Ridgefield, CT. “Ne, Populli i Shteteve të Bashkueme, me Qëllim të formimit të nji Unioni ma të përsosun”…. lexohet në fjalinë e parë të Preambulës së Kushtetutës Amerikane të shkrueme ma shumë se dyqind vjet ma parë.
Tue interpretue këte shprehje, Zonja Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqsuesve të SH.B.A-s shkroi, më 2 korrik 2017:
“Themeluesët (e shtetit tonë) e kuptuen se Kushtetuta do të ishte ma shumë se nji strukturë ligjore. Kushtetuta do të ishte shprehja themelore e aspiratave tona si popull dhe si shtet….nepërmes kuadrit (kushtetues) çdo brezëni amerikane punon të jemi sa ma afër”…nji unioni ma të persosun”. Fitorja e ekipit “Biden-Harris” ashtë nji hap përpara drejt qellimit: nji unioni (bashkim shtetesh) ma të përsosun!
Ky besim i patundshëm për ma shumë se dy shekuj, u thye më datën 6 janar 2021 nga nji turmë pa tru dhe rrebelë pa kauzë, e nxitun nga askush tjetër por vetë Presidenti i Amerikës, Donald J.Trump, Jr. i mundun keqas në votimet e fundit dhe tani jashtë Shtëpisë së Bardhë. Shtypi amerikan doli me tituj të mëdhej: TRUMP INCITES MOB.(Trumpi nxitë rrebelët) Ai bani thirrje:
“Na do të shkojmë (në Capitol Building) dhe unë do të jemë atje bashkë me ju, na do të ecim deri atje në Capitol Building dhe do të duertrokisim senatorët guximtarë dhe deputetët, e zonjat, dhe ka mundësi që na nuk do të duertrokisim për shumë kohë për disa prej tyne…
Sepse ju nuk do të merrni në duert tueja atdheun tuej me dobësi. Ju duhet të tregoni forcë. Na jemi tue kërkue që Kongresi të baj atë që ashtë e drejtë, dhe vetëm zgjedhsit e zgjedhun ligjërisht, të zgjedhun ligjërisht…Na do të luftojmë. Na do të luftojmë deri në fund. Sepse në se ju nuk luftoni ju nuk do të keni nji atdhe përsëri. Shkoni në Capitol, dhe luftoni pa frikë deri në fund; përndryshe do të mbeteni pa atdhe”. Presidenti Trump me gjithë premtimin e dhanun nuk doli nga Shtëpia e Bardhe…!(Theksi im) Turma pa tru u nis dhe lojalistët e ish-Presidentit u drejtuen kah Capitoli.
Reagimi i popullit amerikan ka qenë i shpejtë dhe pa rezerva: ata hodhën poshtë “gënjeshtren e madhe” që lëshoi ish Presidenti rebel për vjedhjen e votave; prodhimi i imagjinatës tij të smurë krijoi huti në fillim, por vendosmëni në udhëheqje. Zonja Pelosi, u shpreh:
“Presidenti i Shteteve të Bashkueme ka nxitë kryengritjen, kjo lëvizje ashtë rebelim i armatosun kundër vendit tonë të perbashkët. Ai duhet të largohet. Ai ashtë nji gënjeshtar, dhe nji rrezik edhe sot për këtë komb që na të gjithë e duem. I them këto fjalë me dhimbje në zemër”. Me këte deklaratë ajo kërkoi fillimin e procesit për “impeachment”(akt paditës) dhe dënimin e ish Presidentit Trump për herën e dytë.
Nji mendje e ndritun, filozofi amerikan, Timothy Snyder, autor i nji analize magjistrale të botueme në The NYT Magazine të datës 17 janar 2021, shkruen:
“…Kur Presidenti Trump foli para ndjekësve të tij më 6 janar (2021) dhe kërkoi nga ata me marshue drejt Capitolit të Shteteve të Bashkueme, ai veproi ashtu si ka ba gjithëmonë. Ai nuk e shikoi demokracinë elektorale seriozisht, as pranoi legjitimitetin e versionit (demokratik) amerikan. Këtu ashtë baza e mendimit politik të Donald Trump. Mospranimi ose mosrespektimi i sistemit demokratik, nxitën atë në formimin e nji sistemi të imagjinuem nga ai”. Këtu del personaliteti i tij si narsicist ekstrem, gënjeshtar patologjik, i uritun për pasuni dhe hakmarrës…
Nga ana politike, kryetari republikan i Senatit, Mitch McConnell deklaroi para Senatit: “Turma e pa tru u drejtue nga gënjeshtra,… {Rrebelët) u provokuen nga Presidenti dhe nga personalitete tjera të fuqishme. Këta u përpoqën me shfrytëzue frikën e dhunën që synojshin me parandalue procedurën specifike të degës së parë (Dhomës) të Qeverisë Federale, që ata nuk e duen…”
Amerikanët kanë durue shumë me përkrahjen e tyne për “shpirtin e Amerikës”. Por beteja “për shpirtin e këtij kombi” vazhdon, dhe miljonët e Amerikës sot presin që Administrata e re “Biden-Harris” dhe Kongresi 117-të t’i jap fund njiherë e përgjithëmonë aventurave të rrezikshme!
