MENU
klinika

Mësimet nga historia

Pse vetëm vaksinat nuk mjaftojnë për të çrrënjosur një virus

30.01.2021 - 09:49

Sëmundja e lisë vrau pafundësisht njerëz – 300 milion vetëm në shekullin XX – para se të shpallej përfundimisht e zhdukur më 8 maj 1980. Ishte një ditë e rëndësishme, që shënoi atë që kreu aktual i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom Gebrejesus, e quajti “ si triumfi më i madh i shëndetit publik në historinë botërore”.

Siç ka theksuar një studiues, lija “u çrrënjos vetëm përmes vaksinimit”. Sot, kjo arritje shihet si inkurajuese, dhe duket si e mundshme të përsëritet teksa qeveritë në të gjithë botën po u thonë qytetarëve të tyre se vaksina anti-Covid do t’i japë së shpejti fund pandemisë, dhe do të rikthejë jetën tonë në normalitetin e dikurshëm.

Në të gjithë botën, ka një optimizëm të madh. Vaksinat janë një “dritë në fund të tunelit”, janë bileta jonë për “normalitetin”. Në fakt, fushatat aktuale të vaksinimit nuk po përpiqen të zhdukin SARS-CoV-2, virusin që shkakton Covid-19.

Por bazuar në historinë e vaksinimit kundër lisë, nëse varim shumë shpresat tek ky proces, do të jetë e vështirë të arrihet edhe “imuniteti i tufës” minimal që kërkohet. Edhe pse  çrrënjosja e lisë, është cilësuar shpesh si provë e suksesit përfundimtar të vaksinave, nuk duhet harruar se kjo sëmundje kishte bërë kërdinë për shekuj me radhë, para se të arrihej zhdukja e saj.

Një nga hapat e parë drejt çrrënjosjes së saj ndodhi në vitin 1796, kur mjeku Eduard Xhener injektoi në krahun e djalit 8-vjeçar të kopshtarit të tij, qelbin e nxjerrë nga disa plagë të trupit të një mjelëse lopësh. 150 vitet e ardhshme u karakterizuan nga shqetësimi për efikasitetin, sigurinë dhe efektet anësore të vaksinës. Deri në vitin 1963, mjekët britanikë ishin ende të alarmuar nga zvarritja e vaksinimit ndaj lisë, duke paralajmëruar se kjo “indiferencë” do të kërkonte një “program të gjerë të riedukimit të publikut”.

Problemi i vetëm nuk ishte hezitimi. Në shekullin XX-të, vaksinat u shpërndanë në mënyrë të pabarabartë në të gjithë globin, dhe shpërthimet periodike të kësaj sëmundje bënë që lija të mbetej endemike në pjesën më të madhe të botës, sidomos në vendet në zhvillim.

Kjo deri në vitin 1967, kur OBSH filloi programin e përshpejtuar10-vjeçar të çrrënjosjes së lisë. Në fakt, vetë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së në atë kohë, Marselino Kando, besonte se çrrënjosja e sëmundjes ishte thjesht e pamundur.

Ajo që ata kishin kuptuar, ishte se vetëm vaksinat nuk janë të mjaftueshme për të frenuar apo zhdukur një sëmundje. Në vend të kësaj, do të ishte thelbësore kombinimi i zhvillimeve teknologjike -si përdorimi i vaksinave në 2 doza – me përpjekje të tilla si mbikëqyrja, gjurmimi i rasteve, gjurmimi i kontaktit, dhe fushatat e komunikimit publik.

Ai program do të ndeshej me sfida të ndryshme, që nga financimi tek mosmarrëveshjet politike, dhe deri tek praktikat dhe normat kulturore. Ai do t’i kushtonte OBSH-së20 për qind të buxhetit të saj, dhe do të duhej një dekadë punë intensive, e cila do të kryhej në kurriz të ndërhyrjeve të tjera më themelore të kujdesit shëndetësor.

Por në fund pati sukses. Të paktën jashtë laboratorit, sëmundja e lisë ishte zhdukur.

Historia e çrrënjosjes së kësaj sëmundje, na mëson se vaksinat e teknologjisë së lartë funksionojnë vetëm kur ato kombinohen në mënyrë efektive me strategjitë e shëndetit publik të teknologjisë së ulët.

Këto të fundit përfshijnë izolimin dhe karantinën, dhe veçanërisht ndjekjen dhe gjurmimin e rasteve, si dhe elementet gjithnjë e më të rëndësishëm të besimit të publikut dhe komunikimit efektiv. Historia e lisë,na tregon gjithashtu se kontrolli i Covid-19 kërkon një përpjekje globale që plotëson nevojat lokale. Ne jetojmë në një botë me kufij jashtëzakonisht të depërtueshëm, madje edhe në kohë bllokimi.

Nëse ka na mësuar ndonjë gjë programi i çrrënjosjes së lisë, ajo është se zhdukja e përhershme e një sëmundje pandemike është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, dhe mund të arrihet vetëm nëse kombet këmbëngulin të veprojnë të izoluar.

Vetë vaksinimi nuk i dha fund sëmundjes së lisë. Kjo u realizua nga një ushtri e vogël njerëzish dhe organizatash që punuan intensivisht dhe në bashkëpunim mes tyre në mbarë globin, duke shpikur dhe improvizuar një sërë masash të shëndetit publik. Prandaj, duhet të krijojmë pritshmëri të arsyeshme se si mund të jetë fundi i pandemisë sonë aktuale, dhe çfarë do të na duhet për të mbërritur në atë pikë. / “The Conversation” – Bota.al