Donald Tramp nuk do të marrë pjesë në betimin e Xho Bidenit. Ndonëse tingëllon e pazakontë, nuk është hera e parë që presidenti në largim, të mos jetë i pranishëm në ceremoni./Konica.al
Sot, gjatë inaugurimit të Xho Bidenit do të dëgjohet zëri i Ledi Gaga-s, duke kënduar Himnin Kombëtar, plot 14 ditë nga dita kur mbështetësit e Donald Trampit sulmuan Selinë e Kongresit. Nën drejtimin e presidentit të ri, vendi, tashmë më i ndarë sesa ka qenë ndonjëherë ndër vite, do ketë mundësinë të ribashkohet.
“Rëndësia klasike e ceremonisë së përurimit, – shprehet Jurgen Martschukat, ekspert i historisë së SHBA-së në Universitetin e Erfurtit, – është kalimi i pushtetit përmes një ceremonie paqësore”. Mirëpo, nëse u hedhim një vështrim librave të historisë vërejmë sesi ceremonia e këtij viti është ndryshe. Gjesti domethënës i kalimit paqësor të pushtetit, që nga koha kur Xhorxh Uashington (George Washington) u zgjodh presidenti i parë amerikan, duke bërë bërë betimin mbi Kushtetutë, më 30 prill 1789, ka qenë prania e paraardhësit në largim. Gjithsesi, Trampi ka njoftuar vazhdimisht, se nuk do të marrë pjesë. Megjithëse, rituali i sotëm nuk mundëson edhe shumë publicitet në kuptimin tradicional, për shkak të pandemisë dhe shqetësimeve rreth dhunës. Përurimi, do të bëhet kryesisht, në mënyrë virtuale.
Edhe ceremonia e Xhefersonit (Jefferson) ishte pa paraardhës
Njoftimi i Trampit na evokon të tjera raste në historinë e presidentëve të SHBA-së, kur paraardhësit presidencialë nuk kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e përurimit.
Tomas Xheferson, për shembull, hyri në Dhomën e Senatit të Kapitolit në Uashington rreth mesditës së 4 marsit 1801, i shoqëruar nga anëtarë të Kongresit dhe oficerë të një milicie civile dhe e bëri betimin e detyrës brenda pak minutash, ndërsa banda e flotës luajti për herë të parë, siç do të bënin në çdo rast. Ishte përurimi i parë në kryeqytetin e sapothemeluar dhe i pari ku paraardhësi i presidentit, Xhon Adams (John Adams), nuk mori pjesë; ai ishte ende i zhgënjyer nga humbja e zgjedhjeve.
Ka pasur raste, kur nuk pati ceremoni, pasi presidenti në largim thjesht, nuk mund të ishte i pranishëm. Rasti tipik qe më 22 nëntor 1963, në orën 2:38 të pasdites, me kohën lokale, kur Lindon B. Xhonson (Lyndon B. Johnson) u betua mbi Kushtetutë, në bordin e avionit presidencial “Air Force One” në aerodromin e Dallasit. Dy orë më parë, Presidenti Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy) (1917-1963), feneri i shpresës amerikane, sapo ishte vrarë. Përkrah Xhonsonit, qëndronte e veja e Kenedit, Zhaklina, me gjakun e të shoqit ende në kostumin ngjyrë rozë, “Chanel”.
