MENU
klinika

Demokracia u rrezikua

Ndodhi në Amerikë!

08.01.2021 - 10:04

Zgjedhjet janë ‘zemra’ e demokracisë liberale. Humbësit largohen në qetësi nga zyra. Fituesit marrin pushtetin që iu takon. Megjithatë, bota sapo u bë dëshmitare e pamjeve tronditëse të një turme që sulmoi Kapitolin e SH.B.A.-së për të refuzuar legjitimitetin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden, i drejtuar nga gënjeshtrat mashtruese të Presidentit Donald Trump për zgjedhje të vjedhura.

Protestuesit kaluan rreth godinës, depërtuan nëpër dritare dhe sulmuan sallat e Kongresit. Ata lëvizën nëpër Sallën e Statujave me një flamur të Konfederatës që valëvitej mbi shpatullat e tyre, mbanin armë në brendësinë e Senatit dhe vendosën këmbët në tryezën e Kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi. Një grua u qëllua dhe u vra. Anëtarët e Kongresit u tërhoqën dhe u strehuan me maska ​​gazi në duar. Ata u detyruan të pezullonin procesin për të konfirmuar zyrtarisht fitoren e presidentit të ardhshëm si e kërkon edhe Kushtetuta për shkak të nxitjes së një proteste të dhunshme të shkaktuar nga presidenti aktual. Kjo ishte tamam një kryengritje.

Në të gjithë botën, konflikti për zgjedhjet e diskutueshme është i zakonshëm. Sipas disa vlerësimeve, rreth një e pesta e të gjitha zgjedhjeve në të gjithë botën mund të klasifikohen si të diskutueshme, që do të thotë se ato përfshijnë sfida të mëdha për legjitimitetin e kandidatëve, procedurave ose rezultateve elektorale. Gara të tilla janë veçanërisht të zakonshme në ato që shkencëtarët politikë i quajnë “autokraci zgjedhore”, sistemet e qeverisjes që kanë bazat e demokracisë pa normat dhe praktikat e saj. Ato ndodhin shpesh në shtete të paqëndrueshme me histori të gjata të luftës civile, të tilla si Afganistani dhe Burundi. Rastet më të këqija rrezikojnë legjitimitetin, shkatërrojnë pronën dhe vrasin njerëz të zakonshëm. Në shoqëritë e ndara etnikisht, të tilla si Kenia dhe Nigeria, ato mund të shkaktojnë dhunë masive.

Por gjëra të tilla nuk supozohet të ndodhin në Perëndim, ku normat demokratike kanë mbizotëruar për shekuj. Në këto vende, zgjedhjet e diskutueshme trajtohen përmes ankesave ligjore në komisionet zgjedhore dhe gjykata. Mendoni për Bush kundër Gore në vitin 2000. Një proces zgjedhor i kontestuar thjesht nuk përfundon me kryengritje të turmës. Por sot ka qindra llogari të brendshme dhe një tregti e lulëzuar e gazetarëve dhe komentatorëve të Beltuay që paralajmërojnë për mosfunksionimin e administratës Trump dhe shkeljen e normave demokratike.

Studiuesit në politikën krahasuese dhe historinë bashkëkohore kanë lëshuar paralajmërime urgjente në lidhje me prishjen e demokracisë liberale në Shtetet e Bashkuara dhe rreth globit, me tituj të tillë: A mund të ndodhë në SHBA?,  Si vdesin demokracitë dhe muzgu i demokracisë.

Ishte gjithmonë e lehtë, megjithatë, të hidhje poshtë skenarët e rastit më të keq si produkt i urrejtjes imagjinare të Trump, komentatorëve të njëanshëm liberalë dhe ish-zyrtarëve të pakënaqur. Rezultatet më shqetësuese mund të ndodhin në vendet në zhvillim në Afrikë ose Azi, ose në ekonomitë me të ardhura të mesme, të tilla si Hungaria, Filipinet, Polonia dhe Venezuela. Por a mund të ndodhë diçka e tillë në një vend si Shtetet e Bashkuara, me rrënjët e saj të thella demokratike dhe kontrollet e vendosura institucionale? Kjo dukej e paimagjinueshme.

