MENU
klinika

Intervista ekskluzive e vitit '90

Leka Zogu I: Nuk kam trafikuar armë, kam blerë… për rezistencë

25.01.2021 - 15:26

         “DTIC – Defense Technical Information Center” ka botuar, më 25 janar 1990, në faqet n°1 dhe 3, një intervistë ekskluzive të Leka Zogut I, për një media serbo-kroate (Novosti Osam) me gazetarin Momcilo Popovic, që, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Leka stërvit forcat ushtarake jashtë vendit për të “ndihmuar” shqiptarët

…Rezidenca e tij në një periferi të Johanesburgut është e mbrojtur vetëm nga një truprojë, megjithëse ai pretendon se ka pasur deri në gjashtë përpjekje për ta vrarë në vitet e fundit.

Megjithatë, truproja i lartpërmendur është padyshim i armatosur dhe i trajnuar profesionalisht. Ai kontrollon me kujdes çdo vizitor në çdo kohë. Gjashtë qen janë gjithashtu në krah gjatë gjithë kohës. Vetë Leka I, i cili është i gjatë 180 centimetra, mban një pistoletë dhe një thikë zbukuruese në rripin e tij.

“Një pistoletë dhe një thikë në brez,” – shpjegoi ai, “janë pjesë e traditës tonë. Ky është zakon, për të gjithë shqiptarët e rritur.”

“Unë nuk dua një mbrojtje të madhe, sepse jam optimist. Mbi të gjitha, ndiej që fundi i pritjes për t’u kthyer në atdhe, po afron. Ky vit, do të jetë shumë i zymtë dhe kështu, e dërgova stafin tim me pushime, sepse më vonë, ata nuk do të kenë shumë mundësi për këtë.” – deklaroi Leka I.

Ashtu si një hero komik, Leka I beson se gjashtë atentatet u organizuan “nga Jugosllavia”, “në përgjigje të pozicioneve të mia kritike, në lidhje me Kosovën”. Edhe pse ai, nuk citoi ndonjë provë, “e di” këtë. I pyetur, para së gjithash, sa dinte për situatën aktuale në Shqipëri dhe si e shikonte atë, “Madhëria e Tij” u përgjigj, me emocion:

Leka I: Për vite me radhë, unë kam qenë jashtëzakonisht i informuar për të gjitha ngjarjet në vendin tim. Në fund të muajit të kaluar, trazirat, ose rebelimi popullor, në Shkodër dhe Kukës u shtypën pa mëshirë. Kjo është vetëm e përkohshme, megjithatë, pasi raportet që unë kam marrë tregojnë se morali në ushtri dhe Sigurimi [shërbimi shqiptar i sigurisë] atje është shumë i ulët, dhe hierarkia qeverisëse është bërë e korruptuar.

NOVOSTI OSAM: A janë përfshirë edhe paratë tuaja në këtë?

Leka I: Jo. Ata po shpenzojnë paratë e njerëzve. Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka jetuar në një vakum dhe njerëzit janë nën presion të madh nga regjimi i urryer ateist, i cili nuk di të sundojë (drejtojë) shtetin. Njerëzit po vuajnë, sepse nuk mund të arrijnë standardin e jetesës që njerëzit meritojnë në ditët e sotme.

NOVOSTI OSAM: A keni pasur ndonjë kontakt me Ramiz Alinë, presidentin aktual shqiptar?

Leka I: Edhe pse u dënova në mungesë me vdekje si një “armik i popullit”, unë jam përpjekur t’i shpjegoj Alisë, pikëpamjet e mia. Ishte e humbje kohe.

NOVOSTI OSAM: A keni pasur ndonjë problem me agjentët e Sigurimit?

Leka I: Ata vazhdimisht përpiqen të infiltrojnë organizatat tona, ashtu si agjentët e vendeve të tjera, veçanërisht nga shërbimi i inteligjencës Jugosllave. Kjo na krijon probleme të caktuara, sepse shërbimi ynë i inteligjencës duhet të humbasë kohën për t’i zbuluar ato.

NOVOSTI OSAM: Kush ka interes t’ju vrasë?

Leka I: Fati im ka qenë gjithnjë në duart e të Plotfuqishmit. Unë jam përgjegjës vetëm para popullit shqiptar dhe kjo, do të vazhdojë të jetë e vërtetë, derisa i gjithë kombi të zgjedhë lirisht dhe në mënyrë demokratike një qeveri që dëshiron të ndjekë. Unë fitoj armiq midis atyre që kërcënohen nga aspiratat tona legjitime.

