika shqiptare kujton viktimat e Holokaustit

27.01.2021 - 11:24

Sot në mbarë botën shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmit.

Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.

Politika shqiptare e ka kujtuar sot këtë Ditë dhe disa prej liderëve të saj kanë shkruar mesazhet e tyre në përkujtim të viktimave të Holokaustit. Ndër ta, janë Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Parlamentit Ruçi, kryedemokrati Lulzim Basha dhe të tjerë.

Mesazhet:

1- Ilir Meta

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore.

Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës.

Ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA!

I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit.

2- Gramoz Ruçi

Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti. Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit.

Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqsie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin.

3- Lulzim Basha

Sot në #Holokaustremembranceday kujtojmë dhe nderojmë viktimat e holokaustit dhe gjithë brezat e humbur prej tij. Qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative edhe sot kur fatkeqësisht fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare.

4- Olta Xhaçka

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës.

Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve!