Viti i Ri 2021. Në ndryshim nga vitet e tjera, këto festa u zhvilluan në një situatë aspak të zakontë në një moment ku e gjithë bota po përballet me armikun e padukshëm COVID-19.
Por kjo nuk i ka ndaluar aspak që atmosferën festive, qytetarët ta sjellin në shtëpitë e tyre. Rrugët e qyteteve ishin të boshatisura, kjo për shkak dhe të masave të marra nga qeveria për ndalimin e lëvizjes pas orës 20:30.
Në sheshe dhe në rrugë kishte vetëm forca policie të cilët patrullonin. Bashkitë e qyteteve organizuan spektaklin e fishekzjarreve që nuk mungon në asnjë Vit të Ri.
Në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj organizoi një koncert me muzikë të cilin e transmetoi online në faqen e tij në Facebook, dhe disa minuta pasi kaloi mesnata, në çdo njësi administrative të kryeqytetit u hodhën fishekzjarre.
I njëjti organizim u bë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë ku bashkitë kishin organizuar spektaklet e fishekzjarreve. Qytetarët i ndoqën ato nga dritaret dhe ballkonet e shtëpive të tyre. Ndërrimi i viteve në Lezhë ëstë pritur me fishekzjarre të shumta dhe lëndë të tjera plasëse. Në pamundësi për të festuar në rrugë dhe sheshe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe masave kufizuese që ndalojnë lëvizjen, qytetarët i kanë hedhur lëndët plasëse nga ballkonet e banesave të tyre. Por nuk munguan dhe ato pak qytetar të cilët sfiduan masat kufizuese dhe e pritën Vitin e Ri në sheshin “Gjergj Kastrioti”.