MENU
klinika

Nga The Washington Post

Një Rusi e re po lind!

30.01.2021 - 08:29

Është emocionuese të shikosh një zgjim të shoqërisë.

Për vite, regjimi i Vladimir Putinit e ka mbajtur veten në krye përmes një kombinimi të shtypjes së ashpër dhe propagandës.

Por ajo gjithashtu ka përfituar nga pranimi pasiv i shumicës së popullsisë.

Me disa përjashtime të dukshme – të tilla si protestat kundër marrjes së shtetit nga rrjeti më i madh televiziv privat i Rusisë në fillimin e viteve 2000, ose demonstratat që pasuan mashtrimin e shfrenuar në zgjedhjet parlamentare 2011, ose tubimet kundër luftës në Ukrainë, rusët kanë qëndruar kryesisht të heshtur.

Në fakt, kështu bëri edhe shumica e liderëve perëndimorë, të cilët ishin shumë të lumtur nga të “bërit biznes” me Kremlinin.

Por gjërat po ndryshojnë. Populli rus nuk hesht më.

Fundjavën e kaluar, qindra mijëra dolën në rrugë në të gjithë vendin për të protestuar arrestimin e Alexei Navalny, kundërshtari më i shquar i Putinit.

Navalny mbijetoi një atentat në tentativë vitin e kaluar, vetëm për t’u burgosur kur u kthye në Rusi në fillim të këtij muaji.

Nga Khabarovsk në Moskë, demonstruesit përballuan jo vetëm motin por edhe arrestime dhe shkopinj policie, si dhe kërcënime publike nga autoritetet, universitetet dhe punëdhënësit. Më shumë se 4,000 njerëz u ndaluan në një ditë të vetme, një numër rekord.

Asgjë nga këto nuk i ndaloi protestat.

Shqetësimi për të ardhmen është çelësi i kësaj lëvizjeje në zhvillim.

Sipas sondazheve të parakohshme, mosha mesatare e protestuesve ishte 31. Këta janë njerëzit, të cilët kurrë nuk kanë qenë dëshmitarë të një sistemi politik të lirë; të cilët kanë parë të njëjtat fytyra të miqve të Putinit në televizione për dekada, si të ngrirë në kohë. Ata nuk shohin asnjë perspektivë për veten e tyre, familjet e tyre ose vendin e tyre ndërsa ky regjim mbetet në fuqi.

Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për Putin midis votuesve më të rinj të Rusisë ka rënë në vetëm 20 përqind.

Arrestimi i Navalny nuk ishte katalizatori i vetëm për protestat.

Menjëherë pasi udhëheqësi i opozitës u burgos, ekipi i tij publikoi videon që tregonte një pallat të stilit italian i ndërtuar për përdorim personal të Putinit në bregdetin e Detit të Zi me fonde të korporatave shtetërore.

Pasuri e madhe, e cila përfshin një kazino, shesh patinazhi, pishinë, kantinat e verës, dhe helikopterët, të gjitha ato ruhen nga shërbimet e sigurimit të shtetit dhe mbrohen nga një zonë e ndaluar fluturimi – dyshohet se ka një çmim total prej 1.4 miliardë dollarësh.

Brenda disa ditësh, videoja e Navalny u shikua nga 100 milion njerëz, shumica dërrmuese e tyre brenda Rusisë.

Ekziston një realitet i ri që po shfaqet në vend, dhe është përtej kontrollit të Putinit dhe makinerisë së tij propagandistike.

Protesta të reja janë planifikuar përpara seancës dëgjimore të dënimit të Navalny më 2 shkurt.

Nuk ka dyshim se ai do të dërgohet në burg – dhe kjo mund të jetë një nga llogaritjet e gabuara më të mëdha të Kremlinit.

Siç tregon historia, shumica e diktaturave nuk bien nën fuqinë e kundërshtarëve të tyre, por nën peshën e gabimeve të tyre. Duket se Putini nuk do të jetë një përjashtim.