NBA vijon të shtyjë ndeshje të tjera si pasojë e infektimit të basketbollistëve në disa skuadra. Pasi nuk luajti ndeshjen ndaj Minnesota, skuadra e Memphis mori urdhër të mos luajë edhe 3 ndeshjet e radhës në kampionat. Bëhet fjalë për sfidat që Memphis do të zhvillojnë ndaj Portland dhe dy duelet ndaj Sacramento Kings.
Së fundmi janë luajtur vetëm 3 ndeshje. Spikat fitorja 113-106 e Los Angeles Lakers ndaj Milwaukee Bucks në fushën e këtij të fundit. Takim magjik i LeBron James, që realizoi 34 pikë, mbështetur nga Pope me 23 pikë. Për vendasit, të gjithë titullarët realizuan mbi 10 pikë, ku Giannis Antetokounmpo shënoi 25 pikë e 12 rebound, por që nuk mjaftuan.
Fitorja e shtatë radhazi për Utah Jazz, në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, që mundi 129-118 New Orleans Pelicans. Mitchell me 36 pikë ishte lider për Jazz në këtë sfidë. Humbet skuadra e Golden State, që u mund 119-104 nga New York. Edhe pse Curry realizoi 30 pikë, ato shërbeyn vetëm për statistikat pesronale, ndërsa për nju-jorkezët u dallua Barrett me 28 pikë.