E gjitha kjo katrahurë vetëm për nji “gënjeshtër të madhe”!
Cila ishte “gënjeshtra e madhe?” Ish-Presidenti Trump refuzoi me pranue rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nandorit 2020 menjiherë mbasi Komisioni Qendror i zgjedhjeve njoftoi se ish N/Presidenti Biden kishte fitue 7 miljonë plus vota ma shumë se kundërshtari i tij Trump. “Na kemi fitue”, deklaroi Trump publikisht, “dhe pala tjetër ka mashtrue dhe manipulue. Prandej unë nuk pranoi.”
Reklamimi i Trump-it nuk ka asnji fakt që e justifikon. Ashtë thjesht gënjeshtër!
E gjithë kjo pa asnji fakt konkret, as dokument. Votimet e nandorit 2020 konsiderohen nga ekspertët si ma të rregulltat dhe ma të besueshmet që njihen në Amerikë. Rezultatet u aprovuen nga të gjitha Dhomat e Perfaqsuesve dhe Senatet e 50 shteteve amerikane. Trumpi insistoj në rinumrimin e votave në disa shtete. Edhe kjo kerkesë u pranue dhe rezultatet nuk treguen nji ndryshim. Ma shumë se 90 ankesa janë paraqitë para Gjykatave Federale Amerikane, dhe asnji prej tyne nuk ashtë pranue. Edhe Gjykata Supreme e Amerikës hodhi poshtë kërkesen republikane me formulen “without merit” (pa merita).
Ajo që tërhoqi vrejtjen e vëshguesve kanë qenë dy episode:
E para, N/Presidenti M.Pence, refuzoi urdhnin e Presidentit Trump, me gënjye tue tregue numrin falso të votimit që do të justifikojshin “fitoren” e Trumpit. “Kushtetuta kërkon nga unë vetëm numrimin e votave dhe deklarimin publik të numërimit. Asgja tjetër” tha ai. Me këte gjest, N/Presidenti Pence dërmoi shpresën e fundit të ish-Presidentit për nji “fitore”.
Për këte ai u denue nga “rrebelët” dhe u kërcënue me vdekje.
Dhe, e dyta, dhetë republikanë votuen kundër Trumpit. Ishte “thyemja” e parë e“fortesës Trump”!
Në nji situatë të këtillë, kryetarja e Dhomës së Përfaqsuesve, Nancy Pelosi, deklaroi se Dhoma planifikonte me demaskue veprimtarinë e Trumpit dhe me kërkue nga Kongresi dënimin për herë të dytë (Impeachment) të fajtorit.
Nji akt i këtill nuk do të lejonte atë me kandidue për presidencë ma vonë- nji andërr që ai sot ushqen!.
Nji sulm kundër Capitolit në Washington, D.C kaloi edhe imagjinatat ma të ndezuna të nji udhëheqsi, dhe na kujton revolucionet e tetorit 1917, djegjen e Reichstagut me 1933 dhe aktet tjera barbare që kryejnë rrebelët e pakontrollueshëm në raste të këtilla. Kjo klasë injorantësh dhe qellimzezë sulmoi “Katedralen e Demokracisë” me shpresë se me dhunë do të fitonte barbarizmi që i cilëson në përpjekje me mohue fitoren e marrun nga votimet e lira. Demokracia triumfoi!
Fajtorët pësuen dënimin e duhun, u arrestuen dhe do të dalin para gjykatave amerikane. Frymëzuesi i tyne, megalomaniaku Trump do te kalojë në harresë si nji i çmendun që kishte zanë nji vend të pamerituem, dhe nxitës i trazimeve që tronditen opinionin publik, tue shkelë betimin e dhanun solemnisht me mbrojtë dhe mbështetë Kushtetutën. Fatkeqsisht nji oficer policie u vra nga demonstruesët, dhe katër tjerë vdiqën në rrethana akoma të pasqarueme.
* * *
Të gjitha “kauzët e humbuna” kuptojnë se jeta e tyne mbahet gjallë me gënjeshtra, të mëdha e të vogla, gënjeshtra që mbështeten nga bindja se kërkohet nji narrativë që mobilizon masat e popujve me veprue me nji politikë dhune, dhe në emën të nji ideologjie. Pak kombe në botë mund të deshmojnë për këte gjykim ma mirë e ma plotësisht se shqiptarët që mbijetuen fashizmin italian, nazismin gjerman, shkombëtarizimin jugosllav, sovietizimin rus e infiltrimin e maoistëve kinez në ekonominë tonë. Gënjeshtra, gënjeshtra, të vogla e të mëdha…
Ç’ashtë “trumpizmi” në formën që dëshmuem ne?
Argumente për vjedhjen e votave, dhe nji fiksion i elaboruem që lufton me krijue nji “realitet” që nuk ekziston, “an alternative reality”, dhe me mohue “të vertetën” që vritet pa mëshirë sepse “e parandësi”, dhe e zëvendsueme me mendimin e “udhëheqsit të pagabueshëm dhe të padiskutueshëm”.
Nji atmosferë ku qytetet e mëdha paraqiten si qëndra të korruptueme plot me “zezakë” dhe jo të “bardhë”, që manipulohen nga “elita të bardha”; ku Barak Obama quhet si “nji huej”, nji lëvizje socialiste cakton taksat për ju, e ju nënshtron qeverive të mëdha e të fuqishme, media liberale me shkatërrue familjet dhe vlerat konservative, universitete dhe shkolla që mësojnë për të rinjte nji histori që urren Amerikën, anmiqsi kundrejt të bardhëve që kërcënojnë vizionin e veçante të kombit (i njohun si “exceptionalism”)…dhe çdo tjetër version urrejtje.” Trumpizmi ashtë koshient për atë që urren: liberalizmin, emigrantët, nderhymjet në ngjarjet e jashtëme, e sidomos pluralizmin etnik dhe racor etj.
Asht pergatitja për nji atmosferë “nihilizmi konspirativ” që zakonisht përbuzë arsyen dhe frikësohet nga “ndryshimet” që imponon koha! Sot, Trumpi humbi, por ai dhe rrethi i tij do të gjejnë mënyra me mbajt prezencën e tyne në Partinë Republikanë, ose me formue nji Parti politike të re, me përgatitë nji shumicë për nji fitore të ardhme: “nacionalizmin kristian” (sic!) dhe klasën e bardhë e të pakënaqun.
Andre Higgins i referohet Ambasadorit gjenial amerikan në Moskë, George Kennan, kur shkruen për”… paralajmërimin e fuqisë së madhe që kanë forcat e mshehuna me gënjeshtra të mëdha. Bashkimi Sovjetik (në 1944) ishte nji rast i këtill që ka provue se”… ekzistojnë disa çfaqje shqetësuese në lidhje me qeniet njerëzore”. Sukseset e propagandës sovjetike në vitet e mbas L2B e konfirmon këtë gjykim.
Unë e kam perjetue në Shqipëri në vitet 1945-46. Ashtë e frikëshme me deshmue shumë individë që bien viktimë e “kerkesave” e me besue praktikisht çdo gja, sidomos gënjeshtrën. Ska randësi që nuk ashtë e vertetë ajo që kerkohet. Për ata që e besojnë gënjeshtra bahet e vertetë: fiton vlerën dhe të gjithë pushtetin që ka “e verteta”.
Përvoja e Ambasadorit Kennan në Bashkimin Sovietik u çfaq këto vite në Amerikë, nji vend ku dhjetra miljonë qytetarë “besojnë” të “vertetën e trillueme” nga Trumpi : Kandidati Biden ka humbë votimet në nandor 2020, e se ai inaugurohet President në mënyrë të pa ligjshme…“gënjeshtra e madhe”!
“Populli nuk dëshiron gënjeshtra; por gënjeshtari do të gjej gjithmonë persona që i lejojnë vehtes me u gënjye” (Macchiavelli, Il Principe) Presidenti i Sllovenisë, J.Jansa, uroi Presidentin Trump për fitore.
“Ashtë krejtësisht e qartë që populli amerikan ka zgjedhë Trump” tha ai, dhe ankohet që “aktet mohohen nga shtypi kryesor!” (sic!). Peter Kreko i The NYTimes, korrespondent në Budapest, e shef i nji grupi hetimor, shkruen se këto gënjeshtra janë rezultati i “tribal mind-set” që shikon çdo përpjekje si nji ballafaqim në mes të së mirës dhe të së keqes të ngulituna në traditën tribalistike.