NOVOSTI OSAM: A nuk ju duket se po e ekzagjeroni, kur përhapni vlerësime të papërpunuara (pabazuara) të situatës në Kosovë?

Leka I: Populli shqiptar padyshim që dëshiron të ribashkohet dhe të jetë zot i fatit të vet. Si udhëheqës i tyre legjitim, për të cilin kam vetëm interesat e tyre në mendje, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të kontribuar në ribashkimin e zonave etnike shqiptare me atdheun e tyre. Natyrisht, rrethanat dhe metodat që do të çojnë në ribashkim do të varen plotësisht nga aftësia e fqinjëve tanë për të kuptuar perënditë tona. Veçanërisht, dua të theksoj se unë besoj në një politikë të fqinjësisë së mirë, si mënyra më e shëndetshme për të ruajtur stabilitetin në një zonë që ka njohur vuajtje për një kohë të gjatë dhe ka qenë shkaku i drejtpërdrejtë i dy luftrave botërore. Do të ishte më së miri, të arrijmë qëllimet tona, pa gjakderdhje. A nuk do të ishte më racionale të flisni me fqinjët tuaj, për të ardhmen e zonave etnike shqiptare në Jugosllavi, në vend që të përkeqësonin ndarjet, siç po bëhet tani në Kosovë, me ndihmën e njësive speciale nga qeveria federale në Beograd?

NOVOSTI OSAM: Ju po flisni për “ribashkim”, megjithëse Kosova, nuk i ka përkitur kurrë Shqipërisë dhe megjithëse serbët, malazezët dhe disa popuj të tjerë sllavë kanë jetuar në atë rajon për shekuj.

Leka I: Shikuar historikisht, sllavët janë ardhje të kohëve të fundit në zonat që tani pushtojnë. Është e vërtetë që ka pjesë të Kosovës që kanë rëndësi të veçantë për serbët. Do të shkoja shumë larg nëse do të mohoja këto fakte. Megjithatë, dua të shkoj një hap më tej dhe të them se nëse ulemi me qeverinë serbe dhe jugosllave dhe të diskutonim për këtë, me siguri do të arrinim në një lloj interesi të përbashkët. Për shembull, manastiret e shenjta, aq të lavdëruara dhe të kremtuara, dhe monumenti i Betejës së famshme të Kosovës, mund të caktohen dhe të njihen si jashtë territorit nga të dy palët. Ky është statusi që kanë ambasadat në vendet e tjera.

NOVOSTI OSAM : Ju, me sa duket, nuk e imagjinoni që Jugosllavia nuk mund ta pranonte një mundësi të tillë.

Leka I: Problemet në lidhje me Kosovën mund të zgjidhen vetëm me vullnet të mirë nga të dy palët. Duhet kuptuar që ribashkimi i popullit shqiptar është i domosdoshëm dhe se, vetëm në atë kusht mund të ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

NOVOSTI OSAM: A do t’i përmirësonin ndryshimet e mundshme demokratike në Shqipëri, mundësitë për normalizimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë?

Leka I: Unë sinqerisht besoj se zgjedhja e një qeverie demokratike në Shqipëri, do të ishte gjithashtu, mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin, derisa të kuptohet se populli shqiptar, nuk mund të mbetet i përçarë.

NOVOSTI OSAM: Në disa raste të mëparshme, ju keni përmendur një lloj konfederate ballkanike. Çfarë kuptoni me këtë dhe cilat vende, do të ishin pjesë e saj?

Leka I: Në kohën e tanishme, është e nevojshme të kuptohet se vendet e vogla si ato Ballkanike, të cilat janë të banuara nga grupe të ndryshme etnike, të cilat kanë fe dhe zakone të ndryshme, dhe të cilat kanë trashëgimi të ndryshme kulturore, kanë një vështirësi të madhe duke jetuar në paqe dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, përveç nëse i respektojnë ato dallime. Nëse fillojmë të respektojmë njëri-tjetrin, vullneti i mirë do t’i përgjigjet vullnetit të mirë dhe aleancat e mira ekonomike dhe tregtare do të vijnë gjithashtu. Në kushte të tilla, edhe kombet plotësisht të pavarura mund të mendojnë për t’u bashkuar në një konfederatë, kryesisht për arsye ekonomike dhe mbrojtëse. Secili komb në një konfederatë të tillë do të ishte i pavarur. Marrëdhëniet e ndërsjella do të rregullohen me traktate dhe marrëveshje, dhe jo me dominimin e disave mbi të tjerët.

NOVOSTI OSAM: Përveç oborrit mbretëror, ekziston edhe një “qeveri shqiptare në mërgim”. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me anëtarët e saj?