“Makthi mbaroi, Kushtetuta funksionon”
Edhe mungesa e Riçard Niksonit (Richard Nixon) spikati, kur zëvendëspresidenti Xherald Ford (Gerald Ford) bëri betimin në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, më 8 gusht 1974. Nikson kishte deklaruar dorëheqjen me një fjalim televiziv, pasi ishte dukshëm e qartë, se do të fajësohej nga Kongresi për skandalin “Watergate”. Fjalimi i parë publik i Fordit, duhej të tingëllonte optimist: “Shokët e mi, amerikanë, – tha Ford, – makthi ynë i gjatë, mbaroi. Kushtetuta jonë, po funksionon”. Vetëm një çerek shekulli më vonë, pas mandatit katërvjeçar të republikanit Donald Tramp në detyrë, Xho Biden mund të merrte sugjerim nga fjalët e Fordit. “Ndarja e vendit, papajtueshmëria në rritje e dy partive të SHBA-së, ka ardhur prej viteve 1970, – tha për DW, historiani Jürgen Martschukat. Ai e sheh Trumpin, si “efektin e një konflikti të ngadaltë, midis kampeve të ndryshme – midis zonave urbane dhe rurale, fitimtarëve dhe humbësve në një botë gjithnjë e më të globalizuar. Ne e kemi injoruar atë, për shumë kohë”. Ka ndodhur edhe herë tjetër, theksoi ai, që shtetet u përplasën kur një president mori detyrën, përkatësisht pas luftës civile në Amerikë, më 1869, kur Andrej Xhonson (Andrew Johnson) ia kaloi presidencën Ulise Grantit (Ulysses Grant). “Ky kalim detyre, i dha fund ndoshta, periudhës më të rëndësishme në historinë amerikane, – tha Martschukat. – Mungesa e presidentit në largim, ishte një goxha reflektim i ndarjes së vendit”.
Racizmi vijon ta ndajë SHBA-në
Abraham Linkolni kishte deklaruar, se, nuk do të toleronte suksesionin kohë para shpërthimit të luftës civile katërvjeçare, mes viteve 1861-1865. Si reagim ndaj zgjedhjes së kundërshtarit, pro shfuqizimit të skllavërisë si president i SHBA-së, shumica e shteteve të Jugut u shkëputën nga Unioni, gjatë dimrit 1860-1861. Lufta, që shkaktoi qindra mijëra viktima mori rrjedhën e saj, mirëpo Linkolni nuk jetoi aq sa të shihte kapitullimin e Konfederatës. Ai vdiq më 15 prill 1865, i vrarë fill pas rizgjedhjes si president. Arsyeja kryesore e përplasjeve gjatë luftës civile qe skllavëria. Sot, racizmi vijon ende ta ndajë vendin dhe siç shprehet historiani Martschukat, është “faktor themelor” në debatin politik të SHBA-së.
Në vetvete, ishte pikërisht kjo, ajo që e bëri Barak Obamën një rreze shprese. Rreth 1.8 milionë qenë të pranishëm gjatë betimit në detyrë, më 20 janar 2009 – i pari president me ngjyrë amerikan, që arriti ta bëjë këtë. Përurimi i Obamës ishte një demonstrim i multikulturalizmit të Shteteve të Bashkuara: Si gjithmonë, luajti banda e flotës, por performanca e Areta Frenklinit goditi drejt e në zemrat e njerëzve. Ajo këndoi himnin kombëtar jozyrtar të SHBA-së: “Amerika (My Country ‘Tis of Thee)”. Një odë lirie, pasqyruar në lirikat e saj, siç janë: “Toka ku vdiqën etërit e mi, toka e krenarisë së pelegrinit; nga çdo shpat mali, le të kumbojë liria”. Kënga patriotike, e shkruar nga Samuel Francis Smith në 1831, prezanton amerikanët, prej kohës së Deklaratës së Pavarësisë, më 1789. “Flet për lirinë dhe ndjekjen e lumturisë, – na kujton Martschukat. – Këto premtime iu bënë të gjithë qytetarëve, veçse qysh në fillim, pati nga ata që mbetën të përjashtuar”. Gratve, afrikano-amerikanëve dhe pakicave të tjera, u është dashur të luftojnë për ato gjoja të drejta themelore. “Konflikti vazhdon gjatë gjithë historisë amerikane dhe ka arritur kulmin, në vitet e fundit, – analizon historiani. – Ajo që bashkon është po ajo që ndan”.
Në përurimin e presidentit të ardhshëm të SHBA-së, Xho Biden dhe Zëvendëspresidentes, Kamala Harris, do të përfshihen edhe shumë yje. Aktori Tom Henks, do të prezantojë një speciale televizive, titulluar “Celebrating America”, ndërsa do të interpretojnë muzikantët Brus Springstin, Bon Xhovi dhe Xhenifer Lopez. Katër vjet pas sloganit të fushatës së Donald Trump: “Make America Great Again”, i takon Presidentit Biden, ta bëjë realitet këtë premtim, sipas mënyrës së tij./Konica.al
(DW)