Ata që nuk arritën të parashikonin rreziqet e krizës aktuale të Shteteve të Bashkuara nuk po i kushtonin vëmendjen e duhur fjalëve të Trump. Mbi të gjitha, për vite, presidenti ka transmetuar në mënyrë të përsëritur ankesat në lidhje me mashtrimin e votuesve dhe proceset e manipuluara.

Ai ka postuar më shumë se 300 statuse ku ankohet për integritetin zgjedhor vetëm pas natës së zgjedhjeve. Ndoshta nuk ka një udhëheqës më transparent se Trump. Pavarësisht, se fjalët e tij shpesh trajtoheshin thjesht si teatër politik i çuditshëm, , por jo diçka që duhej kuptuar fjalë për fjalë.

Ishte thjesht një lojë cinike, thanë analistët e SHBA. Dhe kështu kur Trump mobilizoi mbështetësit e tij për ndodhinë e 6 janarit duke postuar në Tuitter “Të jeni të gjithë atje, do të jetë e ashpër!”, forcat e sigurisë së Capitol Hill ishin qartësisht të papërgatitura. Por edhe më të papërgatitur ishin udhëheqësit republikanë, të cilët nuk kishin arritur të merrnin seriozisht rreziqet.

Faji për kaosin në Kapitol është kryesisht i presidentit. Nga dita kur deklaroi kandidaturën e tij, më 16 qershor 2015, Trump ka sinjalizuar se është i gatshëm të shkelë normat e demokracisë liberale. Në Mars 2016, shumë përpara se ai të nominohej për President i Republikës, u identifikua si një udhëheqës që përdori retorikën populiste si një ekran tymi për të maskuar vlerat autoritare. Populizmi është një stil i diskursit që pretendon se pushteti legjitim qëndron te “njerëzit”, jo elitat, dhe populistët refuzojnë burimet rivale të autoritetit. Në këtë këndvështrim, gazetarët e pabindur, ekspertët shkencorë, zyrtarët dhe gjykatësit janë armiku.

Ndaj nuk ishte për t’u habitur dhe e paparashikuar çfarë Trump organizoi më 6 janar.

Problemi qëndron edhe në bazën republikane. Themelet e kulturës qytetare amerikane, besimi në qeveri, besimi në sistemin politik dhe mbështetja për demokracinë janë dobësuar gjatë dekadave.

Menjëherë pasi Kapitoli u sulmua, një sondazh zbuloi se 45 përqind e republikanëve e miratuan sulmin dhe vetëm 27 përqind e tyre e konsideruan atë si një kërcënim për demokracinë. Republikanët kishin më shumë gjasa t’i shihnin pjesëmarrësit si protestues ose patriotë, ndërsa demokratët i shihnin ata si ekstremistë ose terroristë të brendshëm.

Përvojat e vendeve të tjera të polarizuara thellë me zgjedhje të diskutueshme sugjerojnë se është më lehtë të shkatërrosh besimin sesa të rindërtosh atë.

Por Shtetet e Bashkuara të paktën mund të përpiqen ta bëjnë këtë. Së shpejti, demokratët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë.

Sapo të veprojnë, ata duhet të rinovojnë përpjekjet për të miratuar Aktin Për Njerëzit, një paketë gjithëpërfshirëse e reformave të moderuara, të tilla si zgjerimi i të drejtave të votimit, që Dhoma miratoi në 2019 në një përpjekje për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor.

Për katër vitet e ardhshme, do t’i takojë administratës së Biden-it që të përpiqet të bëjë atë që duhet bërë: rivendosjen e kulturës qytetare, rindërtimin e besimit në qeveri dhe bindjen e vendit për të zgjedhur unitetin mbi ndarjen, tolerancën mbi urrejtjen dhe ndershmërinë mbi korrupsionin.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Foreign Policy/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN