Katër protestuesit që humbën jetën në protestën e 21 janarit 10 vite më parë, do të nderohen me titullin “Dëshmorë të Atdheut”. Ky është vendimi që ka marrë Qeveria, bëri me dije sot kryeministri Edi Rama.
“Në këtë 10 vjetor qeveria ka vendosur të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut” për të katërt dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit”, tha Kryeministri.
Sipas Ramës, ajo ngjarje e hidhur ka ndikuar në historinë dhe rrugëtimin e qeverisë socialiste në dy drejtime. Si për marrëdhënien mes qeverisë dhe protestave ashtu edhe në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.
Kryeministri theksoi se “21 janari”, shërbeu për të nxjerrë në pah “në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe drejtësisë”.
Rama kujtoi se pas asaj ngjarje, qeveria e tij është përballur me “situata shumë herë më dramatike, nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës, në tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton kushtetuta e ligji, për të drejtën për të protestuar”.
Në këtë aspekt tha Rama, “kemi garantuar një reagim proporcional duke siguruar në cdo rast që në radhë të parë jeta e protestuesit të mos vihet asesi në pikëpyetje e dinjiteti i protestës që është dinjiteti i shoqërisë të mos shkelet në emër të mbrojtjes së gardhit apo në emër të mbrojtjes së hapësirës përtej gardhit pavarësisht ekseseve të përsëritura me të cilat e gjithë shoqëria është përballur drejtpërdrejt duke ndjekur zhvillimet e protestave”.
Pjesë nga fjala e kryeministrit
“Njëkohësisht sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi 10 vjecar në përpjekjen për të kuptuar bashkarisht se si ajo ngjarje tragjike dhe 4 jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore:
Nga njëra anë, në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën
Nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.
21 janari përtej plagëve të pangushëllueshme që hapi në shpirtin e familjeve të të 4 dëshmorëve e përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë, shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe drejtësisë.
Të politikës si mjet në funksion të pushtetit të kthyer në qëllim në vetvete dhe të drejtësisë si një mur i madh i pakapërcyeshëm për njerëzit e këtij vendi dhe për shoqërinë në përpjekje të kalimit nga një regjim totalitar n ë një shtet funksional mbi bazën e lirive e të drejtave të njeriut.
Nëse e shohim në aspektin e parë besoj se sot kemi të gjitha arsyet për tu përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve.
Humbja e jetës të të cilëve vuri një vijë të kuqe e qartësisht të lexueshme për të gjithë, duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar.
Unë jam krenar që ne si pjesë e asaj përpjekje në një kohë tjetër e në një kohë tejet të vështirë e të ngatërruar, me marrjen e përgjegjësisë së madhe të qeverisjes së vendit kemi qenë mishërimi i një vullneti të palëkundur për të garantuar për të gjithë e gjithmonë lirinë e të drejtën për të protestuar.
Në situata shumë herë më dramatike, nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës, në tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton kushtetuta e ligji, për të drejtën për të protestuar, kemi garantuar një reagim proporcional duke siguruar në cdo rast që në radhë të parë jeta e protestuesit të mos vihet asesi në pikëpyetje e dinjiteti i protestës që është dinjiteti i shoqërisë të mos shkelet në emër të mbrojtjes së gardhit apo në emër të mbrojtjes së hapësirës përtej gardhit pavarësisht ekseseve të përsëritura me të cilat e gjithë shoqëria është përballur drejtpërdrejt duke ndjekur zhvillimet e protestave.