MENU
klinika

Ndryshimet e ministrave

Kuvendi voton 4 dekretet e Metës!

04.01.2021 - 18:07

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është mbledhur ditën e sotme për të zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme, e para për këtë vit, për votimin e ndryshimeve në qeverinë Rama 2. Seanca nisi në orën 17:00 dhe përfundoi në 17:30.

Është shkarkuar me 95 vota pro kryeministri Edi Rama si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa janë dhënë 94 vota pro emërimit të Olta Xhaçkës si ministre e Jashtme dhe gjithashtu 94 vota pro Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes.

Xhaçka ka marrë 4 vota kundër dhe 1 abstenim ndërsa Peleshi ka marrë 3 vota kundër dhe 2 vota abstenim.

Mbledhja u kërkua nga kryeministri Edi Rama, i cili i dërgoi një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi duke i kërkuar që të mbledhë ligjvënësit, me qëllim shqyrtimin e dekreteve të shkarkimit dhe të emërimit të ministrave, brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi më datë 31 dhjetor në mëngjes, Olta Xhaçkën dhe Niko Peleshin në postet e ministrave për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të Mbrojtjes.

Ndryshimet në qeveri erdhën pas dorëheqjes së Gent Cakajt, vendin e të cilit, në fakt vendin e Ramës si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, e zuri Xhaçka dhe vendin e kësaj të fundit e zuri Niko Peleshi, drejtues politik i qarkut të Korçës.

– Hapja e sesionit të jashtëzakonshëm të legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë.

1. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.889, datë 31.12.2020 “Për shkarkim ministri”.

2. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.890, datë 31.12.2020 “Për shkarkim ministri”.

3. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.891, datë 31.12.2020 “Për emërim ministri”.

4. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.892, datë 31.12.2020 “Për emërim ministri”.