Kështu përpjekja politike merr formën e nji lufte dhe kërkon mbështetje pa kondita për udhëheqsin/bajraktarin e grupit tribal.
Në se ju flisni kundër keni “tradhëtue”.
Ajo që ban këte situatë nji gjendje të rrezikëshme nuk ashtë vetëm se tribalizimi ashtë i papajtueshëm me pluralizmin politik dhe politikën demokratike; por “tribalizmi ashtë nji formë natyrore e politikës. Demokacia ashtë nji deviacion!”(P.Kreko) “Dobia” e nji gënjeshtre të madhe u provue gjatë shekullit 20 me sloganin se jahudinjët janë përgjegjës për të gjitha të kqiat dhe dominojnë të gjithë botën.
Rezultati i kësaj gënjeshtre monstruoze u vulos për jetë me turp nga krematoret hitleriane dhe gulagët sovjetikë në Siberinë e akulltë- nji turp i përherëshëm dhe i pashlyeshëm për të gjithë njerëzimin!
Sot, vendi i jonë duhet të ngrihet nji shkallë ma nalt në udhëtimin tonë për nji union (bashkim shtetesh) ma të persosun!
Republika e Shteteve të Bashkueme të Amerikës duhet të ngrihet përsëri në piedestalin e nderit që meriton, dhe të rifitojë admirimin e botës ashtu si e meriton. Ky ashtë misioni historik i çiftit “Biden-Harris”. Nji hap i madh drejt “…nji unioni ma të përsosun”!
“Barka e demokracisë amerikane u sulmue nga vetë Presidenti Trump. Ajo nuk u tund! Por ky akt vandal na kujton se jemi në nji gjendje ku aksionet me parandalue “sulme” të këtilla kërkojnë gjeste të forta e kuptimplote, dhe sidomos ide të reja, sisteme mendimi të reja.
Sot, na duhet të rikujtojmë “kontratën sociale” në mes të popullit e qeverisë dhe të angazhohemi për idenë e nji atdheu të bashkuem tue i dhanë fund ndasisë së thellë që krijoi presidenti i dështuem, dhe të mendojmë se sa të lidhun jemi njëni me tjetrin, me kuptue se afrimi në mes nesh ashtë nji domosdoshmëni objektive”. (T. Snyder, Yale U.)
Më 21 janar, Joseph Biden deklaroi publikisht dënimin e “supremacisë së bardhë në SHBA” dhe kaloi ne histori si presidenti i parë! Hapi i parë drejt bashkimit kombëtar ashtë ndershmënia!
“Ajo që ngjau në Capitol Hill mbas disfatës së Trumpit ka qenë nji lajm i keq për ‘populistët’ e Europës” shkruen intelektuali francez Dominique Moisi, i Institutit Montaigne.
“Tregon dy gjana: Në se zgjidhni ‘populistët’ ata nuk largohen lehtësisht, dhe nëse nuk i zgjidhni shikoni se çka janë në gjendje me ba tue mobilizue pakënaqsinë popullore”.
Udhëheqsit e lëvizjes populiste njeni mbas tjetrit u distancuen tue mos u shprehë në favor: Marine le Pen, Francë, Matteo Salvini, Itali, Gert Wldert e Thierry Baudet, Holandë, Presidenti Duda, Poloni, Viktor Orban, Hungari, Erdogan, Turki, nuk gjetën guxim me përkrahë rebelin pa kauzë, Donald Trump.
Prof. Snyder formulon tezën se periudha mbas shkeljes së vertetës ashtë pre-fashizëm, nji hap që siguron ardhjen e fashizmit në formën e tij ma të plotë….Kur heqim dorë nga e verteta na i japim të drejtën atyne që me pasuni ose me karizma krijojnë nji spektakël në vendin e së vertetës”. Nji fenomen të këtill e kemi përjetue edhe në Shqipërinë tonë me fashizmin, e sidomos me komunizmin- manifestime të mëdha e të zhurmëshme me mbulue “gënjeshtrën e madhe” qeveritare.
Na humbim aftësinë me dallue fiktiven që na ofrohet. Trump nuk ka vizion përveç glorifikimit personal. Trumpi ka imitue udhëheqsit fashistë e pro-fashistë tue predikue fjalën e tij si “të vërteta” absolute. Terminologjia e perdorun ashtë shpesh herë e huazueme nga ata. Shprehja “fake news” ashtë naziste “Lugenpress”, gazetarët janë “armiqt e popullit” ashte frazë hitleriane me heshtë shtypin e lirë etj. Në nji atmosferë të këtill, ish-Presidenti e ndiente vehten të fortë me quejtë të gjithë kundërshtarët “gënjeshtarë”. Hannah Arendt e quen këtë fenomen “fabrikim i faktualitetit”.
