Nga Lionel Laurent, Bloomberg
Nacionalizmi i vaksinave po përshkallëzohet në një botë ku Covid-19 është përhapur kudo, megjithatë ilaçet e zhvilluara kundër Covid janë të pamjaftueshme.
Tundimi për të marrë sa më shumë doza po rritet çdo ditë e më shumë, por kjo do të zgjasë pandeminë duke krijuar një hendek edhe më të madh midis vendeve.
Duke mos pasur një fokus të qartë në rritjen e furnizimit dhe shpërndarjen e dozave përtej kufijve, virusi do jetë mes nesh për shumë kohë.
Nëse tensioni po vazhdon të rritet, kjo është për shkak se furnizimet po mbarojnë.
“Kjo është një garë kundër kohës,” tha komisioneri i Tregtisë për BE-në, Valdis Dombrovskis. “Ne nuk mund të humbasim kohë për shkak të vaksinave që nuk janë dorëzuar në kohë.” Do të ketë përjashtime për disa vende fqinje dhe me të ardhura të ulëta.
Në teori, nuk ka asgjë të gabuar me idenë që dozat e blera me paratë e tatimpaguesit duhet të mbrohen me çdo të drejtë për të mirën e tatimpaguesve.
Qeveria e SHBA-së, për shembull, ka të drejtë, të marrë patentat e vaksinave nëse konstaton se prodhuesit nuk po prodhojnë aq sa duhet. Duke pasur parasysh numrin e viktimave nga Covid-19 në BE më shumë se 462,800, dhe pjesa më e madhe e kontinentit që është nën bllokim, kjo mund të jetë një çështje morale dhe kontraktuale që ka nevojë patjetër për ndërhyrje.
Sidoqoftë, në praktikë, këto lloj vendimesh kanë pasoja të mëdha të jetës dhe të vdekjes në një pandemi. Marrja e dozave në fabrikën e destinuar për diku tjetër do të thotë privimi i të tjerëve nga ilaçet që shpëtojnë jetë.
Tashmë Kanadasë i është dashur të sigurojë popullsinë e saj se kufizimet e vendosura nga BE-ja nuk do të prekin furnizimet. Britania e Madhe, nga frika e ndërprerjes së dërgesave të veta, ka paralajmëruar BE-në se pret që kontratat e saj të respektohen.
Kushtet e botuara të marrëveshjes së AstraZeneca me BE-në tregojnë se kompania ka premtuar se do të bëjë më të mirën për të përmbushur objektivat e saj të furnizimit.
Disa vende i porositën paraprakisht vaksinat e tyre para BE-së, paguan një çmim dhe madje ndihmuan në financimin e zhvillimit të produktit.
Marrin parasysh rastin e Valneva, një kompani bioteknologjike me seli në Francë, e cila ka rënë dakord të furnizojë Mbretërinë e Bashkuar me 60 milion doza të kandidatit të saj të vaksinës Covid-19 për 470 milion euro.
Gjithashtu ka marrë investime për të zgjeruar prodhimin në selinë e saj në Skoci. Zyrtari kryesor financiar i Valnevës, David Lawrence, tha se negociatat janë ende duke vazhduar me BE-në.
Bota do të vazhdojë ende fushatën e vaksinimit, që do të zgjasë deri në fund të vitit 2022 në Kinë dhe Indi dhe në 2023 për më shumë se 85 vende të varfra.
Qeveritë kanë një përgjegjësi të dukshme ndaj qytetarëve të tyre, por kjo do të duhet të ekuilibrohet me rreziqet epidemiologjike të popullsisë së pavaksinuar, veçanërisht duke marrë parasysh variantet e reja që po shfaqen gjatë gjithë kohës.
Duke pasur parasysh angazhimin e SHBA.-së për Covax, dhe bashkëpunimin prej 92 vendesh për të siguruar shpërndarje të barabartë të vaksinave, është koha që vendet e pasura të japin shembullin e duhur dhe të bashkëpunojnë për një shpërndarje të drejtë.
A është më mirë të vaksinohen njerëzit më të rrezikuar në një vend fqinj përpara atyre më pak të rrezikuar?