MENU
klinika

Analiza

Pse SHBA s’duhet t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore me Iranin?

31.01.2021 - 12:54

Nga Amos Yadlin &dhe Ebtesam Al-Ketbi, Foreign Affairs

Administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden, ka propozuar që Irani dhe Shtetet e Bashkuara të rikthehen respektimit të plotë me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, i njohur gjithashtu si Plani i Përbashkët i Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Por kjo perspektivë paraqet rreziqe të konsiderueshme për sigurinë rajonale dhe madje globale. Por nëse administrata Biden mbetet e vendosur të ringjallë marrëveshjen e mëparshme, ajo duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të siguruar që Teherani të mos mundet të prodhojë armë bërthamore, dhe të garantojë aleatët e SHBA-së në rajon se Uashingtoni nuk do të bëjë lojëra me sigurinë e tyre.

Për Shtetet e Bashkuara, rikthimi në marrëveshjen bërthamore aktuale, do të ishte një gabim i madh strategjik. Ajo marrëveshje u bazua tek supozime që tek e fundit treguan të ishin të gabuara dhe tepër optimiste. Marrëveshja nuk ndryshoi aspak politikat e Iranit, as fuqizoi të moderuarit në Teheran, nuk i hapi rrugën një marrëdhënieje më të mirë mes Uashingtonit dhe Teheranit, dhe as nuk “bllokoi të gjitha rrugët e Iranit drejt prodhimit të një arme bërthamore”.

Përkundrazi, nga viti 2015 e tutje, Irani e forcoi mbështetjen e tij për milicitë rajonale. Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei mbeti vendimmarrësi përfundimtar, ndërsa u rrit ndikimi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të vijës së ashpër.

Teherani e mashtroi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) mbi dimensionet ushtarake të programit të tij bërthamor, dhe hulumtimin dhe zhvillimin e centrifugave më të përparuara teknologjikisht, që mund të shkurtojnë ndjeshëm kohën e shpërbërjes së uraniumit.

Nëse një politikë e ardhshme mbi Iranin, do që të shmangë prodhimin e një rezultati të ngjashëm, ajo duhet t’i kundërvihet aktiviteteve dashakeqe rajonale të Iranit, dhe t’i rezistojë tundimit për t’iu përshtatur dinamikës politike të Iranit.

Njëherazi, ajo duhet të lejojë një regjim më ndërhyrës të inspektimeve dhe kufizime më afatgjata në programin bërthamor të Iranit. Administrata e re e SHBA-së kërkon një rikthim në marrëveshjen origjinale bërthamore të Iranit me shpresën e arritjes së 2 qëllimeve:largimin nga një krizë bërthamore, dhe përgatitjen e terrenit për një marrëveshje të re që të riparojë të metat e marrëveshjes së vitit 2015.

Por ajo rrugë drejt qëllimit të fundit është joreale. Marrëveshja origjinale, plotëson si duhet interesat afatgjata të Iranit. Ndaj,Teherani ka pak arsye për të negociuar një pakt të ri më vonë. Disa ekspertë të mospërhapjes së armëve bërthamore,argumentojnë se rikthimi tek marrëveshja do t’i rezervojë mekanizmin e presionit për të arritur më pas një marrëveshje të re.

Ata sugjerojnë se Teherani mund të bindet të vazhdojë negociatat, me shpresën e lehtësimit të mëtejshëm të sanksioneve. Por vendimmarrësi përfundimtar në Iran, Khamenei, nuk është aspak i motivuar nga dëshira për t`a integruar plotësisht vendin e tij në ekonominë globale.

Në fakt, ai ka inkurajuar përpjekjet për të krijuar një “ekonomi të rezistencës”, dhe ka kërkuar nga industritë iraniane që t’i bëjnë zinxhirët e tyre të furnizimit sa më të pacënueshme nga sanksionet.