Mbi politikën e jashtëme: Presidenti Biden besohet se do të hjedhë posht parullën “Åmerica first” si nji manifestim superioriteti që ofendon të gjithë kombet e botës, e damshme, dhe që na kujton parullën hitleriane “Deutschland uber alles”. Biden premtoi se do të fillojë bisedimet me Iranin, do të firmojë marrëveshjen pesëvjeçare me Rusinë të Traktatit të Armatimeve, të forcojë lidhjet me NATOn-n, dhe të tërheq kërcënimet bajate të ish-presidentit, si dhe do të anulojë direktiven raciste për ndalimin e emigracionit nga gjashtë vende myslimane…në kërkim të nji bote ma paqësore!
Njikohësisht, Presidenti Biden do të ndëshkoj Rusinë për përpjekjet e saj me influencue zgjedhjet amerikane në 2016 dhe përsëri në 2020, si dhe me forcue bashkëpunimin me vendet e botës në luftë kundër virusit Covid-19 që ban sot kërdinë në botë. Ai ashtë koshient i përpjekjeve ruse me krijue trazime në zonën e Ballkanit, natyrisht me ndihmen e Serbisë. Në qershorin e kaluem kur u fol për nji marrëveshje serbo-kosovare, i pyetun për Kosovën ai tha:
“Nji zgjidhje komprehensive që sjellë njohjen reciproke, ruen sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve, dhe forcimin e institucioneve demokratike ashtë esenciale për Kosovën e Serbinë që të ecin përpara.
Kjo kërkon bashkëpunimin transatlantik“ (Illyria N.Y) 10 korrik 2020, që nënkupton SHBA. Shqiptarët kanë nji mik të madh në SHBA.
Ashtë përshtypja e përgjithëshme se Presidenti Josep R. Biden Jr. do të jetë individi i privilegjuem të kryesojë përpjekjet tona për nji hap cilësor drejt nji unioni ma të përsosun. Kjo përshtypje merret edhe nga përmbajtja e fjalimit tij inaugural më 21 janar 2021.
Citojmë:
“Kjo ashtë nji ditë demokracie, nji ditë historike, nji ditë e shpresës”. Ai falënderoi të gjithë para-ardhësit- dhe Zotin “që bani të mundun nji tranzicion paqësor të pushtetit,” dhe premtoi se “andrra drejtësi për të gjithë nuk do të vonohet ma tej sidomos sot me kërcënimin e ekstremizmit politik, supremacisë së të bardhëve, terrorit domestik që na duhet të ballafaqojmë e do të shkatërrojmë”.
Ai numroi momentet historikë që lejuen avancimin e kauzes së barazisë sociale:
“Sot, ndigjoni bindjen time: mosmarrëveshjet nuk duhen kthye në ndasi. Dhe unë u betohem se do të jem presidenti i të gjithë amerikanëve. Dhe do të lufotj me ngulm si për ata që votuen për mue dhe ata që nuk votuen për mue… Shën Åugustini, shenjt i Kishës sime shkruen se nji popull ashtë nji masë njerëzish e përcaktueme nga objektet e përbashkëta të dashunisë tyne… Ashtu si thonte edhe nana ime kuptoni të tjerët tue veshë kpucët e tyne,” në se dëshirojmë me tregue pak tolerancë dhe përvujtëni. Kemi nevojë për fuqi me përballue vështirësitë e nji dimni të errët” me smundje e vorfëni. Të dashtun qytetarë amerikanë: e mbylli sot këte fjalë ashtu si e fillova. Jap besën se gjithëmonë do të jemë në nivelin tuej. Do të mbroj Kushtetutën, dhe do të mbroj demokracinë tonë. Unë do të mbroj Amerikën. Unë do të jap gjithë vehten time në shërbim për ju, dhe me ndihmën jo të pushtetit që kam por të mundësive që krijohen. Jo interesin personal, por për të mirën publike… Zoti e bekoftë Amerikën, dhe ushtarët tonë. Falemnderit Amerikë!” deklaroi ai.
Joseph R. Biden, Jr. ashtë presidenti i dytë katolik (mbas J.F.Kennedy) në 245 vjet, i devotshëm, dhe i frymëzuem nga mësimet e marruna në familje dhe shoqëni katolike.
Nga: Sami Repishti, PhD.