MENU
klinika

"20% e shqiptarëve, vaksinim në 3 muajt e parë"

Rakacolli: Janë paguar mbi 1 milion vaksina

02.01.2021 - 12:46

20 përqind e shqiptarëve do të vaksinohen brenda tremujorit të parë të vitit 2021, ndërkohë që Shqipëria, pjesë e aleancës COVAX, ka bërë pagesën për 1 milion e 140 mijë doza vaksinash anti-Covid.

Kjo është ajo çfarë thotë zv/Ministrja e Shëndetësisë, prof.dr. Mira Rakacolli, ndërsa shpjegon se qeveria shqiptare ka parë e po sheh paralelisht disa mundësi për marrjen e vaksinës.

Sipas Rakacollit qeveria shqiptare po ndjek të njëjtën praktikë si vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit Perëndimor përsa i përket vaksinimit.

“Ne jemi pjesë e aleancës COVAX, të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku bëjnë pjesë rreth 180 vende, një pjesë e të cilave janë vende me vetëfinancim, që i paguajnë vetë paratë dhe disa të tjerë, vende, pagesa e të cilave kryhet nga COVAX. Ne kemi bërë pagesën e plotë dhe kemi arritur ta bëjmë në kohë e të jemi në dritaren e parë. Në momentin që një nga vaksinat merr certifikatën nga agjencitë prestigjioze farmaceutike e marrim menjëherë me të gjithë vendet e tjera”, thekson prof.dr. Rakacolli.

Ajo shton se sigurisht, nuk mund të vaksinohet gjithë popullsia menjëherë dhe është përcaktuar një strategji vaksinimi ashtu si në të gjithë botën.

Kështu, fillimisht do të vaksinohen personat më në risk: personeli shëndetësor dhe subjektet e shërbimit, si: mësuesët, punonjësit e policisë, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Pasaporta e Covid

Zv/Ministrja e Shëndetësisë flet edhe për të ashtuquajturën pasaportë COVID, për mënyrën e lëshimit të saj dhe nëse do të ndikojë diçka e tillë në lëvizjen e njerëzve në vendin tonë.

“Në Shqipëri nuk kemi diskutuar ende.

Kjo varet nga politikat që do të vendosin shtetet. Deri tani nuk ka një qasje të përbashkët të shteteve. Vende të ndryshme do të ndjekin politika të ndryshme. Por ajo çfarë mund të themi është se vaksinimi nuk është i detyruar dhe do të jetë falas.”

Testet e shpejta

Prof.dr. Mira Rakacolli flet edhe për testet e shpejta apo testet anti-gen, ndërsa shpjegon se përdorimi i tyre në situatën aktuale epidemiologjike ku ndodhet Shqipëria, ku transmetimi është komunitar, është jashtëzakonisht i mirë.

Ajo vëren se megjithatë duhet të kemi parsysh se testi i shpejtë ndryshon nga testi PCR apo tamponi, që njihet ndryshe si testi “golden standard”.

“Pozitiviteti i testit PCR ka të bëjë me zbulimin e materialit gjenetik të virusit ndërsa testet e shpejta kanë një bazë tjetër biologjike, atë të gjetjes së antigenit, që në kushtet e trasmetimit komunitar është tërësisht i besueshëm. Por testet e shpejta me target të caktuar janë të besueshme kur merren maksimumi brenda pesë ditëve nga fillimi i shenjave, ndryshe nuk mund të kesh besim të plotë”, tha ajo.

Rakacolli shpjegon se indikacionin për testet e shpejta e përcakton mjeku i familjes dhe nuk mjafton vetëm pasja e shenjave, ndërsa kur testi del negativ dhe personi ka shenja dhe situatë epidemiologjike të favorshme, që mund të jetë i infektuar atëherë diçka e tillë konfirmohet përmes tamponit.

Deri tani, nëpërmjet Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka marrë 100 mijë teste të shpejta, të cilat aplikohen në të gjithë vendin. Në Tiranë ka gjashtë qendra ku aoplikohen këto teste dhe vazhdon paralelisht edhe testimi me anë të tamponëve.

Nga ana tjetër, Rakacolli inkurajon popullsinë edhe që brenda janarit të bëjnë vaksinën e gripit të zakonshëm, të cilën, personat e interesuar mund ta gjejnë në qendrat e kujdesit shëndetësor.

Nje dite me pare kryeministri Edi Rama, bëri me dije për shqiptarët, pikërisht në ditën e parë të këtij viti, se shumë shpejt, në Shqipëri do të vijnë 500 mijë dozat e para nga Pfizer.

“Shopingu im në Nju Jork ka përfunduar me sukses. Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga Pfizer. Sasia e autorizuar menjëherë.

10750 dozat e para do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. Mbi 30 mijë doza të tjera në shkurt dhe të tjerat në muajt e tjerë. Ndërkohë që edhe me dy vende partnere kemi siguruar 9000 doza”, vërejti kryeministri.

Kryeministri Rama gjithashtu pohoi se qeveria ka garantuar gatishmërinë e dy vendeve partnere për 9000 doza në gjysmën e re të janarit.

“Nuk i them dot emrat, sepse nuk e di nëse marrëveshja e sotme me Pfizer do të ndikojë tek ato. Por nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm, kur ende s’dukej drita jeshile që u çel mbrëmë.

Ndërsa po negociojmë edhe me dy shtete të tjera për vaksina nga Pfizer dhe AstraZeneca. Do t’ju njoftojmë por jam falenderues, se asnjëri nga tjetri nuk hyjnë tek më të pasurit e Evropës por kanë patur bujari për të dëgjuar lutjet tona”, tha Rama./gazetasi