Policia e Tiranës ka kërkuar ditën e sotme rifillimin e hetimeve për 21 Janarin me një letër-kërkesë drejtuar prokurorisë.
Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha thanë se policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku i kërkohet ri-ekspertim hetimor.
Në letër-kërkesë kërkohet ri-ekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Kërkohet të kryhet ri-ekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letërkërkesë kërkohet të ripyeten të afër të viktimave dhe dëshmitarë.
Pasi mbeti i plagosur gjatë protestës, Aleks Nika u dërgua për mjekun në spitalin “Bakirkoy Ehitim ve Arastirma Hastanesi” të ndodhur në Stamboll. Por në datën 5 shkurt 2011 ai ndërroi jetë.
Akti i ekspertimit datë 5 maj 2014 vërteton se Nika u qëllua me një plumb. Kjo predhë është ekzaminuar edhe në laboratorin e FBI Virginia ku thuhet se ka dalë nga një pushkë me 6 viaska, por predha nuk mundi të identifikohet nëse është qitur nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim apo nga tytat e tjera. Predha e gjetur në trupin e Nikës është e kalibrit 9 mm, ndërsa policia thotë se është qitur nga një armë zjarri Mp5.
Të kryhet rikqyrje e e pamjeve filmike të fokusuar kryesisht tek Zuver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe të plagosurit.
Sipas letër-kërkesës, kërkohet me anë të një shkrese IPSH-së nëse ka apo jo laborator për ekzaminimin kriminalistik në vendet e BE që të ekzaminohet predha e gjetur në trupin e Aleks Nikës.
Tre oficerët e policisë pranë drejtorisë vendore relatojnë në kërkesën për rifillim hetimesh duke thënë se çështja ishte e pezulluar.
Pas veçimit dhe ndarjes së procedimit numër 285/1 që është dërguar në gjykatë më herët ndaj Ndrea Prendit nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese dhe Agim Llupos.
Ndërkohë në relacion thuhet se u vazhduan hetimet për të përcaktuar se kush ishte personi që vrau Aleks Nikën dhe plagosi 3 të tjerët.
Nga Policia e Tiranës kërkohet gjithashtu rifillim hetimesh për vrasjen e një qytetari tjetër që ishte në protestën e 21 janarit, Hekuran Deda./tch