Administrata e re e SHBA-së, ka gjasa të arrijë dy synimet e saj, vetëm duke mbrojtur interesat strategjike të partnerëve të saj rajonalë, me një qasje të modifikuar në dy faza. Faza e parë do të ishte arritja e një marrëveshje të përkohshme (JCPOA minus) që është më e kufizuar se marrëveshja origjinale bërthamore.

Faza e dytë, do të ishte arritja e një marrëveshje që e tejkalon origjinalen, dhe që riparon të metat e saj (JCPOA plus). Elementët kryesorë të marrëveshjes së parë të ndërmjetme do të ishin de-përshkallëzimi i tensionit, pezullimi i aktivitetit bërthamor të Iranit, dhe lënia në fuqi e lëshimeve të mjaftueshme për t’i dhënë Iranit nxitjen për të hyrë në një raund tjetër bisedimesh për arritjen e një pakti të ri.

Gjatë periudhës së marrëveshjes së përkohshme, ekipi i Biden duhet të nxjerrë mësime nga përvoja e dy administratave të fundit në lidhje me aktivitetet e Iranit në rajonin përreth. Nën presidentin Barack Obama, Shtetet e Bashkuara iu shmangën përballjes me Teheranin mbi këtë çështje, qoftë përmes marrëveshjes bërthamore, apo jashtë saj.

Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump, ndërmori disa hapa të guximshëm kundër sjelljes problematike të Iranit në Lindjen e Mesme, dhe tregoi se një qasje më e ashpër nuk do të çonte në një luftë (apo edhe në tërheqjen e Iranit nga marrëveshja bërthamore).

Tani,Uashingtoni duhet të koordinojë përpjekjet midis partnerëve rajonalë, për të denoncuar dhe kapur dërgesat me armë të Iranit për milicitë e mbështetura prej saj në rajon, duke parandaluar në këtë mënyrë sulmet e planifikuara.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe mund t`a lehtësojë bashkëpunimin në këtë përpjekje. Njëkohësisht, Uashingtoni duhet të bëjë një përpjekje të përbashkët për të forcuar ushtritë aleate arabe. Për më tepër, Shtëpia e Bardhë duhet të promovojë bashkëpunimin midis Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik për mbrojtjen nga raketat iraniane.

Uashingtoni nuk ka gjasa që të arrijë dhe të zbatojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Iranin, si për çështjet bërthamore ashtu edhe për ato rajonale. Për këtë arsye, marrëveshja e fazës së dytë – ajo që përmirëson marrëveshjen e vitit 2015 – duhet të përqendrohet në frenimin e programit bërthamor të Iranit në masën më të madhe të mundshme.

Shtetet e Bashkuara, duhet të kërkojnë që të zgjasin kufizimet e marrëveshjes fillestare me 30 vjet të tjera, duke iu nënshtruar një regjimi inspektimesh që rezervon të drejtën për të kontrolluar objektet e Iranit “në çdo kohë dhe kudo”; kjo duhet të kufizojë më tej kërkimin bërthamor të Iranit.

Nga ana tjetër, nëse administrata Biden rikthehet në marrëveshjen fillestare, ajo duhet t’u bëjë të qartë aleatëve të saj se pjesëmarrja e saj është e kushtëzuar nga përfundimi i një marrëveshjeje tjetër, brenda 18 muajve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, do të duhet të jenë të përgatitur për mundësinë që ata të mos arrijnë një marrëveshje të pranueshme me Iranin brenda 18 muajve. Në atë rast, ata duhet të jenë të përgatitur për të çuar sanksionet në pikën e“presionit maksimal”, dhe për

të përfunduar një marrëveshje paralele midis SHBA-së dhe aleatëve të saj të Lindjes së Mesme, duke përshkruar linjat e kuqe për programin bërthamor të Iranit dhe duke u përgatitur edhe për opsionin e fundit ushtarak.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pavarësisht kundërshtimeve

SHBA kthen sanksionet e OKB-së ndaj Iranit