MENU
klinika

“Trump po ‘hedh në erë’ demokracinë”

Liderët botërorë të shokuar nga sulmi në Kapitol

07.01.2021 - 01:18

Krerët e shteteve nga e gjithë bota bënë thirrje për një tranzicion paqësor midis Presidentit Donald Trump dhe Presidentit të zgjedhur Joe Biden pasi mbështetësit e presidentit aktual ndërhynë me dhunë të mërkurën pasdite në Ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, i cili ka gëzuar një marrëdhënie miqësore me Trump, e quajti sulmin e Capitol Hill “të turpshëm”, në një status në Twitter ai shtoi se:

“Shtetet e Bashkuara dallohen për demokracinë në të gjithë botën dhe është jetike që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit.”

Kryeministri Kanadez Justin Trudeau i tha News1130, një radio kanadeze, se ishte i shqetësuar nga ajo që po ndodhte në Uashington, DC:

“Institucionet demokratike Amerikane janë të forta dhe shpresojmë që gjithçka të kthehet në normalitet së shpejti.”

Ministrja Skoceze Nicola Sturgeon i përshkroi ngjarjet si “të tmerrshme”.

“Turp për ata që kanë nxitur këtë sulm ndaj demokracisë,” tha ajo.

“Populli Irlandez ka një lidhje të thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërtuara në shumë breza,” tha Taoiseach Micheál Martin në një deklaratë.

“Unë e di që shumë, si unë, i shikojnë skenat në Uashington DC me shumë shqetësim”

U shpreh kryeministri italian Giuseppe Conte duke shtuar se “dhuna është e papajtueshme me ushtrimin e të drejtave dhe lirive demokratike”.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas u bëri thirrje Trump dhe mbështetësve të tij të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe të ndalojnë “shkeljen e demokracisë”.

“Dhuna kundër institucioneve amerikane është një sulm i rëndë ndaj demokracisë. Vullneti dhe vota e popullit amerikan duhet të respektohet,” tha Jean-Yves Le Drian, Ministri i Jashtëm Francez, në një deklaratë.

Mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin e SHBA të Mërkurën pasdite në një lëvizje për të provuar dhe bllokuar Kongresin nga procesi i çertifikimit të fitores së Biden.

Trump kishte inkurajuar mbështetësit e tij të protestojnë “në mënyrë paqësore dhe patriotike” jashtë ndërtesës së Kapitolit të SHBA kur ai mbajti një fjalim aty pranë herët gjatë ditës.

Debati i Senatit mbi çertifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor ndaloi ndërsa ligjvënësit ishin strehuar ose ishin evakuuar.

Sipas shefit të policisë së Washington DC Robert Contee III, të paktën 13 persona janë arrestuar deri më tani në lidhje me protestat.

Përkthyer dhe përshtatur nga Reuters/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sfida më e madhe nga koha e Luftës Civile

Pushtimi i Kapitolit: Sulm i Trump ndaj demokracisë