MENU
klinika

Nga Carlo Bollino/ "Ndrangheta"

E vërteta mbi katër mafiozët italianë mitomanë që rindezin fabrikën e baltës në Shqipëri

24.01.2021 - 17:17

Prej tre ditësh, polemika politike në Shqipëri ka lënë në harresë çështjen e vaksinave anti-Covid dhe është përqendruar në një hetim italian të antimafias të kryer në Kalabri që çoi në arrestimin e 47 italianëve dhe të një shqiptari të vetëm, i cili u akuzua për krime të vogla . Kjo tashmë do të ishte e mjaftueshme për të demonstruar peshën që ka çështja “Albania” brenda hetimit italian. Por politikës, siç e dimë, i pëlqen të ndjekë perceptimet më shumë sesa faktet konkrete dhe më pak se kurrë provat. Nëse konsiderojmë se jemi edhe në fushatën elektorale, ne gjithashtu kuptojmë manipulimin që po bën propaganda me disa fjalë të përfshira në dosje.

Për 40 vjet si gazetar kam lexuar dosjet e prokurorëve italianë, dhe për këtë arsye jo vetëm falë njohjes së gjuhës, besoj se di të interpretoj të vërtetat e provuara dhe ato të vërteta vetëm të nënkuptuara që dalin nga një përgjim, ashtu siç di të dalloj një dialog midis mafiozëve të vërtetë nga dialogu midis mashtruesve ordinerë. Dhe kështu vendosa ta lexoj vetë dosjen famëkeqe kalabreze, por jo vetëm 422 faqet e urdhrit të arrestit të nënshkruar nga gjykatësi Alfredo Ferrraro, por edhe raportin e 1560 faqe nënshkruar nga prokurori Nicola Gratteri i cili për nga natyra e tij është shumë më i ashpër në akuzë sesa në një vendim gjykate.

Për të çmontuar të gjitha teoritë e konspiracionit mbi biznesin që kjo bandë arriti të bënte në Shqipëri, mjafton të lexosh se çfarë shkruan prokurori antimafia Gratteri në faqen 651: “Në Mars 2018, u morën prova, sipas të cilave përpjekja e biznesit në Shqipëri përfundoi me mosmarrëveshje dhe borxhe ekonomike (…) Dhe në fakt GALLO Antonio, kishte kërkuar shitjen e aksioneve të kompanisë shqiptare në favor të subjekteve të tij të besuara shqiptare. Arsyeja e kësaj mosmarrëveshjeje lidhej me kontrastet midis BRUTTO Tommaso dhe D’ALESSANDRO Ercole për investime në Shqipëri, rezultati i së cilës rëndonte te GALLO Antonio, i cili duhej të përballonte të gjitha shpenzimet e bëra deri në atë moment. ”

Në praktikë, pas më shumë se një viti udhëtimi në Tiranë dhe bisedimeve me njëri-tjetrin për investime imagjinare që do të bëhen në Shqipëri, sipas të njëjtit prokuror italian që hetoi bandën, ato dështuan totalisht dhe i vetmi “investim” i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës, për të cilin prapë ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018 investimi “strategjik” i Ndraghetas në Shqipëri “Gallo Albania” sipas bilanceve të publikuara në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja. Ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje.

Kjo do të thotë që kur biseduan me njëri-tjetrin për mundësi fitimi dhe fitime milierdere, të gjithë gënjyen, sepse të gjithë mburreshin se kishin marrëdhënie dhe kontakte për të kryer afera me presidentin, ministra, bashkinë e Tiranës dhe me institucione të tjera që në të vërtetë nuk i kishin. Media opozitare paraqet si mafiozë italianë miliarderë këta njerëz që ndërkohë (sipas përgjimeve) përplasen me njëri-tjetrin se një nga shokët e tyre kishte fjetur në një hotel “tepër të shtrenjtë në Tiranë” dhe planifikonin sjelljen e një Fiat “Panda” të përdorur në Shqipëri si aset të tyre.

Ka mijëra sipërmarrës, biznesmenë dhe mashtrues që në bisedat e tyre private çdo ditë mburren me marrëdhënie të rëndësishme që në realitet janë thjesht një blof. Por a mund të bëhet kjo temë e një debati politik në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, siç po ndodh prej ditësh? Me mediat dhe analistët shqiptarë edhe njëherë të angazhuar për të komentuar boshllëkun absolut?

