Nga Michael Bociurkiw, CNN
Imazhi global i SHBA-së u dëmtua rëndë nga sulmi tronditës i turmës pro-Trump ndaj Capitol Hill më 6 janar. Tani, shumë analistë po pyesin nëse Amerika mund të rifitojë sërish autoritetin e nevojshëm moral për të udhëhequr demokracitë e botës, apo ato të reja.
Nga Pekini në Karakas dhe Moskë, qeveritë, mediat e kontrolluara nga shteti dhe komentuesit në internet reaguan me gëzim dhe ironi, duke e akuzuar Uashingtonin për hipokrizi dhe standarde të dyfishta. “Shtetet e Bashkuara, humbën të gjitha të drejtat për të ndjekur rrugën demokratike, si dhe të drejtën për t’ia imponuar atë vendeve të tjera”- tha një moderator në kanalin shtetëror të lajmeve Russia 24.
Dhe në Pekin, Hua Chunying, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, citoi komentet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në vitin 2019 në mbështetje të protestave pro-demokracisë. “Shpresoj që ai të hapë sytë dhe do të shohë se si njerëzit në Hong Kong dhe pjesën tjetër të Kinës po bëjnë jetë të përsosur dhe të lumtur”-tha Hua.
Imazhet e turmave që sulmojnë institucionet qeveritare, apo përpjekjet e grushtit të shtetit janë të njohura për njerëzit që jetojnë në shtetet e qeverisura nga diktatorët dhe autokratët. Por sigurisht që askush në botë nuk është mësuar të shohë imazhe të tilla të vijnë direkt nga kryeqyteti i vendit që është garanti kryesor botëror i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe të drejtave të njeriut.
Në fakt, fuqitë bindëse të Amerikës ishin në rënie edhe para zgjedhjes së presidentit Donald Trump. Ish-presidentin Barack Obama, lejoi që udhëheqësit autoritarë si Bashar Al-Assad në Siri që përdori armë kimike mbi civilët e pafajshëm, dhe Vladimir Putin i Rusisë që pushtoi Krimenë, të kapërcenin vijat e kuqe, të deklaruara ose të nënkuptuara, vetëm me vendosjen e disa sanksioneve ekonomike, që sot janë ekuivalenti diplomatik i një shuplake në kyçin e dorës.
Por ato dështime në politikën e jashtme janë një hiç,krahasuar me dëmin e shkaktuar nga Trump gjatë 4 viteve që i paraprinë dhunës së 6 janarit. Manjati i pasurive të patundshme, u është drejtuar shpesh aleatëve me tonin e një bosi mafioz të zemëruar, dhe ka vlerësuar ose bërë një sy qorr ndaj veprimeve të mbrapshta të armiqve tanë.
Administrata Trump, ka sulmuar në mënyrë të përsëritur sistemin shumëpalësh të bazuar në rregulla, me justifikimin se Amerika është dëmtuar nga rregullat e padrejta dhe nga mbajtja e një barre jo-proporcionale. Në përputhje me këtë ndjenjë, Amerika e Trump është tërhequr nga Marrëveshja e Parisit mbi klimën, Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNESCO dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, ku SHBA kishte një rol kryesor.
Kështu,pas 4 viteve të presidencës Trump, SHBA është e dobësuar në çdo front, padyshim për kënaqësinë e të gjithë kundërshtarëve të saj, dhe për zhgënjimin e të gjithë aleatëve të saj. Dhe dhuna e 6 janarit, i shtoi një pikë çuditëse mesazhit të epokës Trump për botën:SHBA nuk jeton më me vlerat që ka predikuar për dekada me radhë.
Pasi të marrë detyrën presidenti i zgjedhur Joe Biden mund të anulojë politikat e dëmshme të jashtme të Trump. Dhe një nga testet tij të para mund të jetë Ukraina. Vendi i madh evropian prej 44.3 milion banorësh, u përdor në një luftë të brendshme politike në SHBA, që ishte mishërim i teprimeve anti-demokratike të epokës Trump.
Ajo mbetet një vend i rëndësishëm në një rajon të rëndësishëm për SHBA-në. Që kur Trump u fajësua nga Kongresi për përpjekjen e tij për të joshur Ukrainën të çelte një hetim penal që do të njolloste reputacionin e Biden, rivalit të tij të brendshëm politik, Kievi ka qenë në krizë.
Pas gati 2 vitesh qëkur presidenti Volodymyr Zelensky u zgjodh me një fitore të madhe, vendi ka pësuar një prapësim alarmant të reformave që kishte nisur. Tradicionalisht, SHBA-ja ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës, dhe tani më shumë se kurrë, Kievi ka nevojë për ndihmën amerikane – ushtarake, politike dhe kulturore – për të parandaluar që të bjerë sërish nën ndikimin e fortë rus, apo më keq akoma të bëhet një shtet i dështuar.
Perspektiva e një Ukraine të dështuar, përbën një rrezik real për aleancën Perëndimore të udhëhequr nga SHBA. Heqja dorë nga Ukraina, do t`a afronte më në Perëndim vijën e frontit me Rusinë, dhe ky është një skenar që duhet të tronditë amerikanët e të gjitha bindjeve politike.
Përveç rritjes së besueshmërisë globale të Amerikës, Biden duhet të ndryshojë edhe një tjetër prirje të epokës Trump:politikat amerikane që i sjellin dobi Putinit. Kur ndodhi sulmi mbi Capitol Hill, nuk është e vështirë të imagjinohet që Putini e pa atë ngjarje me gëzim.
Dhe ajo ndodhi pas 4 viteve të Trump, që duket se përmbushën listën e dëshirave të Putinit, nga dyshimet publike mbi ndërhyrjen e Putinit në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 (që synonte ngjitjen e Trump në pushtet), dobësimin e NATO-s, sulmin e vazhdueshëm kundër mediave amerikane, dhe diskretitimin e procesit zgjedhor në SHBA.
Biden duhet të takohet brenda 100 ditëve të tij të para në detyrë me presidentin ukrainas Zelensky. Një takim i tillë, do t’i dërgonte Putini një sinjal të qartë se SHBA-ja nuk e ka braktisur Ukrainën. Pasi Trump i dha Putinit leje të bëjë gati çdo gjë që dëshiron, Biden duhet t’i dërgojë Kremlinit një sinjal të qartë se aventurizmi dhe ndërhyrja e mëtejshme në Ukrainë, nuk do të tolerohet më.
SHBA duhet të angazhohet t`a përshpejtojë procesin e ngecur të paqes në konfliktin në Ukrainën Lindore, që është bërë një nga më të përgjakshmit në Evropë. Për këtë qëllim, Biden mund të caktojë si ambasador në Kiev një diplomat me përvojë.
Gjithashtu, ai mund të emërojë një të dërguar special për rajonin e trazuar, për të trajtuar krizën në Ukrainën, por edhe për të forcuar lëvizjen pro-demokracisë në Bjellorusi dhe Moldavi.
Joe Biden duhet të veprojë shpejt për të shpëtuar reputacionin e Amerikës jashtë shtetit, që boshllëku aktual të mos mbushet nga udhëheqës të tjerë botërorë, më pak të interesuar në promovimin e vlerave që ne i duam aq shumë. /Përktheu: Alket Goce-abc