MENU
klinika

Çfarë po kërkohet pas sulmit të dhunshëm

Si u shkel kaq shpejt siguria e Kapitolit?

07.01.2021 - 15:59

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë thirrje për një hetim të forcës policore që mbron Kapitolin, duke i falenderuar ata në të njëjtën kohë për veprimet e tyre, pas sulmit të së mërkurës në selinë e organit legjislativ të vendit nga një turmë mbështetësish të presidentit Trump.

Kërkesa u bë nga dy demokratë të cilët në Kongresin e ri do të drejtojnë nënkomisionet që mbikëqyrin buxhetin për Policinë e Kapitolit.

“Do të ketë shumë video, disa që ngrenë shqetësime, disa që tregojnë heroizëm. Na duhet një hetim i plotë se si u shkel kaq shpejt siguria e Kapitolit”, tha senatori Chris Murphy.

Ligjvënësi Tim Ryan vuri në dukje mungesën e përgatitjes përpara tubimeve të planifikuara të së mërkurës, ku mbështetësit e Presidentit Donald Trump u mblodhën për të mbështetur refuzimin e tij të vazhdueshëm dhe të pabazë të humbjes së zgjedhjeve.

“Mendoj se është mjaft e qartë se do të ketë një numër njerëzish që do të pushohen nga puna shumë, shumë shpejt sepse ky është një turp si i turmës, i presidentit, i kryengritjes, dhe përpjekjes për grusht shteti , por edhe i mungesës së planifikimit profesional dhe ballafaqimit me atë që e dinim se do të ndodhte”, tha ai.

Ligjvënësja Ilhan Omar shtoi: “Ne harxhojmë miliarda dollarë për sigurinë kombëtare dhe sot nuk arritëm të mbrojmë kryeqytetin e vendit tonë nga një turmë e paligjshme. E papranueshme!”

Seria e ngjarjeve të së mërkurës filloi me Presidentin Trumpin duke folur në një tubim në mesditë pranë Shtëpisë së Bardhë, duke i kërkuar turmës të vazhdonte luftën për rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa anëtarët e Kongresit po përgatiteshin për çertifikimin e votave dy kilometra larg.

“Ne do të ecim nëpër Bulevardin e Pensilvanisë … dhe do të shkojmë në Kapitol … do të përpiqemi t’u japim republikanëve tanë … llojin e krenarisë dhe guximit për të cilën kanë nevojë për të marrë vendin përsëri në dorë”, tha ai.

Nga ora 13:30, Policia e Kapitolit po u kërkoi gjithë personave që ishin në ndërtesën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe atyre në një ndërtesë ngjitur me Bibliotekën e Kongresit që të evakuoheshin. Pak pas orës 2 pasdite, u njoftua për “një kërcënim të jashtëm të sigurisë të vendosur në pjesën perëndimor të Ndërtesës së Kapitolit “, pasuar së shpejti nga një tjetër alarm që sinjalizonte një “kërcënim sigurie brenda ndërtesës”.

Ligjvënësit dhe personeli u udhëzuan që të gjenin strehë, të mbyllin dyert dhe të qëndrojnë larg dritareve.

Robert Contee, shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit, tha se Policia e Kapitolit në atë moment i kërkoi ndihmë departamentit të tij për forca shtesë.

Në disa nga videot e shumta të shpërndara në mediat sociale dhe nga organizatat e lajmeve, oficerët e Policisë së Kapitolit mund të shihen të rrethuar nga turmat jashtëzakonisht të mëdha që kaluan nëpër barrikada dhe iu shmangën oficerëve që po përpiqeshin të ndalnin përparimin e tyre. Protestues të tjerë u ngjitën në mure ndërsa disa thyen dritaret për t’u futur brenda ndërtesës.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, së bashku me nënpresidentin Mike Pence, i cili po kryesonte seancën e çertifikimit, u evakuuan.

Turma kaloi orë të tëra brenda ndërtesës, përfshi në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, duke lënë pas dyer dhe mobilje të dëmtuara përpara se të dilnin duke u ndeshur me pak rezistencë.

Sipas zotit Contee, deri në orën 18:00 kur Policia e Kapitolit, e ndihmuar nga oficerët lokalë si dhe Garda Kombëtare dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit, rimorën kontrollin, policia kishte qëlluar për vdekje një grua dhe tre persona të tjerë humbën jetën për shkak të problemeve mjekësore.

Policia Metropolitane tha se arrestoi 52 persona dhe 14 nga oficerët e departamentit u plagosën.

Kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser vendosi një ndalim-qarkullimi që hyri në fuqi më vonë, dhe zgjati gjatë gjithë natën. Rreth orës 21 ligjvënësit ishin përsëri brenda në Kongres për të rifilluar seancën e tyre.

“Sapo kalova nëpër Kapitol për t’u kthyer në Dhomën e Përfaqësuesve,” tha ligjvënësja republikane Kelly Armstrong të mërkurën vonë. “Policia e Kapitolit është ende atje. Të rraskapitur, të gjakosur, të fashuar, disa janë në barela. Ata e bënë punën e tyre sot dhe e bënë mirë. Janë akoma këtu. Në mbrojtje të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në mënyrë që Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati të mblidhen dhe të përmbushin detyrën kushtetuese”.

Senatori republikan Mitt Romney shkroi në Twitter falënderimet e tij për Policinë e Kapitolit, FBI-në, Shërbimin Sekret dhe Gardën Kombëtare, duke vlerësuar “profesionalizmin dhe trimërinë” e tyre.

Ndërsa po hynte e enjtja, FBI-ja lëshoi një thirrje për publikun për të siguruar foto, video ose informacion në lidhje me protestuesit.

Në orën 1:13 të mëngjesit erdhi një njoftim i fundit i Policisë së Kapitolit se nuk kishte më kërcënim të brendshëm të sigurisë.

Ndërsa në anën perëndimore të Kapitolit po bëhen përgatitjet për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar, zonja Bowser tha se ajo e zgjati urdhërin e emergjencës për 15 ditë “për të siguruar paqen dhe sigurinë”.

Shërbimi Sekret amerikan udhëheq përpjekjet e sigurisë për inaugurimin, por zakonisht merr ndihmë nga agjenci të shumta si Policia e Kapitolit, policia Metropolitane, Administrata Federale e Aviacionit dhe Garda Kombëtare.

Burimi: VOA