Protagonistët e këtij hetimi italian janë një seri personazhesh deri diku periferikë në botën kriminale dhe mafioze të Kalabrisë. Krimet e kryera në Itali dhe lidhje e tyre me 4 eksponentet te Ndranghetas megithate kanë pak rëndësi këtu, por në Shqipëri nuk rezultojne nga ky hetim se kanë bërë absolutisht asgjë nga ato për të cilat flasin, të gjitha bisedime të përgjuara nga prokurori italian antimafia. Pika e kontaktit midis kësaj bande dhe Shqipërisë nuk është një mafioz por një ish nenoficer i Guardia di Finanza, Ercole D’Alessandro, i cili mburret se ka kontakte në shumë sektorë strategjikë dhe politikë në Shqipëri. Në fund të përgjimeve, sidoqoftë, duket se kontakti i vetëm konkret në Shqipëri është me Ilir Kullën, gazetar dhe këshilltar i Ilir Metës, nga i cili pretendon se ka marrë një telefonatë (në mars 2018) për të organizuar një takim me prokurorin antimafia italian Cafiero De Raho. Kjo eshte e gjitha. A është e besueshme që një mik i bosëve të mafias ka kaq shumë intimitet me prokurorin antimafia Cafiero De Raho? Dhe nëse do të ishte e vërtetë, a nuk do të kishte shpërthyer një skandal në Romë edhe para Tiranës, ndërsa në Itali askush nuk i ka dhënë asaj deri më tani ndonjë rëndësi, pikërisht sepse është e qartë se është një blof?

Kjo telefonatë e pretenduar, e cituar në pergjime por pa prova të mëtejshme, është një nga gjërat më “konkrete” në marrëdhëniet midis bandës dhe zyrtarëve shqiptarë të përmendur në dosjen italiane. Këta mashtrues flasin me njëri-tjetrin për presidentin e republikës Ilir Meta (është gjithmonë Ercole D’Alessandro që pretendon të jetë në gjendje ta paraqesë atë në bandë, gjë që nuk është e dukshme nga letrat që ai kurrë nuk bëri në të vërtetë); ata flasin për “kryetarin e sapozgjedhur të Tiranës” (në 2017 !!) dhe përmendin një darkë që D’Alessandro gjithashtu dëshiron të organizojë për 12 korrik 2017 së bashku me një grup sipërmarrësish të tjerë italianë. Por atë mbrëmje Erjon Velija (duke supozuar se ata i referohen me të vërtetë pasi që as nuk e përmendin atë) ishte në TKOB për të marrë pjesë në “Opera me xhinse”, dhe për këtë arsye nuk mund të darkonte me askënd. Por edhe sikur të kishte qenë ajo darkë, çfarë do të thoshte kur, sipas vetë D’Alessandro, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme Italiane do të duhej të merrte pjesë gjithashtu? A ju ndodh të flisni për biznese të pista në darkat zyrtare?!

Në dhjetëra përgjime në të cilat këto ditë kryesisht gazetarë dhe politikanë të opozitës po ndërtojnë kështjellat e tyre të zakonshme me rërë, këta mafioze mitomanë italianë flasin vetëm për takime që do të donin të bënin dhe politikanë që do të donin të njihnin. Asnjëherë për takime qe janë zhvilluar me të vërtetë dhe asnjëherë për biznese që janë bërë me të vërtetë. Ishte libri i tyre i ëndrrave. Dhe pastaj për orë të tëra ata flasin me entuziazëm për klishetë e zakonshme për shqiptarët, aq të dashur edhe për propagandën e opozitës: “atje ka korrupsion të madh …. ne mund të fitonim disa tendera…. ne mund të financojmë 3 kulla por duhte të marrim hua nga bankat… politikane atie marrin ryshfet prej 20% … Socialistët duan të hyjnë në Evropë me cdo kusht dhe nëse ata hyjnë në Evropë edhe ne duhet të jemi atje… ne duhet të gjejmë kontakte të rëndësishme … “etj. etj. Mes te tjerash ata mendojnë t’i kerkojnë ndihme eurodeputetit të djathtë italian Lorenzo Cesa ‘’me kontakte politike qe ka në Tirane”, apo politikani Pier Ferdinando Casini (mik njohur i disa eskponenteve te PD-së shqiptarë) , i cili duket se ka premtuar që “kur të doni ne Tiranë i kemi dyert e hapura”.

Një lumë fjalësh dhe ëndrrash, që siç e pranojnë vetë prokurorët italianë, përfundoi në asgjë.

Por askush nuk flet për këtë përfundim të të njëjtëve prokurorë që nënshkruan dosjen dhe të cilët në fakt nuk kërkuan ndonjë hetim shtesë në Shqipëri. Për propaganda politike është e mjaftueshme për të ngritur tym, madje duke thirrur të ndërhyjë edhe Spak! Ne fakt Spak është më mirë nëse përqendrohet në skandalet e vërteta me të cilat është mbushur vendi, në vend që të shkojë pas fantazmave të gjeneruara nga imagjinata e 4 italianëve mitomanë. Dhe opozita, nëse vërtet dëshiron të jetë e besueshme, do të bënte më mirë të kërkonte dhe të thoshte të vërtetën dhe të mos vazhdonte të ngjitej në pasqyrat e shpifjes siç ka bërë për tetë vjet, sepse pikërisht për këtë arsye rrezikon të humbasë prape edhe zgjedhjet e ardhshme.(Shqiptarja.com)