MENU
klinika

"Logjika kush vjen i pari, i shërbehet në fillim funksionon vetëm te kasapi, jo në…"

Mbretëria e Bashkuar dhe BE përplasen për vaksinën ‘AstraZeneca’

27.01.2021 - 18:53

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar janë përplasur së fundmi për vaksinat anti-COVID të kompanisë AstraZeneca në bashkëpunim me Oxford.

Ditën e djeshme, BE tha se po trajtohet si kliente e klasit të dytë, pasi një numër shumë i vogël i vaksinave do t’i jepen në krahasim me atë se çfarë kishin porositur dhe rënë dakord me kompaninë. Po ashtu BE hodhi dyshime se vaksinat e saj po i jepeshin Britanisë, çka ka sjellë edhe tension mes dy palëve.

Sot, Komisionerja e BE për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides hodhi poshtë një argument të bërë nga Pascal Soriot, shefi ekzekutiv i ndërmarrjes AstraZeneca, se ai ishte i detyruar me kontratë të furnizonte më parë Mbretërinë e Bashkuar, shkruan “The Guardian”.

Kyriakides tha se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të fitojë ndonjë avantazh nga nënshkrimi i një kontrate me AstraZeneca vetëm tre muaj para, se ta nënshkruante BE.

“Ne e hedhim poshtë logjikën e ai që vjen i pari, i shërbëhet i pari”, tha Komisionerja, ndërsa shtoi se: “Kjo mund të funksionojë në një kasap, por jo në kontrata dhe jo në marrëveshjet tona të përparuara të blerjes.”

AstraZeneca ka zemëruar Brukselin dhe Bashkimin Europian, duke paralajmëruar se do të jetë në gjendje të japë vetëm 25% të dozave të planifikuara për tremujorin e parë të 2021, pasi autoriteti evropian i barnave të ketë dhënë miratimin e tij.

Në të njëjtën kohë, kompania ka siguruar qeverinë britanike, e cila zgjodhi të mos ishte pjesë e programit të vaksinave të BE, se do të përmbushë premtimin e saj për të dhënë 2 milion doza në javë për të mirën e banorëve të Mbretërisë së Bashkuar.