Ky sezon i NBA vijon të jetë i paparashikueshëm. San Antonio Spurs vijon ngjitjen në renditje, pasi ia doli të regjistrojë fitoren e tretë radhazi, këtë herë me shifrat 122-125, por vetëm pas luajtjes së kohës shtesë në transfertën ndaj Minnesota Timberwolves në “Target Center”.
Në fund të kohës së rregullt rezultati ishte i barabartë 113-113, ndërsa Spurs fituan me tri pikë diferencë kohën shtesë. Demar DeRozan ishte protagonist absolut për San Antonion, pasi ia doli të shënojë 38 pikë, të rikuperojë 5 topa dhe të japë 5 asiste.
Washington Wizards pësoi humbjen e 8 në 10 ndeshjet e para sezonale, teksa këtë here, 124-128, u dorëzua përballë Miami Heat në “Capital One Arena”. Miqtë nga Miami u shfaqën dominues në tre fraksionet e para, ndërsa Wizards u zgjuan në pjesën e fundit të cilën e fituan me rezultat të thellë, por nuk ia dolën të përmbysin rezultatin.
Tyler Herro dhe Jimmy Butler ishin protagonistët e suksesin për Miami Heat, pasi të dy bashkë arritën të shënojnë 57 pikë, të rikuperojnë 19 topa dhe të japin 11 asiste.
Vijon të bëjë mjaft mirë në këtë fillim sezoni edhe Dallas Mavericks që triumfoi me shifrat 112-98 në “Airlines Center” përballë Orlando Magic. Tim Hardaway Jr ishte protagonist absolut për suksesin e Dallas, pasi shënoi 36 pikë, rikuperoi 5 topa dhe dha dy asiste.
Në ndeshjet e tjera, Portland Trail Blazers triumfoi me shifrat 99-125 në transfertën ndaj Sacramento Kings, i udhëhequr edhe nga CJ McCollum me 37 pikë, ndërsa Milwaukee Bucks mposhti me rezultatin 100-90 skuadrën e Cleveland Cavaliers.