Rritet numri i ndeshjeve të anuluara dhe të shtyra për një datë tjetër në NBA si pasojë e pandemisë Covid-19. Nuk u luajt ndeshja e tretë Dallas Mavericks-New Orleans Pelicans, ndërkohë që është konfirmuar edhe shtyrja e sfidës së radhës Chicago Bulls-Boston Celtics.
Skuadrat nuk kanë në dispozicion numrin minimal të 8 lojtarëve të lejuar për të zhvilluar një ndeshje, ndërkohë që situata është bërë disi kaotike. Për këtë arsye, NBA do të zhvillojë një video-konferencë me pronarët e 30 skuadrave dhe basketbollistët, për të vendosur për të ardhmen.
Sipas mediave amerikane, parashikohet një stop prej 7 ose 14 ditësh i ndeshjeve, derisa situata të përmirësohet, pasi thuajse të gjitha ekipet kanë lojtarë pozitivë dhe në karantinë. Gjithashtu, do të modifikohet protokolli shëndetësor, për të parandaluar sa më shumë rastet.
Sa u përket ndeshjeve të luajtura, Milwaukee Bucks fitoi 121-99 ndaj Orlando Magic, duke u ngjitur në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes. Ndeshje e dominuar nga Bucks, ku u dallua Giannis me 22 pikë, mbështetur edhe nga Middleton e Portis me nga 20 pikë secili.
Philadelphia, e mbetur me vetëm 8 lojtarë, pësoi humbjen e tretë radhazi, pasi u mund 112-94 nga Atlanta. Në sekondat e fundit fitoi ekipi i Portland, që mundi 112-111 Toronton.