Leka I: Si udhëheqës i opozitës parësore ndaj diktaturës shqiptare, unë kam kontakte me shumë parti me ide të ndryshme politike. Si i tillë, unë përfaqësoj mendimin e shumicës së popullit shqiptar. Për më tepër, meqenëse monarkia shqiptare nuk u rrëzua kurrë nga vullneti i popullit, por më tepër nga një akt agresioni nga ana e Italisë fashiste në 1939, qeveria shqiptare në mërgim nuk pushoi së ekzistuari. Detyrat e saj janë të shumta dhe ajo do të vazhdojë të mbajë gjallë pishtarin e lirisë derisa të vijë koha kur kombi do të zgjedhë qeverinë e tij në një referendum të lirë, demokratik dhe mbarëkombëtar.

NOVOST OSAM: Nëse populli shqiptar do të pranonte kthimin tuaj, si do të ishte monarkia juaj?

Leka I: Do të ishte natyrshëm një monarki kushtetuese, siç u krijua për herë të parë, nga Kushtetuta e vitit 1928.

NOVOSTI OSAM: Cili do të ishte statusi i fesë, në një shtet të tillë?

Leka I: Kushtetuta e vitit 1928, e përcakton mbretin si mbrojtësin e të gjitha feve. Mbreti ka të drejtë të zgjedhë fenë e tij, si çdo qytetar. Siç e dini, unë jam një mysliman, por të gjitha fetë do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë dhe të mbrojtura.

NOVOSTI OSAM: Cilat janë marrëdhëniet tuaja, me numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Perëndim?

Leka I: Marrëdhëniet me bashkatdhetarët e mi, në të gjithë botën, kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj problemet e tyre dhe të kuptoj nevojat e tyre, madje edhe t’i ndihmoj nëse jam në gjendje ta bëj këtë. Kjo është e vërtetë, për marrëdhëniet e mia me të gjitha partitë dhe grupet politike të emigrantëve shqiptarë dhe me dëshirën e Zotit, kjo do të vazhdojë të jetë e vërtetë.

NOVOSTI OSAM: Shtypi i Evropës Perëndimore ka shkruar disa herë, për një farë “Princ të Kosovës” Kryeziun. Kush është ai dhe ku e fitoi një titull të tillë?

Leka I: Unë nuk e dija që i afërmi im, Esad Kryeziu, po e përdorte atë titull. Në çdo rast, ai është djali i hallës sime. Princesha Nafije, ishte e martuar me Cenabeg Kryeziun.

NOVOSTI OSAM: Çfarë planifikoni të ndërmerrni më tej, për njerëzit tuaj në Shqipëri?

Leka I: Kjo është një pyetje shumë e ndjeshme, sepse nuk dua t’i bëj publike qëllimet e mia paraprakisht.

NOVOSTI OSAM: Kohët e fundit, megjithatë, ju lëshuat një “shpallje mbretërore” dhe ia dërguat njerëzve tuaj në Shqipëri.

Leka I: Po. Në të, unë i bëra thirrje popullit shqiptar dhe forcave të armatosura shqiptare që të punojnë së bashku, për të përmbysur regjimin e paligjshëm, që po vazhdon tiraninë dhe nënshtrimin e vëllezërve dhe motrave tona të dashura. Kjo shpallje tashmë është kontrabanduar (ka hyrë) në Shqipëri dhe fletëpalosjet (traktet) do të shpërndahen së shpejti, në disa qytete nga balonat.

NOVOSTI OSAM: Ju bëni një jetë mjaft luksoze. Disa vjet më parë, ju u akuzuat si tregtar armësh. Si e fitoni (siguroni) jetesën tuaj?

Leka I: Kam jetuar me punën si përfaqësues i ndërmarrjeve të ndryshme të mëdha dhe së fundmi, fillova biznesin tim, duke shitur mallra konsumi. Ato akuza për tregtinë e armëve janë thashetheme që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë. Pretendohej se merresha me drogë dhe gra. Këto ishin sulme të vrazhda ndaj personit tim. Kurrë nuk kam qenë tregtar armësh. Sigurisht, është e vërtetë që unë kam blerë armë herë pas here, për njësitë tona, për rezistencën… Kur kjo është e nevojshme për ne, për njerëzit tanë, e bëj dhe kurrë për përfitim.

NOVOSTI OSAM: A do të thotë kjo, se keni një lloj ushtrie tuajën?

Leka I: Ne jemi përpjekur gjithmonë, të krijojmë forca ushtarake që do të ndihmonin njerëzit në Shqipëri. Këto forca po trajnoehn prej vitesh, në shumë vende.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN