Këtë vit pritet ndryshimi më i madh në ekonominë shqiptare. Fiskalizimi, ose siç njihet ndryshe lëshimi i faturave elektronike, do të nisë me bizneset që kanë marrëdhënie tregtare me qeverinë. Nga 1 shtatori 2021 të gjitha bizneset, do të lëshojnë fatura elektronike.
Biznesi u tremb kur dëgjoi fjalët ‘fiskalizim’ apo ‘faturë elektronike’. Shumë u shprehën se kostot dhe dalja jashtë tregut e kasave fiskale do të jenë të pashmangshme.
Për të sqaruar çdo dyshim Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të zhvillojë takime informuese, takime që u hapën fillimisht më Vlorën dhe do të vijojnë me radhë dhe në qytete të tjera, për të qartësuar çdo problematikë.
Anila Denaj e shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve dhe në prani të prefektit Flamur Mamaj, gjatë fjalës së saj, u shpreh:
“Ky proces synon përmirësimin e informacionit, si dhe thjeshton operacionet.
Së pari, të gjitha marrëdhëniet do të jenë elektronike, pra të dhënat kryqëzohen në mënyrë të menjëhershme dhe në kohë reale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Së dyti, fatura është elektronike dhe ajo do të ketë një përfaqësim të tre dimensioneve, marrëdhëniet biznes me entet publike, siç thashë filloi në datën 1 janar 2021, marrëdhëniet biznes me biznes apo të gjitha marrëdhëniet që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar dhe siguron në 1 korrik të këtij viti dhe marrëdhëniet me qytetarët, marrëdhëniet kesh që fillon me 1 shtator.
Përdorimi i portalit “Selfcare” apo “I vetëshërbimit” në formatin e reformës së fiskalizimit është një element shtesë, i cili duke qenë pa kosto do të ndihmojë biznesin e vogël, por për të gjithë biznesin, për ata që do të jenë nga 1 shtatori të detyruar për të qenë pjesë e faturës elektronike dhe nuk do të thotë ndryshim rrënjësor i të gjithë formatit që aktualisht ekziston”.
Pyetja që shqetëson më shumë biznesin është ‘A do të ketë rritje të kostos?’.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha në lidhje me kostot e këtij procesi, Ministria e Financave, ashtu edhe Administrata Tatimore vijojnë të kenë të njëjtin qëndrim, por pa dhënë ende asnjë shifër.
“Reforma e fiskalizimit, ndryshimi i mënyrës së faturimit është një proces, i cili do të hap tregun në përdorim të shumë prodhuesve të zgjidhjeve softuerike. Nga ana tjetër qeveria është kujdesur që për biznesin e vogël të mos kishte asnjë kosto shtesë”.
Çfarë ka nevojë të përmirësohet, apo të shmanget nga aplikimi i parashikuar?
Kostoja është në kuptimin e adaptimit të punës, individëve dhe proceseve të një biznesit, të cilat duhet të ndryshojnë për t’iu përshtatur kërkesave të reja të ligjit.
Për të vënë në punë strukturën e fiskalizmit të një biznesi, do i duhet përveç softit, një pajisje hardëare, ku do instalohet certifikata dixhitale nga AKSHI, internet, printer etj.
Kemi 3 grupe biznesesh:
Bizneset që e kanë të gjithë infrastrukturën e gatshme – Tatimpagues të mëdhenj, që janë të pajisur me kompjutera, printera, internet, UPS, etj. të cilat kanë vetëm koston e adoptimit të stafit dhe përshtatjen e faturimit në kohë reale.
Bizneset relativisht të vogla apo edhe të mesme. Këto biznese mund të kenë në përdorim kompjuter dhe printer, por ato duhet të investojnë për t’i patur këto pajisje të sigurta dhe me kontrata mirëmbajtje në mënyrë që në rast difekti pajisjet të rregullohen sa më shpejt. Këto subjekte duhet të sigurojnë gjithashtu furnizim me energji elektrike të pa ndërprerë dhe internet të sigurt që do të çojë në një rritje eventuale të kostove.
Bizneset e vogla – Janë në dileme se çfarë duhet të bëjnë. Ministria e Financave si edhe Drejtoresha e Tatimeve e kanë deklaruara shpesh se kasat fiskale duhet të bëjnë transmetim në kohë reale si edhe kasat fiskale ekzistuese do të vazhdojnë të punojnë nëpërmjet serverit të ndërmjetëm.
Edhe nëse kasat do vazhdojnë të qëndrojnë në lojë, do të kenë koston e përshtatjes, koston e mirëmbajtjes.
Pyetjet nuk mbarojnë këtu! Sa do të kushtojë sistemi i ri? Sa do të paguhet për programet software? Sa kohë do t’i duhet stafit të një biznesi të përshtatet me sistemin? Sa do të kushtojë mirëmbajtja e pajisjeve? Për një dyqan rrobash tek Shallvaret apo një lokal tek rruga e Elbasanit nuk i mbetet veçse të presë dhe të shohi çdo bëhet me të.